E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zjarret/ Rama porosi kryebashkiakeve: Angazhim maksimal në monitorimin e tyre

Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët e vendit lidhur me situatën e zjarreve në vend ka kërkuar angazhimin maksimal të bashkive në monitorimin e tyre. Ai tha se menaxhimi i zjarreve nis me masat nga ana e bashkisë dhe në raste të përshkallëzuar kërkohet ndërhyrja e Ministria e Mbrojtjes apo dhe Emergjencat Civile.

“ Ju kërkuam që ta merrni këtë mundim për të ardhur këtu sot sepse gushti do të jetë shumë sfidues dhe duam që të gjithë të jenë të angazhuar, të gjtiha bashkitë duhet të jenë të gatshme për të bërë reagimin kur gjëja ndodh. Arsyeja kryesore pse jemi këtu bashkë është se nuk mund të trajtohet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Emergjencat Civile. Sepse mbrojtja civile është përgjegjësi e të gjitha niveleve të pushtetit. Edhe e nivelit qendror por edhe atij vendor. Dhe disa Bashki tregojnë se është kështu. Aty ku pushteti vendor reagon në mënyrë proaktive dhe nuk bën thjesht ngritjen e telefonit dhe thotë shiko se kemi zjarr këtu hajde ngrini helikopterin. Por kjo historia e helikopterit duhet kuptuar mirë, se reagimi është i përshkallëzuar dhe në të gjithë botën fillon nga niveli i ulët vendor. Fillon nga ata punëtorët vendor që nisin punën kur ka emergjenca.

Gushti do të jetë shumë sfidues, ndaj duam që jo disa po të gjithë të jenë të angazhuar. Këtu të 28 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë janë në rrezik nga zjarret dhe të gjitha bashkitë duhet të jenë të gatshme për reagimin e parë”, tha Rama. 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se gjatë kësaj periudhe vere janë menaxhuar 400 vatra zjarri në gjithë vendin, pa asnjë jetë dhe banesë të humbur.

“Kemi mundur 400 vatra zjarri t’i menaxhojmë pa asnjë jetë të humbur. Prioriteti janë jetët e njerëzve, pastaj banesat. Asnjë banesë deri më sot, ndonëse nuk kemi një numër kaq të madh vatrash nuk është dëmtuar. Kemi patur dëmtime në bimësi, por jo zjarre në zona të mbrojtura, pyje, pasuri natyrore, kemi mundur t’i mbajmë aty.

 Beteja e fundit që po mbyllet me sukses është në Dropull-Finiq, në dy bashkitë minoritare ku ka rrezikuar zjarri të kapërcejë edhe në zona të mbrojtura, por është bërë një punë shumë e madhe nga toka e ajri, forca të shumta të armatosura, zjarrfikës e forca të bashkisë po e mbajnën nën kontroll. Vatrat më kritike deri tani kanë filluar me Sazanin, më tej në Orosh, Mirditë deri para pak ditësh ka qenë një zjarr tepër i vështirë, ku u këcënuan  edhe banesa, por u shmang më e keqja. Mali i Çikës në Berat, Dropulli ishte i fundit dhe Shetaj në Durrës gjithashtu ka qenë një vatër shumë kritike. Nuk kursejmë asgjë, nuk kemi kursyer asgjë, deri tani janë angazhuar 6997 forca, pra një ushtri e tërë  është angazhuar deri tani në fikjen e zjarreve”, tha Peleshi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›