Arrestohet oficeri që ndihmonte Dajtin
Prokuroria e Krimeve të Rënda, urdhëroi vënien e prangave inspektorit të policisë së Durrësit dje në mesditë në fund të pyetjes së tij
Një ditë më parë ishte marrë masa e arrestit në mungesë. akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa dyshohet se i siguroi dokumentet e policisë Dajtit
TIRANË- Akuzohet si i lidhur me Dritan Dajtin, Prokuroria e Krimeve të Rënda arreston në zyrat e saj, oficerin e policisë Mariglen Muça, inspektor i sektorit të vjedhjeve që mbulonte zonën e plazhit në qytetin e Durrësit.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe vetë zyrtarëve të institucionit të akuzës, të cilët mesditën e djeshme urdhëruan agjentët e policisë të prangosin kolegun e tyre Muça.
Ndaj tij një ditë më parë ishte marë masa e arrestit në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së prokurorisë. Ndaj tij, hetuesit Krimeve të Rënda, kanë ngritur akuzën e "Shpërdorimit të detyrës", e cila sipas prokurorisë, është konsumuar nga i arrestuari Muça gjatë kohës që ai kryente detyrën e efektivit të policisë në zonën e plazhit, ku edhe kishte gjetur strehim prej kohësh i shumë kërkuari Dritan Dajti dhe kunati i tij Ergest Xhoxhi.
Madje ky i fundit, sipas akuzës, ishte edhe personi i kontaktit mes efektivit të policisë Muça dhe të shumë kërkuarit Dritan Dajti, që mesditën e 7 gushtit të këtij viti gjatë një aksioni për arrestimin e tij vrau katër oficerë të policisë.
Burime nga prokuroria, pohojnë se prej tre muajsh inspektori i zonës së plazhit Muça po hetohej prej tyre ndërsa mëngjesin e djeshëm ishte vendosur që ai të merrej në pyetje.
Veprimi i djeshëm ka ardhur pas zbardhjes së të gjitha telefonatave, që i arrestuari i djeshëm Muça kishte me kunatin e shumë të kërkuarit Dajti, të cilët dyshohet se i ka furnizuar edhe me dokumentet e falsifikuara të policisë. "Pasditen e të dielës është marrë kontakt me oficerin Mariglen Muça, duke lënë takim për ditën e sotme (dje) në orën 9:00.
Ai është thirrur për të dhënë shpjegime. Për më tepër se katër orë rresht, inspektori Muça ka dhënë deklarime, duke shpjeguar të gjitha rastet e takimit dhe komunikimit mes tij dhe Erges Xhoxhit. Fillimisht i arrestuari është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen nga prokurorët Ardian Nezha dhe Eugen Beçi.
Më pas ai është pyetur në cilësinë e personit nën hetim dhe në fund me cilësinë e të pandehurit, pasi i është komunikuar akuza dhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit me kërkesë të prokurorisë, kishte vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë"-thuhet nga burimet e prokurorisë.
I arrestuari: Nuk kam lidhje me Dritan Dajtin
Oficeri i arrestuar, që mbulonte zonën ku banonte dhe strehohej prej kohësh Dajti pranë plazhit të Durrësit, ka mohuar akuzën duke pretenduar se nuk kishte lidhje me të pandehurit."Unë nuk kam pas lidhje me Dritan Dajtin.
Atë nuk e kam njohur, por, vetëm Ergest Xhoxhin e njihja. Njohja me të ka qenë për shkak se dëshironte të blinte një motor që kisha unë dhe nuk e kisha idenë se është kunati i Dritan Dajtit"-mësohet se ka thënë ndër të tjera Muça para prokurorisë.
Ndërkohë, prokurorët konfirmuan se prej kohësh është provuar se i pandehuri tashmë i arrestuar Muça ka qenë personi që e ka ndihmuar Xhoxhin dhe Dajtin për dokumentet e identifikimit të policisë, që më pas rezultuan se ishin fals. Përveç këtyre të dhënave, sipas akuzës, inspektori Muça duke ditur që shtetasi Dritan Djati ishte person në kërkim ai nuk kishte lajmëruar eprorët apo ndonjë sektor tjetër për të kryer arrestimin e tij.
