Zhvillohen sot zgjedhjet e pjesshme në 10 njesi vendore. KQZ akuzon partitë politike se po tentojnë të bllokojnë procesin

-- Arben Ristani: Vazhdon politika për të cenuar zgjedhjet
UPDATE- Ka nisur sot në orët e para të mëngjesit procesi i votimit në 10 njësi vendore. Në 3 prej këtyre njësive, zgjedhjet nuk u zhvilluan më 8 maj, ndërsa në 7 të tjera Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, shpallën pavlefshmërinë e tyre, për shkak të parregullsive që u vërejtën gjatë procesit zgjedhor të 8 majit, ku dhe më pas u ankimuan nga subjekte të ndryshme politike.
Komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme janë komunat Shllak, Shalë, Pishaj, Mollas, Kolsh, Finiq, Komuna Qendër-Skrapar, komuna Armen, Paper dhe Zall-Dardhë.
Në fillim të mbledhjes kreu i KQZ, Arben Ristani duke i`u referuar vendimeve të Kolegjit Zgjedhor mbi ankimimet e PS, deklaroi se vendimet e KQZ kanë qenë të drejta dhe të bazuara në ligj.
Deri në këto momente raportimet janë se procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa incidente. Pavarësisht korrektësisë së procesit të administruar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përsëri tendenca e forcave politike për të bllokuar procesin është ende evidente.
Arben Ristani: Vazhdon politika për të cenuar zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar sot për problematikën e hasur në komunat, ku sot po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani në fjalën e tij ka deklaruar se ka politikë për të prishur zgjedhjet në këto komuna. Ai informoi se gjatë mbrëmjes KQZ ka zhvilluar mbledhje për të plotësuar emërimin e komisionerëve të qendrave të votimit që ishin bllokuar.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e PS-së, Dëshira Subashi ka propozuar që inspektorët së bashku me anëtarët e KZAZ-së, të mos përjashtohen, nëse ata marrin përsipër të shoqërojnë bazën materiale. “Ne nuk kemi pse i përjashtojmë. Nuk është në tagrin e punonjësve të KQZ-së, të thërrasin forcat e policisë”, u shpreh Subashi. Po ashtu në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe për zgjedhjet në komunën Shllak si dhe për vulën e humbur në komunën Finiq.
Ersekë, votimi në Mollas vazhdon normalisht
Rreth 3 mijë votues në komunën Mollas në Ersekë, i janë drejtuar edhe një herë njësive të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre në lidhje me zgjedhjen e këshillit të komunës. Procesi i votimit për këshilltarët e kësaj komune, ka nisur normalisht që prej orës 07:00 të mëngjesit. Kështu, banorët i janë drejtuar qendrave të votimit, ndërkohë që numri i tyre ka ardhur në rritje. Sipas kryetarit të KZAZ-së, Ibrahim Osmani shkak i përsëritjes së zgjedhjeve ka qenë pikërisht një ngatërresë e fletëve të votimit të kësaj komune, në zgjedhjet e 8 Majit. Ai ka sqaruar se votohet vetëm për Këshillin e Komunës dhe se në të 12-të, njësitë gjithçka ka nisur rregullisht dhe vijon pa probleme. Ndërsa deri në orët e para të paradites, përqindja e votuesve ka qenë deri 15 %, pritet që orët e pasdites të shënojnë edhe fluksin më të madh të votuesve.
Votimet në Armen të Vlorës, të qeta dhe të rregullta
Zgjedhjet në komunën e Armenit, të rrethit të Vlorës po vijojnë të qeta. Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 të ditës së sotme dhe do të qëndrojnë deri në orën 19:00. KZAZ në Vlorë deklaron se janë ndarë materialet zgjedhore dhe çdo gjë po shkon normalisht. Në këtë komunë, garojnë për kryetar komune, kandidati i PD-së, Kliton Haxhiraj përballë kandidatit të PS-së, Albert Hoxhaj. Numërimi i votave për kryetar të kësaj komune, do të ndodhë ndoshta mesnatën e sotme ose nesër në mëngjes. Kutitë do të shkojnë në shkollën “Halim Xhelo”, në Vlorë.
Garantimi i procesit zgjedhor, Policia organizon ekipe të posaçme në terren
Policë të trajnuar për shërbime në procese zgjedhore do të angazhojë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore, që do të zhvillohen sot në disa njësi. Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Policinë e Shtetit, Laura Totraku, konfirmon se të gjithë punonjësit e policisë që do të jenë të angazhuar për zgjedhjet e së dielës, janë trajnuar më parë për rolin e tyre në proces për të garantuar zbatimin e ligjit. Drejtoritë e Policive në 7 nga 12 qarqet e vendit ku do të ketë votime kanë marrë tashmë një udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm Burgaj, për të garantuar transportimin e materialeve të votimit si dhe sigurinë e procesit gjatë ditës së sotme. Që prej ditës së djeshme, punonjësit e policisë të caktuar në këtë detyrë kanë marrë në ruajtje vendet e numërimit dhe materialet zgjedhore deri në orët e para të ditës së sotme, kur komisionet e qendrave të votimit do të mbërrijnë aty, për të përgatitur çeljen e procesit të votimit. Janë rreth 102 objekte që janë marrë në ruajtje nga policia e shtetit, prej të cilëve 88 janë Qendra Votimi. Roli dhe qëndrimi i policisë ka marrë vlerësime të kënaqshëm jo vetëm nga subjektet politike, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që monitoruan zgjedhjet lokale të 8 majit.