Zhvillimi i teknologjisë së informacionit një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit

Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan vlerëson rëndësinë e shoqërisë së informacionit në proceset integruese - Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan deklaroi sot, se "zhvillimi i teknologjive të informacionit është shumë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit". Ambasadori Lohan përshëndeti sot punimet e Konferencës Kombëtare të Shoqërisë së Infomacionit, e cila u zhvillua në ambientet e Hotel Tirana International, me financimin e Komisionit Europian. Duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të shoqërisë së informacionit, Ambasadori Lohan u shpreh se "ajo është shumë e rëndësishme për qeverinë, për operatorët ekonomik dhe qytetarët, por edhe në drejtim të arritjes së progresit në rrugën e integrimit drejt BE-së". "Operatorët ekonomik dhe qytetarët në përgjithësi po përfitojnë nga shoqëria e informacionit. Është shumë e rëndësishme që të gjithë operatorët ekonomik të kenë akses në internet dhe të kenë shërbime të tilla dhe objektivi duhet të jetë që të mos krijohen dallime dixhitale", tha Ambasadori Lohan, i cili vlerësoi si sfidë edhe përgatitjen e legjislacionit në këtë drejtim. "Ju keni miratuar një seri ligjesh në këtë drejtim. Ne jemi të kënaqur që është miratuar ligji për mbrojtjen e të dhënave në fillim të këtij viti, por ne nuk e kemi vënë re ende zbatimin e këtij ligji", tha ambasadori Lohan. Arsimi masiv është i domosdoshëm në këtë fushë, u shpreh Ambasadori Lohan duke informuar më tej mbi mbështetjen dhe asistencën e e ofruar nga KE. "KE ka akorduar 1 milionë Euro ndihmë për ofrimin e pajisjeve dhe zhvillimin e trajnimeve. Ne jemi të vetëdijshëm se gjithë ky proces ka një kosto financiare", vijoi më tej ai. Duke cituar progres-raportin vjetor të KE-së, Ambasadori Lohan u shpreh se "përgatitjet e Shqipërisë në fushën e shoqërisë së informacionit vlerësohen se janë në një fazë të hershme". Në këtë drejtim ai uroi që "vendi të kalojë në një fazë më të përparuar". ...