Identifikohet kufoma, i përkiste një 72-vjeçari
ELBASAN-Një ditë pas gjetjes së kufomës policia ka bërë të mundur identifikimin. Ai është bërë pas interesimit të vetë familjarëve. Trupi i pajetë i gjetur një ditë më parë në afërsi të shinave të trenit i përket shtetasit Alush Bajrami, 72-vjeç, banues në lagjen "Dyli-Haxhire" të qytetit të Elbasanit. Mësohet se i moshuari ishte larguar po atë ditë nga shtëpia dhe mendohet se shkaqet e vdekjes janë natyrale. Të moshuarit nuk i janë gjetur shenja dhune në trup megjithëse është kërkuar këqyrja dhe ekspertiza e kufomës nga ana e mjekësisë ligjore. B.N
Fier, gjendet i vdekur shoferi i kamionit
FIER- Policia e Fierit ka arritur në konkluzionin se drejtuesi i mjetit tip kamion, që u gjet i pajetë pas mesditës së djeshme, ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore. Nëndrejtori i policisë së qarkut të Fierit, Artan Cuku, tha dje se "Rrapo Rrapaj, që u gjet i pajetë në karrocerinë e kamionit të tij, me targë PR 1634 B, ka ndërruar jetë për shkak të infarktit". Kamioni i viktimës u gjet i parkuar në anë të rrugës në afërsi të fshatit Mbyet, në rrugën Fier- Ballsh.
Gjirokastër, ngushëllime për kryepeshkopin
Gjirokastër-Konsullata greke në Gjirokastër ka hapur dyert për të pritur ngushëllime për vdekjen e kryepeshkopit. Gjatë ditës së djeshme, drejtues të pushtetit vendor, prefekti i qarkut, Spiro Ksera, kryetari i bashkisë, Flamur Bime, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Hysni Burgaj, drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, Vasil Valera, kryetari i OMONIA-s Jani Jani dhe mjaft banorë kanë qenë të pranishëm në ambientet e konsullatës dhe kanë shkruar në librin e ngushëllimeve. Konsulli i akredituar në Gjirokastër, Kristo Mandellos, e ka cilësuar këtë akt si repsekt ndaj kombit grek. "Shteti grek është në zi kombëtare për humbjen e kryepeshkopit, vlerat dhe vepra e të cilit do të kujtohen edhe në kohët moderne. Prania e sotme e mjaft drejtuesve në Gjirokastër është një akt respekti ndaj kombit grek",- ka theksuar Mandellos për mediat. Ceremonia e pritjes së ngushëllimeve në këtë seli do të vazhdojë edhe përgjatë dy ditëve të ardhshme.