Dyshohen për lidhje me Dajtin, pyeten katër kolegë të Muçës
Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përveç marrjes në pyetje dhe më pas arrestimit të Mariglen Muçës, mësohet se ka pyetur dhe është duke hetuar edhe katër efektivë të tjerë të policisë, si persona që flisnin rregullisht me kunatin e Dritan Dajtit, Ergest Xhoxhi.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokurorët e çështjes, Eugen Beçi e Ardian Nezha, kanë marrë në pyetje me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen edhe një inspektor tjetër të qytetit të Durrësit, një oficer policie të Komisariatit të Krujës, një oficer të policisë në Dibër dhe një tjetër në Gjirokastër. Mësohet se të katër këta oficerë të policisë, janë shprehur se njohja mes tyre dhe Xhoxhit ka qenë kolegu i tyre Mariglen Muça, që tashmë është marrë i pandehur.
Sipas prokurorisë, katër efektivët e policisë janë shprehur ndër të tjera se "ka qenë kolegu Mariglen Muça që na ka prezantuar me Ergest Xhoxhin dhe ka qenë po ai që na ka rekomanduar të kontaktonim me Ergest Xhoxhin për ndonjë gjë".
Operacioni i 7 gushtit dhe vrasja e 4 policëve
Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Dritan Dajti ndodhi mesditën e 7 gushtit 2009, pranë pistës "Iliria" në plazhin e Durrësit. Agjentë të skuadrës speciale operacionale që mbanin nën vëzhgim të shumëkërkuarin Dajti, u hodhën në veprim duke tentuar t'i vënë prangat.
Por, i kërkuari u përgjigj me plumba duke ekzekutuar Fatos Xhanin, shefin e skuadrës së operacioneve speciale, Saimir Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskon. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë dhe Ledion Mara, që ndodhej pak metra larg makinës së Dajtit, i cili sapo kishte zbritur.
Sipas vendimeve të Gjykatës, i dënuari Dajti akuzohej dhe është dënuar në vitin 2003 për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj, pronari i "Besa Construksion" në vitin 1999. Në ditën e operacionit për kapjen e tij nga shkëmbimi i zjarrit Dajti mbeti i plagosur me tre plumba dhe u paralizua në këmbën e majtë.
*****************************
Dajti në mjekim në Spitalin e Burgjeve
Që prej ditës së arrestimti të tij pasditen e 7 gushtit pas vrasjes së katër efektivëve të Njësisë Operacionale, Dritan Dajti, njeriu me të cilin supozohet se ka pasur lidhje Mariglen Muça, ka qëndruar në ambientet e Spitalit të Burgjeve.
Që prej më tepër se tri muajsh Dajti, është izoluar në këtë ambient, për shkak të disa plagëve të marra prej tij në trup, gjatë kësaj ngjarjeje. Pak javë më parë ai u transferua nga Qendra Spitalore e Burgjeve, në drejtim të burgut në rrugën "Mine Peza", ose siç njihet me emrin e vjetër burgu 302.
Ky transferim ishte kryer me argumentin se ishte ngushtuar ambienti i qëndrimit pas rikonstruksionit të ambienteve, ndërsa dyshohet se arsyeja e vërtetë e transferimit të tij kishte të bënte me përmirësimin e gjendjes së të arrestuarit. Pas kësaj lëvizjeje, reagoi familja e Dajtit, duke pretenduar se atë donin ta vrisnin.
Vetë i akuzuari u fut në grevë urie për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor dhe pamundësisë që ai të ushqehej apo të kryente nevojat më minimale të nevojshme për jetën. Pak ditë më vonë ai u rikthye në ambientet e Qendrës Spitalore të burgjeve.
Dosja
Drejt përfundimit të hetimit dosja e vrasjes së katër policëve
Pas më tepër se 3 muaj e gjysmë hetimi, për vrasjen e katër efektivëve të Njësisë së Operacioneve Speciale të Policisë së Shtetit, dosja në ngarkim të Dritan Dajtit duket se është drejt përfundimit.
Një fakt i tillë pohohet ng burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilët pohojnë se hetimi ndaj Dajtit, është thuajse i mbaruar duke qenë se janë përfunduar pjesa më e madhe e veprimeve procedurale. Kështu marrja e deklarimeve dëshmitarëve të ngjarjes, gjetja dhe sigurimi i provave që hedhin dritë mbi ngjarjen e shtatë gushtit të këtij viti në zonën e plazhit të Durrësit.
Gjatë kësaj kohe, oficerët e hetimit dhe prokurorët e Krimeve të Rënda, kanë kryer një volum të konsiderueshëm veprimesh hetimore në marrjen e deklarimeve personave të ndryshëm që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së shtatë gushtit të këtij viti etj.