Zjarr në magazinë në Shkozet, mbetet pa energji një pjesë e Durrësit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu këtë pasdite një magazinë në unazën e Shkozetit ka lënë një pjesë të mirë të Durrësit pa energji elektrike.
Mediet raportuan se zjarri dyshohet se është shkaktuar pasi, për shkak të temperaturave të larta, janë këputur dy kabllo të tensionit të lartë të energjisë elektrike, të cilat dyshohet se kanë rënë mbi magazinë.
Objekti u përfshi nga flakët, teksa raportohet se në zonë ka pasur edhe shpërthime.
Në vendngjarje zjarrfikës dhe forca policie dhe po punohet për shuarjen e zjarrit që kërcënon e 2-3 banesa pranë objektit në flakë.
Si pasojë e tymit të dendur që ka përfshirë zonën, qarkullimi i mjeteve në unazën e Durrësit, Shkozet-Plepa është vështirësuar ndjeshëm. Në zonë janë 6 mjete zjarrfikëse.
/r.e/