Zi zonjash
Panairi i Librit “Tirana 2008” prej dy ditësh ngre lart shkrimtarët e huaj të ftuar, ndërsa ai që nuk ka nevojë për reklamën, shkrimtari Ismail Kadare vazhdon të shitet në mënyrë të pabesueshme- romani i tij i fundit “Darka e gabuar” i sapo hedhur në treg kthen stilin kadarean të groteskut, duke na u shfaqur në “rutinën” e misterit që Kadare pështjell për të na shtënë në mesazhe subversive- për cilën kohë flet? Për cilët aludon? Një herë Arshi Pipa i zbërtheu veprën “Kronikë në gur”, një rast unikal i papërsëritur, aty ku ora kritike i ka mbetur dhe Kadaresë. Më poshtë kemi shkëputur një pjesë nga romani- që shfaqin ndjellin e zezë, pas siluetës së “zonjave”
Që zonjat ishin në mësymje, nuk linte asnjë dyshim. Që kjo ishte krejtësisht e palogjikshme, bënte mu që larg.
Qyteti ishte kapur në një ngërç të paparë. Disa prej dënimeve që vinin nga kryeqyteti, merreshin, për çudi, si hakmarrje zonjash. Rasti i kumtuesit, që u tregua aq i ashpër me to, ishte njëri nga shembujt. Do ta arrestoja qenin, kishte thënë shefi i madh, po ç’t’u bëja atyre shtrigave që do të gëzoheshin: na shau, e pësoi!
Mbledhjet për to vazhdonin. Ndërkaq, pavarësisht se nuk e thoshin me zë, shumica mendonin se ndoshta do të kishte qenë më mirë të mos i kishin hyrë kësaj lufte. Me zotërinjtë ishte gjithmonë më e lehtë. I thërrisje në gjyq, i kapje në faj, u hidhje prangat. Zonjave s’kishe ç’u bëje. Nga shtëpitë dilnin rrallë, njëherë, e shumta dy, në stinë. Ishin më të pakapshme se vegullitë.
Kur në fund të verës, në vend të një vetëvrasjeje të dytë, që pritej prej kohësh, u shkarkua shefi madh, kjo gati-gati u duk si shpallje e humbjes së luftës. Por ligështimi kishte qenë i parakohshëm. Pikërisht në kohën kur u duk se zonjat ngadhënjyen, ndodhi ajo që parashikohej prej shprehjes: ç’sjell ora s’e sjell moti.
Ishte dita e 17 dhjetorit, pak pas mesditës, zonja e Ganimet e Hankonatëve, e veshur me pallton dimërore prej gëzofi, po kapërcente kujdesshëm, për shkak të takave të larta, kryqëzimin e Rrugës së Varoshit me atë të Liceut, kur dikush, me saktë, një zë gruaje i thirri nga e djathta e saj: mirëmëngjez, shoqja Ganimet!
E thirrura ndali në vend, si ta kishin goditur. Një grimë mbeti ashtu, mu në mes të kryqëzimit, pastaj, ngadalshëm, si ai që do të marrë vesh kush shtiu, deshi të kthente kryet, por qafa nuk iu bind.
Jam unë, shoqja Ganimet, Trëndafilja nga Këshilli i Lagjes. Do të vish nesër në mbledhje?
E goditura vazhdoi të mbetej si e ngrirë në vend, pastaj zgjati dorën si të mbahej te dikush, e afroi në anën e zemrës, gjunjët u drodhën dhe ra në kalldrëm.
Dy-tre kalimtarë, që u ndodhën rastësisht, lajmëruan spitalin, që aty për aty, dërgoi ambulancën e vetme të tij.
Ky nuk ishte veçse fillimi. Sapo u zbulua ajo, që dukej se nuk do të shpikej kurrë, mënyra a mjeti që i bënte të binin zonjat e parrëzueshme, një si stinë e papërfytyrueshme gjahu nisi gjithkund.
Si pulëbardha që u kishte ikur koha, zonjat e qytetit binin njëra pas tjetrës, aty ku i zinte hera, fill pas britmës fatale: “shoqe!”
