E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zidane ëndërron Realin

Legjenda franceze Zinedine Zidane ka bërë të ditur se do të dëshironte që një ditë të drejtonte Real Madridin dhe ka lavdëruar ndikimin e yllit, Cristiano Ronaldo. Zidane, i cili tani punon si këshilltar i presidentit të Realit, Florentino Perez, ka pranuar se është i kënaqur me rikthimin në Bernabeu, shtatë muaj më parë.

“Është kënaqësi e madhe të punohet me Florentino Perezin, i cili dëshiron të krijojë histori me një ekip të ri. Tani, jam duke mësuar dhe Florentino më ka dhënë liri të mësoj të gjitha aspektet e Madridit. Ëndrra ime është që një ditë të jem trajner i ekipit”, deklaroi Zidane.

Fituesi i Kampionatit Botëror 1998 lavdëroi ndikimin e përforcimit më të shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo (94 milionë euro), shumë e cila e theu rekordin e tij pas kalimit nga Juventus në Real, për 78 milionë euro në 2001.

“Ai më fascinon si futbollist dhe më befason se si është adaptuar aq shpejt në futbollin spanjoll. Mendoj se është futbollist i veçantë, për shkak të besimit të tij të cilin e ka sjell edhe në ekip. Është e jashtëzakonshme, ajo që tashmë ka arritur Cristiano, në këtë moshë”, shtoi Zidane.

Ish-plejmejkeri francez ishte konsideruar futbollisti më i mirë i gjeneratës së tij, ndërsa lavdëroi edhe rivalin e Realit, Barcelonën dhe futbollistin më të mirë në botë, për vitin 2009, Lionel Messi.

“Më pëlqen shumë Iniesta për ndjenjën e lojës kolektive. Por, Messi është i veçantë dhe është i vetmi. Kur ai e merr topin, të gjithë janë të sigurt se çka do të ndodh, topi do të përfundojë në portën kundërshtare” vazhdoi ai.

Zidane luajti rol të rëndësishëm në triumfin e Francës në Kampionatin Botëror 1998, duke shënuar dy gola në fitoren 3-0 kundër Brazilit, në finale. Por, “Zizou” beson se kampioni evropian nga viti 2008, Spanja është favorit për Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut.

“Gjithmonë kam thënë se ata do të jenë kampion. Më pëlqen mënyra e lojës së tyre. Më kujtojmë Francën e Euro 2000 që u shpall kampion. Do të jetë vështirë të ndalen”, përfundoi Zidane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›