E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret, dy vatra aktive në Krujë dhe Fier, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa strukturat operacionale po punojnë intensivisht për vënien e tyre nën kontroll dhe shuarjen e plotë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vatrat aktive janë evidentuar në Cikallesh të Krujës dhe Hekal të Fierit.

Në këto zona po zhvillohen operacione të kombinuara nga toka dhe ajri, me angazhimin e strukturave operacionale dhe mjeteve të posaçme për përballimin e situatës.

Qëllimi i ndërhyrjes është izolimi i vatrave dhe parandalimi i përhapjes së flakëve në sipërfaqet përreth, ndërsa në terren vijon puna për mbrojtjen e zonave të prekura.

Strukturat e emergjencave civile dhe shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa operacionet do të vijojnë deri në shuarjen e plotë të vatrave.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apelon për kujdes të shtuar gjatë periudhës së temperaturave të larta dhe u kërkon qytetarëve të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri të konstatuar.

Sipas AKMC-së, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, ndërsa aktualisht 2 vatra vijojnë të jenë në monitorim.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›