Ishte e njëjta skenë që përsëritej, ngurosja në vend, dora që rrekej të kapej pas diçkaje, si një krah i pashpresë, fjalët: zotni, më mbani, ju lutëm, pastaj dëshira për të parë nga i erdhi goditja, marrja e frymës, prerja e gjunjëve dhe, në fund rënia.
Kështu, brenda një dite ranë zonja Nermin Fico e zonja Sabeko e Zekatëve, e para tek nisej dhe e dyta tek kthehej nga një vizitë. Po atë javë ishte radha e zonjës Turtulli, tek kapërcente Sheshin e Zinxhirëve. Një zonjë nga Kokalarët, që dilte për herë të parë pas dy vitesh, pas thirrjes “shoqe!”, deshi të rendte, por gjunjët iu prenë dhe mbeti në vend. Zonja Mukades Janina, për të cilën flitej se kishte qenë ca kohë e fejuara e fshehtë e mbretit, u këput mu te mesi i Urës së Vjetër, në kohën që atentatorja, e trembur befas, u largua me vrap. Një zonjë nga Çoçolët arriti të thoshte “s’jam shoqe!”, para se t’i binte të fikët, por të tjerat u rrëzuan pa thënë asgjë. Kështu dy Mariet, Marie Laboviti e Marie Kroi, kishin lëshuar thjesht nga një britmë habie “ua!” e kishin zënë gojën me dorë, siç bënin kur ngacmoheshin nga horrat e rrugës, veç pa qeshur dot.
E kështu me radhë , te Rruga e Kalasë, te Depo e Barutit, përpara dyqanit të Xuanos, te Banka e Shtetit, te Sheshi i Çerçizit, atje ku ky kishte vrarë bimbashin turk, fill pas fjalëve: ej, halldupë turk, nga Çerçizi e ke mortin! Zonjat njëra pas tjetrës po këputeshin.
Rrallimi i tyre po binte në sy gjithkund.
Për habi, tani që nuk kishin në sy si më parë, njerëzit i kujtonin më shpesh. Mbanin mend vendet “ku kishte ndodhur ngjarja”, imtësi të tjera, si atë të zonjës Meriban Hashorva, që e çuan në shtëpi me një vig të ushtrisë, ose rastin e zonjës Shtino, që fjalën “shoqe!” ia tha një arixhofke e që, gjatë rrugës për spital, kishte lënë amanetet. Po sidomos ishin vendet “ku kishte ndodhur ngjarja”, që, më së shumti, mbaheshin mend, madje, besohej se një skulptor, emrin e të cilit s’e thoshte askush, po gdhendte ca si pllaka me emrat e zonjave, pa harruar ditën e incidentit, madje, orën e saktë të tij.
Ndërkaq, ishte kuptuar nga të gjithë se, pas asaj që kishte ndodhur, zonjat ishin mbyllur, për të mos dalë më. Kështu u mbyllën zonja Pekmezi e Karllashi, dy zonja të Shametëve, që përdornin në letër-këmbim alfabetin e vjetër të familjes, një zonjë nga Çabejt, një tjetër nga Ficot, së fundi zonja plakë e Kadarenjve, bashkë me të motrën, Nesibe Karagjozin.
Nuk ishte vështirë të kuptohej: zonjat ishin thyer.
Dita 2000
Muzgu i tyre nuk jepte kurrfarë hareje. E po ashtu, të fshehtë kishin mbetur pendimi dhe drejtpeshimi i prishur.
Parandihej se koha pa to do të ishte tepër e gjatë. Për të sajuar zonja të tjera, shtëpive të mëdha, të vetmet që e dinin atë mjeshtëri, do t’u duheshin dhjetëra a, ndoshta, qindra vjet.
Pa to, qyteti pritej të egërsohej. Por në cilin kah, s’dihej. Kodi i tyre kishte mbetur i pazbuluar. Tani që po shuheshin, s’dihej ç’do të jepte hiri që po linin pas.
Në pamjen e jashtme, qyteti ishte po ai. Për viset rreth e rrotull, katundet dhe qytetthet e fyera prej tij, dukej se kishte rënë ora për shlyerje llogarish të hershme. Por ende s’guxonin. Qyteti ende mbahej. Me zonjat kishte qenë, tepër krenar, por pa to ngjante më i rrezikshëm.
