E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Komitetit Nërministror të Integrimit

 -          Pas analizës së realizimit të masave të parashikuara në Proges Raportin e BE-së, Kryeministri Berisha kërkoi që 12 objektivat kryesore të jenë udhërrëfyes për secilën ministri, që detyrimet të përmbushen para muajit maj.

-          Ministrja Bregu kërkoi që institucionet të përcaktojnë një kalendar konkret kohor, realist dhe të zbatueshëm për ndjekjen e detyrimeve që vijnë nga analiza e opinionit të vitit 2010 dhe, për plotësimin e atyre që janë cilësuar 12 kritere të reja.

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin, ku u analizua realizimi i masave të parashikuara në Progres Raportin e KE-së për vitin 2009 dhe detyrimet e parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) për vitin 2010. Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhje u përcaktuan dhe detyrimet për vitin 2011, të cilat rrjedhin nga Raporti Analitik i Komisionit Evropian për vitin 2010 dhe dokumente të tjera strategjikë si MSA, PKZMSA, nën – komitetet e MSA-së.

Kryeministri Berisha u shpreh se stadi aktual kërkon që analizat e tjera të bëhen mbi bazën e kapitujve të Acquive dhe kjo të jetë hera e fundit që trajtohet në këtë mënyrë, pasi procesi merr një karakter tjetër analize.

Gjatë mbledhjes, ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu bëri një paraqitje të realizimit në total, si dhe nga çdo institucion, të detyrimeve.

Bazuar në këtë analizë, realizimi i detyrimeve në total për vitin 2010 është: prej 935 masave  (iniciativa dhe aktivitete) janë realizuar  411 masa (44 % ), 82 masa (8%) janë projekte afatgjata  dhe duke u përfunduar janë  442 masa (48 %)

Referuar këtyre të dhënave ministrja Bregu u shpreh se pritshmëria për të mbyllur këto masa të realizimit që janë në proces, është e madhe. Për sa i përket masave që ende nuk janë realizuar, të cilat përbëjnë vetëm 8 % të totalit, ministrja e Integrimit theksoi se kanë të bëjnë edhe me ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu, ajo kërkoi që të gjitha institucionet të përcaktojnë një kalendar konkret kohor, realist dhe të zbatueshëm për ndjekjen e detyrimeve që vijnë nga analiza e opinionit të vitit 2010 dhe për plotësimin e atyre që janë cilësuar 12 kritere të reja.

Pas njohjes me realizimet e detyrimeve nga institucionet dhe agjencitë, pjesë të këtij Komiteti, Kryeministri Berisha u shpreh se realizimet në proces duhet të shpejtohet në çdo hap. Kryeministri u shpreh se kjo shumicë aktualisht nuk ka 3/5 në Parlament, por është shumicë dhe mbi këtë bazë mund të ndërmarrë çdo vendim, çdo ligj të thjeshtë, për të plotësuar e për t’iu afruar sa më shumë standardit.

Më tej kryeministri u ndal tek rekomondimet: për  reformën e sistemit gjyqësor duke e cilësuar atë jashtëzakonisht e rëndësishme; për imunitetin e deputetëve, për të cilin Kryeministri u shpreh se Parlamenti do të zbatojë modelin gjerman e se ky ndryshim mund të inkuadrohet në rregulloren e Parlamentit dhe t’i jepet vlerë ligjore deklaratës personale të deputetit;  për administratës civile, për të cilën Kryeministri u shpreh se një nga obligimet e qeverisë do të jetë hapja e universiteti për Administratën Publike; për luftën kundër korrupsionit, që sic theksoi Kryeministri duhet të njohë dimensione të reja; për të drejtat e romëve, që të ndërhyhet për të ndihmuar popullsinë rome dhe egjiptiane në vend. Kryeministri sugjeroi që për fëmijët e tyre të ofrohet edhe ushqim nëpër shkolla, ndërsa për familjet e tyre të shihet mundësia për t’i ndihmuar me anë të politikave të ndryshme ekonomike, si mikrokredi në mënyrë që ata të orientohen për krijimin e ndonjë biznesi apo ekonomie familjare.

Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri kërkoi që 12 objektivat kryesore të jenë udhërrëfyes për secilën ministri, që detyrimet të përmbushen para muajit maj. Pavarësisht kohës së shkurtër, tre mujore, Kryeministri shprehu bindjen se realizimi i këtyre objektivave është realisht i mundshëm.


12/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›