E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvlerësimi i arsimit

Nga Roel Korkuti

Një nga treguesit kryesor të mbarëvajtjes së një shteti e të nivelit të një shoqërie është sistemi arsimor. Eshtë pikërisht arsimi së bashku me drejtësinë që tregojnë se sa i shëndoshë është një shtet. Sistemi i drejtësisë është një tregues që të çon të analizosh të tashmen dhe ndoshta të shkuarën, ndërsa ai arsimor, ndryshe nga ky, përveç të tashmes çon në një parashikim tejet të qëndrueshëm të së ardhmes. Një sistem arsimor i shëndoshë çon në një të ardhme të shëndoshë, ndërsa një i sëmurë në një të ardhme po aq të sëmurë. Investimi për arsimimin është investim për të ardhmen. Ç’është bërë në të shkuarën, ne vetëm mund ta gjykojmë e jo ta tjetërsojmë, por kemi në dorë tjetërsimin e së tashmes e bashkë me të të së ardhmes sonë.

Po jetojmë në një shoqëri ku sistemi arsimor është zhvlerësuar. Eshtë zhvlerësuar pasja e çfarëdolloj diplome në çfarëdolloj niveli intelektual. Ato të marra me lek me ato të marra pa lek, ato të marra me djersë me ato të marra pa djersë, ato të marra vetëm apo ato të marra nga të tjerët, ato të marra në shtet apo ato të marra në privat, ato të marra nëpër kafene apo ato të marra në bankat e shkollës kanë vlerë të barabartë. Të pasurit të vetëm një diplome universitare përveçse të bën demodè, të bën të quhesh i paaftë. Leksionet ndodh që jepen, ndodh që s’jepen, e ndodh që jepen aty ku s’duhet të jepen. Pedagogët ndodh që janë të aftë, ndodh që janë më pak të aftë se nxënësit e ndodh që s’duan të tregojnë as aftësinë e as paaftësinë. Librat ndodh që gjenden kollaj, ndodh që s’gjenden dot e ndodh që si ti gjesh e si mos ti gjesh nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe. Ndodh që notën e merr ashtu siç duhet ta merrje, ashtu siç donte pedagogu që ta merrje e ndodh që ta marrësh siç do ‘leku’ e ‘miku’ që ta marrësh. Ndodh që shkollën ta bësh në shtet, ndodh që ta bësh në privat e ndodh që ta bësh te të dyja, te të treja te të katërta e me radhë pasi ta ofron sistemi mundësinë. Ndodh që me një të shkelur të syrit katrën e bën dhjetë, ndodh e anasjella e ndodh edhe që me të shkelur edhe syrin tjetër e njëjta gjë funksionon edhe për shokun e bankës, atë te bankës pas, anash e të tërë klasës po ta ‘mbajti xhepi’. Ndodh që ke diplomën e 8-vjeçares, të maturës e të universitetit, ndodh që ke të parën e te fundit pa patur atë të mesit, e ndodh që ke vetëm të fundit pa patur aspak dy të parat. Ndodh që ka infrastrukturë, ndodh që s’ka e ndodh që edhe kur ka si hyn njeriu në punë. Me pak fjalë ndodh gjithçka në një vend që do ketë si të ardhme doktora, jurista, ekonomista e inxhiniera që përpos pasionit ndoshta për profesionin, do të jenë të aftë vetëm në kryerjen e detyrave që do duan të kryejnë e jo që do të duhet të kryejnë. Jemi duke vuajtur një deficit intelektual që në kohët e sotme, por që do rëndohet edhe më në vitet e ardhshme. Përveç paaftësisë, brezi i shkolluar në kohë të tilla do të ketë të rrënjosur edhe mentalitetin e gabuar mbi arsimin si pasja e një titulli thjesht për të qenë në nivelin e të tjerëve. Në fakt edhe ky mentalitet ka vite që është ndryshuar. Arsimi i lartë në mbarë botën e qytetëruar të bën të qëndrosh më lart se të tjerët, ndërsa sot nga ne arsimi i lartë thjesht të barazon me të tjerët.

Janë elitat intelektuale ato që ndërtojnë shtetet e jo e anasjellta. Një përvojë të tillë na e dëshmon perëndimi e sidomos vendet anglo-saksone. Universitetet qindravjeçare kanë qenë në epoka të ndryshme të historisë djepi i lëvizjeve intelektuale, i revolucioneve, i krijimit të shteteve të reja. Sistemet e përsosura arsimore që ofron sot pjesa më e madhe e Europës si dhe kontinenti i ri janë më te vjetra sesa vetë shtetet në të cilat operojnë. Janë pikërisht këto sisteme shtyllat që u ofrojnë garanci shumë shteteve për të ardhmen. U ofrojnë garanci për një të ardhme me njerëz të aftë në krye. Dikush mund të thotë se të aftët po shkollohen jashtë e kur të vijë koha do i vijnë në ndihmë vendit të tyre po për fat të keq ky mit është shumë larg së vërtetës. Kjo për faktin e vetëm se sistemi është aq kompleks saqë çdo hallkë e zinxhirit është pengesë për të shkolluarit jashtë të kthehen në vendin e tyre. E ardhmja është më e errët se ç’duket. Mallkimi më i madh për një popull është ai i drejtimit nga të paaftët. Nuk e di kush na mallkoi, por me siguri të plotë di të them që mallkimi na ka zënë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›