E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zia pa fund e vejushës Bernarda Alba

Të jetë gjithmonë e para, e nderuara, e respektuara, e virtytshmja. Ky është parimi mbi të cilin Bernarda Alba ka ndërtuar jetën e saj dhe të pesë vajzave.


Tregon rreth personazhit kryesor të dramës "Shtëpia e Bernarda Albës" së Federìco Garcìa Lorkas, aktorja e re Armela Demaj. Pjesa me regji të Alma Hotit konkurron në Javën Teatrore të të Rinjve


Aktorja e quan të papërgjegjshëm stafin e TK-së që shkaktoi prerjen e finales

"Nuk dua të qara. Duhet parë vdekja në sy. Lajmëroni të bien kambanat. Vajza e vogël e Bernarda Albës vdiq e virgjër. Dëgjuat?". Këto fjalë nuk mundi t'i thoshte aktorja Armela Demaj, në rol Bernarda Alba, dy net më parë në shfaqjen "Shtëpia e Bernarda Albës" të Federìco Garcìa Lorkas (La casa de Bernarda Alba, 1936) me regji të Alma Hotit.


Pak para se Demaj të shpërthente në monologun final të shfaqjes, një pakujdesi në ndriçim, i la publikut të merrte me mend fundin dhe u reagua me duartrokitje, duke krijuar një ngërç emocional i vështirë për t'u përballuar nga aktorja.


Një gjë e tillë nuk ndodhi gjatë rreth 2 orëve të shfaqjes, ku dialogu, veprimet, lëvizjet dhe loja e aktoreve Elona Hyseni, Cubi Metka, Olta Haziraj, Marsela Lenaj, Klodiana Keco, Denalda Teli dhe Adriana Tolka funksionoi si një ansambël, duke marrë nga publiku një vëmendje të natyrshme, jo të sforcuar.


Vetë historia që poeti dhe dramaturgu spanjoll Lorka ka shkruar dy muaj përpara ekzekutimit të tij në Granada, 1936, është një tekst dramaturgjik me tension të lartë. Pas vdekjes së burrit të dytë, 60-vjeçarja Bernarda Alba vendos të mbajë zi tetë vjet bashkë me 5 vajzat e saj.


I vetmi lëshim gjatë kësaj kohe i nënës tirane është fejesa e vajzës së madhe Angustia, 39 vjeçe, me Pepe Romanin, i dashuruar vetëm pas prikës së vajzës. Të tërhequra nga i vetmi mashkull që i ishte afruar aq pranë shtëpisë, vajzat e Bernardës çlirohen nga kthetrat torturuese të moralit, joshen dhe janë xheloze për njëra-tjetrën.


Fundi tragjik i vajzës së vogël, Adelës, e vetmja që mori guximin për ta kundërshtuar, e përball Bernardën me moralin që për vite kishte mbrujtur.


Tregon rreth asaj çka është njerëzore dhe çfarë e diktuar rreptësisht në karakterin e personazhit të nënës, aktorja Armela Demaj.


Armela, përse shfaqja e së dielës e humbi finalen?


Për shkak të papërgjegjshmërisë së stafit të Teatrit Kombëtar, pa dashur t'i vë gishtin askujt dhe të akuzoj askënd. Është e dhimbshme që një prodhim i të rinjve që e duan teatrin, me përgjegjësi të madhe për të vënë në skenë "Shtëpia e Bernarda Albës" t'ju pritet në mes shfaqja.


Aq më tepër në një konkurs të regjisorëve dhe artistëve të rinj. Është keqdashje dhe mosrespekt, qoftë ndaj aktorëve, të cilët janë duke interpretuar, ndaj regjisores dhe stafit që ka punuar, por sidomos ndaj publikut, i cili me dashamirësi ka ardhur për të parë një shfaqje dhe ngeli pa e marrë shijen deri në fund. Ajo që mua më vjen keq nuk është fakti që personi, i cili e krijoi këtë konfuzion arriti në këtë pikë, por që Teatri Kombëtar nuk reagon kundrejt kësaj.


Duket sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk merret asnjë lloj mase, qoftë një tërheqje vëmendjeje për të rritur përgjegjësinë e këtyre njerëzve, të cilët marrin përsipër të drejtojnë me duart e tyre të "arta" një shfaqje teatrore. Kjo gjë do të ndodhë edhe nesër, edhe pasnesër, ndoshta në përmasa edhe më të mëdha.


Çfarë nuk mundi të thoshte Bernarda?


Ishte pikërisht momenti kulmor, kur pas vdekjes së vajzës, ajo thyhet, gjunjëzohet përpara këtij fakti. Ajo nuk është më ajo e para, nuk është më gruaja e pushtetshme që i ka të gjitha nën kontroll.


Pikërisht këtë skenë nuk pa publiku, nuk i erdhi thyerja e personazhit, disfata e saj, zia e përjetshme që pllakosi këtë familje. Pa marrë parasysh në ç'gjendje kanë ngelur aktorët, publiku mbeti në mes të rrugës, kanë ikur me një pyetje në kokë: "Çfarë i ndodh Bernardës pas vdekjes së vajzës?".


Sa kohë u përgatite për rolin?


Puna filloi që në fillim të shtatorit. Premiera ka qenë më 11 dhe 12 tetor. Tani ishte shfaqja e katërt, duke llogaritur edhe shfaqjen e Shkodrës. Është një personazh shumë i vështirë, por njëkohësisht magjik. Nga jashtë është një grua e pushtetshme, e fortë, aspak tolerante ndaj fenomeneve të shoqërisë dhe aq më pak të lejojë që këto të ndodhin brenda familjes së saj.


