Lufta kundër kanabisit, Proda: 203,960 bimë të asgjësuara gjatë 10 muajve të 2025. Qarku i Shkodrës, zona me risk më të lartë

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjatë një konference të përbashkët me homologët italiane dha detaje mbi aksionet e zhvilluara për luftën kundër kultivimit të kanabisit në vend.
Proda deklaroi se janë asgjësuar 203,960 bimë kanabis gjatë dhjetëmujorit të 2025-ës, ndërsa veçoi Shkodrën si qarku me riskun më të lartë për kultivimin e kanabisit.
“Nga total i bimëve të asgjësuara gjatë dhjetëmujorit të 2025 është 203,960 bimë kanabis, nga të cilat 106,894 bimë nga monitorimi ajror dhe 97,066 bimë nga kontrollet në terren. Qarku i Shkodrës mbetet zona me risk më të lartë, me 105,591 bimë të asgjësuara“, tha ai.
Sipas Prodas, deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217,119 kontrolle, të realizuara në 330,431 orë shërbimi, duke përfshirë serra, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura.
Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje, ndërsa sistemi elektronik GIZ Narkotik ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit. Ndihmesë e madhe erdhi nga Ministria e Mbrojtjes, me helikopterë për transportin e forcave në terrenet e vështira, tha Proda.
Ai shtoi se punonjësit e Policisë Kriminale kanë siguruar 6,917 informacione policore dhe kanë nisur 104 procedime proaktive. Gjithashtu, janë sekuestruar 10,798 fara kanabisi dhe janë evidentuar dhe shkatërruar 10 ambiente të mbyllura për kultivim, si dhe tre ambiente të tjera në tentativë për t’u përshtatur për këtë qëllim.
“Në këto operacione janë arrestuar dhe proceduar 31 persona, përfshirë punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.”
Nga krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit 2024, Proda bëri të ditur se ka pasur ulje me 132 raste kultivimi, 58,317 bimë narkotike më pak të evidentuara dhe 71,873 fidanë më pak, ndërsa janë rritur procedimet penale dhe personat e proceduar për shpërdorim detyre.
“Integriteti dhe vendosmëria e policisë kanë qenë themeli i suksesit tonë. Gjatë këtij viti u proceduan penalisht 163 shtetas për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzimit të krimit, përfshirë kryepleq, administratorë fshatrash dhe punonjës të strukturave shtetërore“, deklaroi Proda.
/rtsh.al/