E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë, burg përjetë 35-vjeçarit

Arjan Çelaj dyshohet për vrasjen e 3 personave, mes të cilëve dhe një 18-vjeçar, në janar të 2010 në qytetin e Durrësit. Ende të paqarta motivet e vrasjes së trefishtë

Burg përjetë ka dhënë dje Gjykata e Durrësit për të akuzuarin për vrasjen e trefishtë të ndodhur në këtë qytet në janar 2010, Arjan Çelaj. Ai u arrestua në fundjanarin e vitit 2010 në qytetin e Vlorës si i dyshuari kryesor për vrasjen e Luan Currit, 43 vjeç, Ani Currit, 18 vjeç dhe Edmond Shemsit, 49 vjeç, në lagjen 9 të qytetit bregdetar.

Çelaj ka mohuar gjatë gjithë kohës së gjyqit krimin, por sipas gjykatës provat e gjetura në vendin e ngjarjes, gjurmë gishtërinjsh, si dhe dëshmitarët e kanë vërtetuar krimin e 35-vjeçarit. Trupi gjykues i kryesuar nga Ervin Metalla vendosi ta shpallë “fajtor të pandehurin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy ose më shumë personave, si dhe për armëmbajtje pa leje”. Arjan Çelaj,i njohur dhe me emrin Edion, do ta vuajë dënimin që i nis që nga dita e arrestimit në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa mbrojtja mendohet se do ta apelojë vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.

Ndalimi i autorit të dyshuar Arjan Çelaj u krye në qytetin e Vlorës, pas një operacioni të organizuar nga policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Vlorës. Ai u arrestua si vrasës me pagesë ndërsa u dënua se në 27 janar 2010 është futur në një lokal në katin e parë të një pallati në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit. Ai në kokë kishte një kapuç të zi, ndërsa ishte i armatosur me një automatik tip kallashnikov. Ka drejtuar armën në një tavolinë ku ndodhej Luan Curri, i cili ishte ulur me Edmond Shemsin, duke goditur me breshëri. Plumbat kanë prekur edhe nipin e tij 18-vjeçar, Ani Curri, i cili ndodhej në tavolinën e kompjuterave. Për pasojë, të tre kanë marrë plagë të rënda të shkaktuara nga arma e zjarrit. Më pas, autori i ngjarjes, për të cilën gjykata dënoi Çelën, është larguar me shpejtësi, ndërsa ka hedhur në tokë armën me të cilën ka kryer krimin.

Klientët e tjerë të lokalit, të shokuar, janë përpjekur t’u japin ndihmën e parë viktimave, duke i dërguar në spitalin e qytetit, por plagët e marra dhe humbja e gjakut u kanë shkaktuar që të treve të sulmuarve vdekjen. Çelaj është zbuluar nga gjurmët e gjetura në armët e krimit dhe dëshmitë që e lidhën atë me ngjarjen. Ai ndërkohë nuk ka treguar se cili ishte bashkëpunëtori i tij në këtë krim, ndërsa ka mohuar autorësinë. Sipas akuzës, Çelaj natën e krimit pasi ka qëlluar ndaj tri viktimave, është larguar me një motoçikletë tip “Yamaha” ku atë po e priste një tjetër person dhe më pas janë larguar. Muaj më vonë persona ende të panjohur vranë edhe djalin e Luan Currit, Mario Curri që u ekzekutua ndërsa ecte në rrugë, ngjarje për të cilën ende nuk ka autorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›