Tani ishte e qartë se ishte i papërshtatshëm jo vetëm për kohën e re, por për çdo kohë.
Lajmi se mund të shpallej qytet-muze, për disa u quajt si nder, por për shumicën, turp. Një mendim i tretë rrihte ta ngjallte shpresën e ripërtëritjes. Fjalët që nisnin me “ri” u kthyen prapë, si në stinët e ethshme të fushatave. “Sokaku i të marrëve” ishte në krye të listës për t’u ripagëzuar. Me këtë, disa nuk përfytyronin gjë tjetër, veçse prishjen. Por prishja s’ishte e lehtë. Pengonte, në radhë të parë, shtëpia, më saktë, gërmadha e shtëpisë së Prijsit, që ishte fare pranë tij. Shtëpi të tjera, si ajo e Skëndulajve apo e Shametëve, herë e nxitnin, herë e frenonin prishjen.
Kurse ajo e Kadarenjve, që gjithashtu ndodhej fare pranë, por në skajin e kundërt, nuk nxiste veçse ide të errëta. Ndërsa shtëpisë së Kadarenjve të lagjes Hazmurat, asaj që, për turp të fisit, u humb në kumar, ende nuk i ndahej nami i keq, të shumtë ishin ata që mendonin se, në të vërtetë, ishte shtëpia tjetër, ajo e Kadarenjve, të Palortosë, që do ta nxinte emrin e qytetit në jetë të jetëve. Se ç’ishin arsyet për këtë divnesë nuk diheshin, por pikërisht, ngaqë s’dihesha, ngjanin më të besueshme. Një zjarr, a një bombardier i rëndë anglez, thuhej se mund ta zhbënte ankthin që vinte prej saj.
Kohë më pas. Dita e tremijtë
Sado e pabesueshme të dukej, thashethemet për “Sokakun e të marrëve”, si ato që lidheshin me kinse ripagëzimin e tij, si ato për rrënimin e tij a të të gjithë qytetit, nuk ishin veçse një pasqyrim i zbehtë i asaj që kishte ndodhur gjithë atë dimër, në majën e pushtetit: komplote, klane, tmerre. Prej tyre, Prijësi, ndonëse i prerë në fytyrë nga ankthi i rrëzimit, kishte dalë fitimtar. Vendimi për ngritjen e shtëpisë së tij, për ta bërë tri herë më të madhe se ç’ishte, nuk ishte veçse njëra nga shenjat shpresëdhënëse. Gjithë qyteti po gjallërohej. Hamendjet e ndëshkimit ose të uljes së kokës ngjanin të çmendura. Jo t’i ulej, por t’i ngrihej koka gjer në re, ky ishte urdhëri i ditës.
Hapja e një lajmi të mirë e shtoi ngazëllimin. Pëshpërimat, zakonisht, hapeshin për keq, por kjo ishte përnjëmend, ndryshe. Qytetin e priste një befasim i rrallë. Se ç’ishte, s’e dinte askush, madje, as vetë shefat. Por kjo nuk e pengonte lajmin. Një kremtim kishte gjasë të ndodhte. Një mysafir i lartë, më i larti i të lartëve, do të vinte.
Qyteti nuk ishte ndonjë humbameno që të habitej prej vizitave. Përveç Prijsit, që e kishte lindur vetë, ai kishte pritur mbretin Zog, princeshat, motrat e tij, Benito Musolinin e Italisë, vetë Viktor Emanuelin, atë për të cilin ishte hapur fjala se, ngaqë përveç mbretit të Italisë e të Shqipërisë, ishte edhe perandor i Etiopisë, njërën nga faqet duhej ta kishte lyer me ngjyrë, e kështu me radhë.
Kishte pasur edhe vizita,q ë s’ishin bërë, si ajo e sulltan osman, në fillim të shekullit, apo e Valide sulltanes, mbikëqyrësi i shërbimit të ngrënies së mëngjesit të së cilës ishte nga ky qytet. E fundit vizitë e pakryer ishte ajo e Adolf Hitlerit, i cili do të vinte për shkak të avionit që punonte me “perpetuum mobile”, që qyteti kishte mëtuar ta shpikte, por që fillimi i luftës nuk e la. Sidoqoftë, asnjë prej këtyre nuk mund të krahasohej me at ë që pritej të ndodhte. Do të vinte Stalini.
