Operacionet, bllokohen 286 kg hashash e 300 gr heroinë, arrestohen 4 persona
Lënda narkotike kishte destinacion Greqinë. Origjina e hashashit, dyshohet Lazarati, ndërsa 65 dozat e heroinës kishin destinacion tregun vendas
Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është kapur dje në Sarandë, policia vë në pranga tre persona. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar të Sarandës bënë të ditur se paraditen e djeshme kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme hashashi, përkatësisht 286 kg kanabis sativa, ndërkohë që ka vënë në pranga tre persona që e transportonin atë. Nga të dhënat paraprake, sipas burimeve zyrtare të policisë së Sarandës, rezulton të jenë bllokuar 286 kilogramë hashash. Policia informoi se hashashi u sekuestrua gjatë një aksioni të policisë, në afërsi të qytetit Sarandës. Mësohet se një grup hetimor po punon për gjetjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe për zbulimin e origjinës së hashashit, i cili dyshohet se vinte nga Lazarati. Nga të dhënat e para hetimore, mësohet se destinacioni përfundimtar i lëndës narkotike të kapur ishte Greqia. Për këtë sasi janë arrestuar 29-vjeçari, Aleksandër Draçi, 32-vjeçari, Fetah Muhameti, 42-vjeçari, Arben Tahiraj, 51-vjeçari, Lavdërim Tozo, 42-vjeçari, Gramoz Tahiraj, të gjithë banues në rrethin e Delvinës. Arrestimi u bë në kuadrin e operacionit të koduar “Kundërpërgjigja e parë”, rezultat i një hetimi 1-mujor, në përfundim të të cilit u bllokuan dhe u sekuestruan edhe dy automjete që përdoreshin për trafikimin e lëndës narkotike drejt Greqisë. Gjatë këtij operacioni u bllokuan edhe një armë automatike model 56, një krehër me 22 fishekë, 5 aparate celulari dhe 30 mijë lekë. Pesë të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve pa leje”. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është duke u punuar nëpërmjet përgjimeve dhe zbardhjes së tabulateve telefonike që të identifikohen të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku.
Heroina
Policia e Vlorës arreston një shtetas të cilit i ka gjetur në zotërim 65 doza heroine. Arrestimi i Aleksandër Kacajt, 36 vjeç, është bërë nga policia e Vlorës gjatë një operacioni policie të koduar “Tregu i vetmuar”. Arrestimi i tij është bërë për shkak se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij është gjetur një sasi prej 293 gramë drogë e llojit heroinë, e cila ishte e ndarë në 51 doza, ndërkohë që 14 iu kapën duke i shpërndarë në qytet. Pas gjetjes së kësaj sasie droge, policia ka bërë shoqërimin dhe më pas ndalimin e 36-vjeçarit. Sipas policisë, e gjithë sasia ka qenë për t’u shpërndarë në tregun e brendshëm në qytetin e Vlorës. Për këtë person kishin nisur survejimet që më parë për të ndërhyrë në momentin e duhur për kontrollin në banesën e tij. Sipas burimeve për identifikimin e personit shpërndarës, janë infiltruar edhe agjentët. Materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit Vlorë për hetime të mëtejshme. Kacaj akuzohet për veprën penale të prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë. Po kështu, vijojnë hetimet edhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rrjet shpërndarës.