E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në Rrile të Lezhës, digjet plotësisht banesa, dyshohet shkëndijë elektrike

Një banesë njëkatëshe është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në fshatin Rrile të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë grupet hetimore të Policisë së Shtetit dhe specialistët e Shërbimit Zjarrfikës po punojnë për përcaktimin e plotë të shkaqeve.

Banesës, në pronësi të shtetasit Ndrec Rrushaj, iu shkaktuan dëme të mëdha materiale, pasi zjarri shkrumboi të gjitha orenditë dhe pajisjet brenda saj. Fatmirësisht, anëtarët e familjes kanë arritur të dalin në kohë nga banesa dhe nuk ka persona të lënduar.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse nuk mundi të parandalojë djegien e plotë të godinës, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›