E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha flet në mbledhjen e grupit parlamentar për tryezën e Presidentit

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i njohu të pranishmit lidhur pjesëmarrjen në tryezën e thirrur më 13 shkurt nga Presidenti i Republikës.

Lidhur me pjesëmarrjen në këtë tryezë, Kryeministri Berisha u shpreh: “ Unë, megjithëse pas takimit në mënyrën më serioze kemi bërë transparencë thelbësore lidhur me takimin që kemi pasur tek Presidenti i Republikës, po ju them se në atë tryezë shkova me zotin Patozi. Edhe një herë mund t’ju them se unë e vlerësoj atë si një përpjekje serioze, pozitive dhe se ne shkuam aty të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor. Ne mbetemi të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor në zgjidhjen problemit të krijuar nga bojkoti i Parlamentit.

Tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej të eksplorojë mundësitë e konvergjencave midis palëve. Unë dua t’ju them ju dhe mbarë shqiptarëve se shpreha vullnetin tim të ndershëm dhe të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e problemeve që opozita ka me qeverinë, për qeverinë apo për Partinë Demokratike, në frymën më të hapur dhe më konstruktive. Unë nuk dua të bëj nxjerr detaje, meqenëse ato kishin një konfidencialitet, por ajo që kam deklaruar edhe jashtë takimit është se i kam kërkuar zotit Rama të listojë të gjitha problemet që ai konsideron se shumica duhet t’i përgjigjet opozitës dhe unë jam plotësisht i gatshëm ti trajtoj me seriozitetin më të madh dhe mënyrën më konstruktive.

Sikundër propozova se opozita, duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Evropës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. Opozita t’i marrë, t’i konvertojë në amendamente dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. E garantova se ne jemi gati që të enjten që vjen të ngremë Komisionin Parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision për të hetuar të gjitha problemet që do të listojnë.

Të nderuar deputetë,

Ky vend ka një histori zhvillimi 19 vjeçare në këtë rrugë dhe kjo histori zhvillimi është jashtëzakonisht e rëndësishme të mbahet parasysh. Duke e garantuar opozitën se jam i hapur të shqyrtojë çdo kërkesë që është midis nesh, theksova se kurrë ndonjëherë nuk e kam konsideruar dhe nuk e konsideroj çështje bilaterale çështjen e vendimeve gjyqësore. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t’i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndërpalësh, por është problem vetëm me gjykatën. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askërkujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër qeverisë dhe ne si kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita. Opozita edhe kur na ka paditur ne nuk mban përgjegjësi. Nuk mundem, në asnjë mënyre, që problemet që opozita ka me gjykatën t’i bëjë probleme midis qeverisë dhe opozitës. Kjo nuk mund të ndodhë. Për vendimet e gjykatave opozita i ka problemet me gjykatat. Ka qenë dhe do të jetë kështu, derisa gjykatat janë të pavarura dhe të mos i bëjmë vegël të ekzekutivit, që s’mund të bëhen kurrë. Po marrim këto zgjedhje, të cilat kanë pasur standardet më absolute të transparencës në botë dhe që kanë rekordin botëror të transparencës, numërimin e votave me filmim, me fotografim, me transmetim, me numërim. A ka pasur ndryshim të rezultatit? Po, ka pasur ndryshim të rezultatit! çdo shqiptar e di dhe duhet ta dijë se mandati i Fierit i’u mor kësaj mazhorance duke zhvlerësuar 512 vota të komunës së Ruzhdies. Gjykata i zhvlerësoi se ato ishin me një vulë dhe vulën tjetër e kish marrë komisionari socialist, i cili u zhduk gjithë ditën. Ne dhe zoti Rama kishim shkruajtur në ligj se fleta e votimit për të qenë e vlefshme duhet të mbajë vula dhe jo vulën. Edhe gjykatësit thanë se ne do të zbatojmë germën dhe jo frymën. Kjo është puna e tyre, por ama as kam thënë dhe as do të them ndonjëherë se mandatin ma grabiti Partia Socialiste. Jo, mandatin ne na e mori gjykata.

Të nderuar zotërinj, nuk ka as edhe lëshim rezultati tjetër nga gjykata, edhe po të kishte pesë të tjera, siç kemi pasur ne me Gjykatën Kushtetuese në vitin 2000. Ne atëherë kemi patur 10 mandate. Po ju jap rastin kur filloi shqyrtimi i zonës së zonjës Arta Dade nga Fehmi Abdiu. U hap kutia e parë, ndërkohë ishin për t’u hapur të tëra, dhe ajo kuti nxori fituese zonjën Dade. Gjykatësi që po zbatonte, e kuptoni vetë se çfarë, tha s’ka nevojë për më tutje, sepse kutia tjetër e përmbyste rezultatin. Ne për këtë rezultat nuk thamë se është çështje e Partisë Socialiste. Ne këtë rezultat i’a quajtëm gjykatës. U bënë raporte ndërkombëtare dhe ne e denoncuam gjykatën në këto raporte. Ja dhe zotit Osman Metalla i’a morën mandatin duke i marrë peng komisionerët dhe për këtë ka tre faqe të shkruara në raportin ndërkombëtar. Gjykata e vendit me demokraci më të zhvilluar të botës u nda 5 me 4 për mandatin e njeriut më të fuqishëm të botës, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe vendimin e dimë, i cili nuk kishte votën popullore. Ndërsa ne, është e qartë në dritën e diellit, me koalicionin tonë jemi shumicë

Të nderuar deputetë,

Dua t’ju them se për të gjithë ata që kanë Alph- ën e potencialit elektoral, si rregull, po shkove vetëm si parti merr gjithnjë më shumë vota, por sa më shumë aleatë të bësh, ndonëse të marrin nga një pjesë, në fund në kosh del më shumë. Kjo është edhe historia e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi qenë me 16 aleatë dhe si shumicë jemi në rregull. E thash këtë, sepse në rastin e Floridës ishte tjetër. Atje dhe votat ishin më pak, por gjykata e vendosi 5 me 4 dhe u vendos mandati i njeriut më të fuqishëm të botës. E vendosi për shkak të parimit Kushtetues. Nuk mund ta vazhdon në seleksiono përzgjedhjen. E solla këtë shembull, duke e garantuar edhe një herë opozitën se mbetem i hapur dhe në qoftë se ne biem dakord, çështjet e gjykatave nuk janë midis nesh, por janë të secilit me gjykatën, çështjet e tjera janë plotësisht të trajtueshme dhe të zgjidhshme.

Unë desha t’jua jap juve këtë informacion dhe t’ju siguroj se përpjekjet janë të vazhdueshme për të ecur drejt zgjidhjes më të mirë të mundshme.

Faleminderit!”


15/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›