Zimbabve, situatë e vështirë nga kolera
OKB thotë se numri i të vdekurve nga kolera vazhdon të rritet
Ambasadori amerikan në Zimbabve, James McGee ka paralajmëruar se vendi është duke u kthyer me shpejtësi në një shtet të dështuar. Duke folur në Uashington, zoti McGee fajësoi autoritetet për shpërthimin e kolerës në Zimbabve, krizën politike dhe politikat e dështuara ekonomike të qeverisë së saj. Ai tha se spitalet në kryeqytetin Harare, mbeteshin të mbyllura, plehrat nuk mblidheshin dhe njerëzit ishin duke pirë ujë prej kanaleve.
Presidenti Robert Mugabe tha më parë se qeveria e tij kishte mundur ta mbante në kontroll epideminë. Por shoqata e bamirësisë, Save the Children, tha se situata po përkeqësohej. Nga epidemija e kolerës në vend kanë vdekur deri tani gati 800 vetë. Shifrat e fundit nga OKB-ja tregojnë se numri i vdekjeve vazhdon të rritet. Drejtori i Përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë në Afrikën e Jugut, Thami Mseleku, e përshkroi epideminën si të papreçedent. "Ne kemi një sfidë të kolerës të një shkalle të madhe në Zimbabve." "Megjithatë në Zimbabve ka patur probleme me kolerën si edhe në vende të tjera dhe ata kanë mundur ta përballojnë situatën." "Por kjo e fundit është e një shkalle të paprecedent dhe është duke prekur shtetet fqinje dhe Afrika e Jugut është njëra prej tyre," tha zoti Mseleku.