E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Sneijder

Erdhi në klub në fillim të këtij sezoni, por menjëherë u bë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme. Mungesa e tij vërehet gjithmonë në lojën e ekipit, ndërsa kur ai gjendet në fushë, fitoret janë më të lehta.

Wesley Sneijder, deri më tani, gjatë këtij sezoni ka qenë njëri prej futbollistëve kryesorë të Interit, derisa Nerazzurrët janë lider në Serie A dhe ndjekin objektiva të tjera të rëndësishme.

Reprezentuesi holandez ishte në qendër të vëmendjes, javën e kaluar, në rikthimin sensacional në ndeshjen kundër Sienas, ku fituan 4-3, ndërsa ai shënoi dy gola, të dy nga goditjet e lira.

Por, Sneijder ka insistuar se nuk është “mbret i goditjeve të lira”, siç cilësohet nga mediat italiane. Ndërsa sa i përket objektivave kryesorë, ai synon të fitojë Ligën e Kampionëve, këtë vit.

“Nuk jam mbret. Nuk duhet tepruar. Por, jam në formë të mirë, falë Interit, klub ku e kam gjetur veten shumë mirë”, tha Sneijder, për të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport.

I pyetur nëse është duke kaluar periudhën më të mirë në karrierë, 25-vjeçari u përgjigj: “Ndihem shumë mirë. Jam duke kaluar një periudhë të shkëlqyeshme dhe dua të kënaqem deri në fund. Do të doja të fitoj Ligën e Kampionëve, sa më parë. Madje, këtë vit”.

Duke kthyer vëmendjen tek kjo fundjavë, Sneijder ka dhënë mendimin e tij për Barin, ekipin që ka befasuar me rezultate gjatë këtij sezoni në Serie A. “Bashkëlojtarët e mi më kanë thënë se ata janë shumë të fortë, kur luajnë në shtëpi. Nuk kam luajtur në ndeshjen e parë kundër tyre, në fillim të sezonit, pasi ende nuk kisha ardhur në klub, por kam kuptuar se janë ekip i mirë”, u shpreh ai.

Sneijder ka insistuar se nuk frikësohet nga rivali kryesor për titull, Milan por edhe asnjë ekip tjetër në Serie A.

“Nuk kam frikë, as nga Milan e as nga ndonjë klub tjetër. Ronaldinho është futbollist i mirë dhe e respektoj, ashtu siç e respektoj Milanin. Si fëmijë kam adhuruar Van Bastenin, Gullitin dhe Rijkaardin. Ata kanë qenë idhujt e mi. I kam përcjell në televizion dhe i thoja vetes: ‘Një ditë dua të bëhem si ata’. Ëndrra ende nuk është realizuar”, përfundoi Sneijder.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›