Kurse brenda vetes, ajo ka luftuar shumë për të pranuar parimet fetare dhe shoqërore. Edhe ajo ka pasur ndjesitë e veta. Ka dashur që vajzat e saj të jenë të lumtura, që ajo vetë të jetë e lumtur, të shijojë jetën, si të gjithë, por gjithmonë është përballuar me vështrimin dyshues të shoqërisë.


Duke marrë parasysh edhe vuajtjet e saj gjatë pranimit të këtyre kushteve, dalëngadalë, është shndërruar për së jashtmi në një njeri të fortë, në një njeri të guximshëm dhe të pathyeshëm.


Si i shpërfytyron pushteti njerëzit?


I jep një veshje robotike. Nga jashtë nuk ndihen ndjesitë humane të atij personi, keqardhja, dashuria, por brenda, ajo është nënë, ka pesë vajza. Ka provuar dy herë ndjesinë e të qenit femër dhe disa herë të nënës.


Bernarda është një femër plot me ndjesi, por shoqëria, e përkthyer sipas saj, kërkon që njerëzit të jenë tepër të rregullt, të sjellshëm, të edukuar dhe strikt ndaj parimeve të fesë katolike. Ajo këtu është rritur. Lorka e ka shkruar këtë vepër në vitin 1936.


Kështu ajo ka harruar të jetë nënë?


Një nënë e merr të mirëqenë dashurinë që u fal fëmijëve të saj dhe balancat prishen kur mendohen qëllime më superiore se kaq. Bernarda nuk e ka vënë ndonjëherë në dyshim dashurinë që ka për vajzat e saj dhe atë që ato përthithin nga nëna.


Por, ajo i ka vënë vetes një qëllim më superior, duke lënë paksa në heshtje shpërfaqjen e dashurisë. Qëllimi superior është ruajtja e moralit dhe e paraqitjes përpara shoqërisë. Ajo nuk do që shtëpia e saj të jetë një shtëpi, të cilën ta tregojnë me gisht, të jetë familja e dytë në atë shoqëri dhe e ka bindje këtë.


Të jetë gjithmonë e para, gjithmonë e nderuara, e drejta, e respektuara, e virtytshmja. Për këtë arsye edhe pas vetëvrasjes së Adelës, vajzës së vogël, ajo tha "Vajza ime vdiq e virgjër", edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë.


Ku e gjeje gjuhën me Bernardën?


Një pjesë e karakteristikave të saj ndodhet edhe brenda meje. Në njëfarë mënyre unë e kam pasur nuhatjen më të lehtë për të arritur aty ku duhej. Nisur nga karakteri im e kisha më të lehtë për të gjetur tiparet e rreptësisë, egërsisë, që brenda meje janë të minimizuara, por kam ditur t'i rris me kalimin e kohës, gjatë periudhës që punova me rolin dhe i finalizova aty.

Po dramaturgjia e Lorkës ndihmonte apo vështirësonte punë?


Duke qenë një autor spanjoll, "vuan" nga i njëjti temperament me ne, në kuptimin e shpërthimeve të brendshme emocionale, individuale dhe trysnisë shoqërore. Për pasojë, gjuha që atij i lind për të përdorur, shpërfaq më së miri edhe sjelljen e personazheve në ambientin që i rrethon. Përdor një gjuhë të thjeshtë në dukje, por që sjell si brenda edhe jashtë revoltën edhe brishtësinë që e karakterizon individin në përballje me shoqërinë.

Role të tjera që të është dhënë mundësia të luash?


Para tre vjetësh, po përsëri te Festivali i Regjisorëve të Rinj kam qenë në rolin e mjekes te "Mbreti po vdes" me regji të Inida Gjatës. Bernardën, e kam interpretuar edhe në vitin e tretë të shkollës.


Ndjej se tani personazhi është pjekur brenda meje gjatë gjithë kësaj kohe. Kam qenë në korin e shfaqjes "Trojanet" që është vënë vjet me regjisor Vangelis Theodoropoulosin. Si asistente regjisore kam marrë pjesë te "Medea" dhe tek "Antigona" me regji të Mikel Kalemit.


Me role të mëdha kam provuar gjatë periudhës së shkollës, "Medea" e Euripidit dhe "Klitimestra" e Sofokliut, me profesor Mehmet Xhelilin.

Ke studiuar regji në Akademinë e Arteve. Mendon se fillimisht duhet provuar me aktrimin?


Kjo të ndihmon të hysh më thellë në psikologjinë e aktorit, që në momentin kur je regjisore të dish si të veprosh me të. Arrin të analizosh më thellë.

A është festivali i të rinjve mundësi e mirë për të treguar veten?


Simbolikisht duhet të jetë kështu, është një vend dhe një mundësi e mirë që u jepet të rinjve për të shpërfaqur veten. Por, nga ana tjetër ka shumë probleme, për sa i përket bashkëpunimit të Teatrit Kombëtar me këta artistë të rinj, të cilëve u jepet mundësia për ta realizuar një prodhim artistik dhe çdo sekondë u cenohet hapësira e tyre artistike nga probleme qesharake.


Nuk më takon mua të flas, sepse jam aktore në këtë edicion të festivalit, por kam dëgjuar nga të gjithë regjisorët që marrin pjesë në këtë konkurs që vështirësitë e tyre janë kolosale. Iu akordohet një fond relativisht i vogël për realizimin e një shfaqjeje.


Ne jemi të kënaqur, sepse na jepet mundësia, por nga ana tjetër, ky fond nuk mjafton për asnjë gjë, madje as për kostumet. Ai shpërndahet gjithandej dhe rezultati është që secili zbraz xhepat e tij për të realizuar shfaqjen dhe kjo ndodh vetëm edhe vetëm, sepse dashuria jonë për teatrin është shumë e madhe.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›