E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministrja Koçiu: Mbështetje për fëmijët në realizimin e pasioneve përmes kurseve profesionale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar të mërkurën një takim në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” me fëmijë dhe të rinj, të cilët po ndjekin kurse të ndryshme të formimit profesional.

“Sigurimi i jetesës së pavarur dhe dinjitoze, nëpërmjet marrjes së njohurive, edukimit të duhur dhe aftësimit të tyre për të ardhmen, është qëllimi ynë”, tha Koçiu, sipas njoftimit për shtyp.

Ministrja Koçiu ka theksuar se do të vijojë procesi i deinstitucionalizimit, që do të shërbejë për sigurinë e mirërritjes së fëmijëve. 

“Përmes arsimimit dhe formimit profesional forcohen marrëdhëniet shoqërore dhe familjare. Duke pasur një profesion ju mund të keni një punë të sigurt. E duke patur një punë të sigurt mund të keni edhe të ardhura të qëndrueshme, që ju ndihmojnë në krijimin e një familjeje të shëndetshme. Duke mbështetur fëmijët e të rinjtë në institucionet tona me një përkujdesje të mirë shoqërore, bën që të gjithë të aftësohen për tregun e punës për një jetesë dinjitoze”, theksoi Koçiu.

Ministrja u shpreh se ngritja e modelit shtëpi- familje dhe qendrës rinore ka për qëllim jo vetëm të akomodojë sa më mirë fëmijët dhe të rinjtë, por edhe të zhvillojë potencialin e plotë të tyre, të ofrojë një mjedis të sigurt, familjar e mbështetës ku të rinjtë të inkurajohen për të ndjekur ëndrrat e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›