Viti 1953 po hynte në këtë lajm të madh. E ftohta nuk ishte më e paktë, por kongjijtë e akullit që vareshin nga strehët e shtëpive rrëzëllinin si për pashkë.
Dita 3033
Dehja e shkaktuar prej lajmit po i kapte të gjithë. Pyetjet: përse Stalini kishte zgjedhur pikërisht Gjirokastrën? shtroheshin nga mëngjesi në mbrëmje në të gjitha kafenetë. Shumica mendonin se s’duhej ndonjë vramendje për t’u gjetur shkaku: qyteti ishte vendlindja e Prijsit dhe dihej, se ndër gjithë udhëheqësit e botës komuniste jo ruse, idhujtar më besnik se shefi Shqipërisë, Stalini as kishte pasur e as do të kishte kurrë. Të tjerë mendonin shkaqe të tjera, por ato nuk thuheshin as me bujë, as me ngulm. Kështu, për shembull, përmendej rënia (kur ato përfytyroheshin si pulëbardha) a fikja
(në rastin kur kujtoheshin si qirinj) e zonjave. Ndër mijëra qytete të bllokut lindor, siç quhej tani, vetëm ky i këtushmi i kishte fikur ato.
Sidoqoftë, qenkësh ky shkak a një tjetër, që ata s’e dinin, Gjirokastër do të ishte për ca ditë qendra e botës.
Madje, sipas gjasave, tani po spikaste qartë ajo që ky qytet prej vi tesh e kishte fshehur: pikërisht ëndrrën për t’u bërë, qoftë dhe për një herë të vetme, qendër e planetit.
Si çdo gjë kur teprohej, mu midis ngazëllimit ndodhi ajo që quhej ngrënia me sy. Në dalje të janarit, kur muaji shkurt sapo kishte hyrë, si vetëtimë e zezë ia behu lajmi i keq: Stalini s’do të vinte!
Pas mpirjes së parë, kur pas ëndrrës për të qenë në maje, qyteti po binte në gropë të botës, pyetjet binin si breshër: pse?
Ishte zemëruar, pa dyshim. Meqenëse shumica e bëmave shpjegoheshin me zemërimin, kjo ishe hamendja e parë. Ishte zemëruar, pa dyshim, me Gjirokastrën. A ndoshta me Shqipërinë. Për të mos thënë me krejt Europën.
Në vitin 1908, kur sulltani turk kishte shpallur mosardhjen, u deshën disa vite që të merrej vesh shkaku. Ishte pikërisht ai, për të cilin askujt nuk i kishte shkuar mendja: alfabeti. Sipas zyrës së sulltanit, pas flirtit shumëshekullor të shtetit osman me Shqipërinë, kjo e fundit, në mënyrë të pabesë, kishte zgjedhur për alfabet të saj, jo shkronjat turke, por ato latine!
Natyrisht Stalini ishte më i madh e më hije-rëndë se sulltani dhe i tillë, i madh e i rëndë plumb do të ishte pezmi i tij.
Dita 3042
Shkurt më i lig nuk mbahej mend. Java e parë e tij, në vend të mbyllej me një lajm disi zbutës ose, së paku, fare pa lajm, i trandi të gjithë me befasinë tronditëse: arrestimin e dy doktorëve, Gurametos së madh e Gurametos së vogël.
Kohë minus. Dita 3029
Nuk dihej cili e vuri re i pari e, aq më pak, kush e tha. Ditët jo vetëm kishin mbetur në vend, ashtu si nëntë vjet më parë, gjatë narkozës në spital, por rendnin me ngut mbrapsht.
Thuhej ç’nuk thuhej. Njëra prej të thënave ngulmonte se Stalini, në vend që të plakej, po rinohej, por shpikja tani për tani mbahej e fshehtë. Si rrjedhojë, koha po i përshtatej atij...Së shpejti, do të vinte jo viti 1954, por 1952, e kështu me radhë: 1949, 1939, 1937...
Po doktorët s’kishin asnjë lajm.