E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër propozim: Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore

Shkup - Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) bën apel për hapjen e debatit publik në lidhje me emrin e ri të Maqedonisë. Partia del me propozimin që emri i ri i shtetit të jetë “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore”, propozim të cilin e arsyeton me disa fakte. Sipas të përditshmes shqiptare në Maqedoni, Lajm, “Ky emër do të mbulonte toponiminë reale të kësaj hapësire gjeografike, do të integronte komponent të dy etnive që përbëjnë shumicën e popullsisë se këtij shtetit, nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se një numër i madh i shteteve anëtare të OKB-së kanë emra të kësaj natyre dhe figurimi i toponimit ‘Shqipëri’ në emërtimi nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se kemi një sërë shtetesh, anëtare të OKB-së, që kanë në emrin e tyre toponimin e njëjtë”, tha Bardhyl Mahmuti, kryetari i kësaj partie.

BDSH u bën apel të gjitha medieve që të hapin një debat publik rreth këtyre çështjeve ku intelektualët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët do të mund të jepnin mendimet dhe kontributet e tyre për të gjetur një konsensus minimal rreth këtyre çështjeve. Po ashtu BDSH u bën apel të gjitha forcave politike shqiptare që të organizohet një tryezë për harmonizimin e pikëpamjeve me qëllim që të dalin me një qëndrim që emri i ri i shtetit të marrë parasysh komponentë edhe të identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore. “Ne si parti e konsiderojmë si të domosdoshme harmonizimin e qëndrimeve dhe me një zë unik t’u drejtohemi negociatorëve ndërkombëtare dhe institucioneve euro-atlantike për heqjen e diskriminimit që nga emërtimi i shtetit e deri te të gjitha institucionet shtetërore e publike në këtë shtet”, tha Mahmuti, citon Lajm. Bashkimi Demokratik Shqiptar mendon se shqiptarët nuk duhet të ngelin rob të realitetit të hidhur historik të komunitetit maqedonas dhe të fundosen në anijen e përbashkët me ato. Sipas kësaj partie një emër i cili do përmbante komponentët e shqiptarëve të Shqipërisë Lindore do ishte hap i duhur drejt integrimit të Maqedonisë në strukturat e NATO-s dhe BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›