E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në Shqipëri, bizneset nuk sigurohen

Zjarret e ditëve të fundit tek bizneset nxorën në pah edhe problemin e mos sigurimit të tyre. Drejtuesit e kompanive të sigurimit shpjegojnë se vetëm një pjesë e kompanive vendase sigurohen, për shkak të mungesës së kulturës. 

TIRANE- Bizneset shqiptare nuk sigurohen nga rreziqet që i kërcënojnë, siç ishte rasti i zjarrit që ka përfshirë ditët e fundit disa biznese në kryeqytet. Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve shpjegojnë se arsyeja kryesore e mos sigurimit është mungesa e kulturës tek sipërmarrësit vendas.

Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve shprehet se “shumë pak biznese shqiptare janë të siguruar. Në Shqipëri janë gjithsej 50 mijë biznese të regjistruara, nëse të gjithë këto biznese do të ishin të siguruar, tregu i bizneseve do të ishte 10 fishi i asaj që është sot.”
Krahasuar me vende të tjera të Rajonit, Shqipëria paraqitet shumë keq për sa i përket sigurimit të bizneseve dhe qytetarëve.

Më tej ai shton se “shqiptarët paguajnë vetëm 10 euro për frymë në vit për sigurime, ndërsa në Maqedoni paguhet 70, në Mal të Zi 120 euro, në Kroaci 350 euro dhe në Slloveni ka shkuar 1200 euro për frymë”

Përfaqësuesit e kompanive të sigurimit shpjegojnë që vetëm pasi ndodhin aksidentet siç janë zjarret apo përmbytjet, bizneset dhe qytetarët kujtohen që të sigurojnë aktivitetin privat apo shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të autoritetit të mbikqyrjes financiare sigurimi nga zjarri përbën vetëm 10 për qind të totalit nga primi i sigurimit. Për 9 muajt e parë të këtij viti sigurimet nga zjarri arritën në vlerën e 4 milion eurove nga 40 milion euro që është totali i primeve në tregun e sigurimeve. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›