Zjarret në Dajt, MB: Janë shuar mbi 60 vatra

Ministria e mbrojtjes ka dhënë informacione për operacionin e ndërmarrë nga Forcat e Armatosura për shuarjen e zjarreve në Malin e Dajtit dhe në Qafë-Priskë. Sipas MB-së po vijon me intensitet operacioni për parandalimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë këtë zonë ndërsa shton se deri më tani janë arritur të shuhen mbi 60 vatra zjarri.
“Një efektiv tjetër prej 150 forcash të kompanisë së tretë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë dhe Batalionit Special, si dhe një skuadër e Batalionit Komando janë aktualsht duke punuar për hapjen e brezave për ndalimin e avancimit të flakëve të zjarrit. Deri tani ata kanë mundur të hapin një brez prej më se 2 kilometra të gjatë dhe me një gjërësi 3 metra në krahun lindor prapa Malit të Dajtit për të penguar afrimin e zjarrit në bllokun e antenave” thekson MB-ja.
Gjithashtu ministria shton se një grup i Batalionit Special është nisur me helikopter AB-205 në drejtim të Lurës për të kontribuar në shuarjen e zjarrit që ka rënë në Parkun Kombëtar të Lurës ndërsa një efektiv tjetër prej 50 vetësh të Batalionit të Këmbësorisë Malore në Vaun e Dejës në Shkodër po punon për shuarjen e zjarreve që kanë rënë në zonën e Pukës.
Po kështu sipas ministrisë, një efektiv prej 20 forcash dhe një mjet transporti të Detashmentit të Kukësit janë vënë në dispozicion të Emergjencës Civile të qarkut të Kukësit për shuarjen e zjarrit të rënë në rajonin e komunës Tërthore dhe një efektiv prej 23 forcash dhe një mjet transporti janë vënë në dispozicion të Emegjencës Civile të qarkut të Korçës për shuarjen e zjarrit që ka rënë në rajonin e Bozdovecit (Qafa e Ujkut).
Gjatë ditës së sotme në operacionin për shuarjen e zjarreve të rënë në të gjithë vendin janë angazhuar 1161 forca, 54 mjete, 2 helikopterë dhe disa autoambulanca të Foracave të Armatosura.