Zjarr në Peshtan të Fierit, MM: Të gjithë të tregohemi të kujdesshëm!

Në orën 16:00 të së premtes një vatër zjarri u shfaq në zonën e njohur si “Pylli me pisha” në Peshtan të Fierit.
Banorët e zonës njoftuan menjëherë Shërbimin Zjarrfikës, i cili mobilizoi më shumë se 25 efektivë, për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe shuarjen e tyre, por situata ishte shumë e vështirë.
Ministria e Mbrojtjes rreth orës 19:00 vendosi që të ndërhyjë nga ajri, me qëllim shuarjen e vatrës së zjarrit.
Ministri Niko Peleshi njoftoi se një helikopter shkoi në ndihmë të shërbimit zjarrfikës për shuarjen e flakëve në zonën e pyllëzuar në Peshtan.
Përmes një postimi në rrjetin social, Peleshi u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes, të raportojnë në kohë vatrat e vogla për të shmangur përhapjen në zona më të mëdha.
Sipërfaqja e gjelbër ku ka rënë zjarri ka pisha dhe dushk, ç’ka e bën të vështirë ndërhyrjen, por edhe shuarjen e flakëve.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies se flakëve, ndërkohë që në këto ditë me temperatura të larta rreziku nga zjarret është shumë i madh.
/ rtsh /