E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, 33 vatra aktive, banorët kërkojnë ndihmë

Gazeta Shqip

Vështirësohet situata nga zjarret në disa zona të vendit. Mëngjesin e sotëm flakët kanë kërcënuar disa shtëpi në fshatin Shkretë ndërsa banorët kërkuan ndërhyrjen nga ajri për të shuar zjarrin. Zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje dhe arritën të pengojnë përhapjen e flakëve.

Ndërkaq në Korçë 7 vatra zjarri janë ende aktive dhe për shuarjen e tyre po punojnë 300 persona efektivë të policisë dhe zjarrfikës. Situata më alarmante paraqitet në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, ku dhe përhapja e flakëve është tejet e shpejtë si rezultat i erës së fortë. Flakët kanë përfshirë edhe Parkun Kombëtar të Dardhës duke çuar më shumë se 80 forca të shërbimit pyjor, të komunës por dhe banorë të zonës të cilët po tentojnë të normalizojnë flakët. Policia pyjore e cila ka bërë thirrje për ndërhyrje nga ajri, ka gjetur mbështetjen e Emergjencave Civile në kryeqytet, e cila ka dërguar dje helikopterin turk.

Flakët nuk kanë kursyer as masivin e malit të Moravës, ku aktualisht është aktive një vatër zjarri, në kufirin ndarës mes komunës së Hoçishtit në rrethin e Devollit. Gjithashtu një vatër zjarri është shfaqur edhe në afërsi të fshatit Nikolicë, po në rrethin e Devollit. Vatër zjarri ka pasur edhe në vendin e quajtur Burkaj, në rrethin e Kolonjës, por është lokalizuar dhe shuar plotësisht.

Ndërsa në qarkun e Elbasanit, ndodhet nën flakë mali Letmit, si dhe një zonë në fshatin Qarshit në rrethin e Librazhdit, ku terreni i thyer përbënë edhe një vështirësi për ndërhyrjen e zjarrfikëseve. Edhe në rrethin e Gramshit është riaktivizuar sërish vatra e zjarrit në komunën Trashovicës, i cili një ditë më parë rrezikoi edhe banesat e kësaj zone duke ju afruar rreth 100 metra shtëpive.

Shefi i emergjencës civile në këtë qark Mustafa Arapi thekson se janë vënë në punë jo vetëm forcat e zjarrfikësve por edhe ushtria ndërkohë që sipas tij ka dhënë vetë komuniteti një ndihmë të madhe në këto zona të prekura nga zjarri. Sipas Arapit, situata do të jetë shumë shpejt nën kontroll pasi po merren të gjitha masat për shuarjen e këtyre vatrave.

Sipas Ministrisë së Brendshme aktualisht numërohen 33 vatra zjarri në të gjithë vendin, për shuarjen e të cilave po punonte nga toka e ajri.

28 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Zjarret, 33 vatra aktive, banorët kërkojnë ndihmë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›