E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret në Tepelenë dhe Përmet, ndalohen dy piromanë

Gazeta Shqip

Vijojnë aksionet e policisë për kapjen e piromanëve në disa zona në jug të vendit, ku ditët e fundit u shfaqën disa vatra zjarresh. Kështu në Përmet, mbrëmjen e së premtes është ndaluar 47- vjeçari Ndreko Jani, lindur dhe banues në fshatin Melan, të komunës Petran.

Ai dyshohet se rreth orës 14:00 të së premtes, në vendin e quajtur “Ramicë e Melanit” i ka vënë zjarrin kullotës me qëllim rigjenerimin e saj. Por zjarri i ndihmuar nga era është përhapur në një sipërfaqe të madhe kullote, duke përfshirë edhe një pjesë të  pyllit me shkozë e pemë të tjera, duke djegur kështu rreth 28 hektarë kullotë dhe rreth 4 hektarë pyll. Puna e përbashkët e policisë , policisë pyjore, punonjësve të  komunës Petran  si dhe banorëve të fshatit, bënë të mundur izolimin e zjarrit dhe më pas shuarjen plotësisht të tij.

Specialistët e Seksionit  për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet  kanë bërë shoqërimin e Janit në ambientet e Komisariatit të Përmetit, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore u vendos që shtetasi i lartpërmendur për shkak të gjendjes shëndetësore pasi vuan nga zemra dhe shpesh herë edhe nga depresioni, është proceduar penalisht dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të “shkatërrimit të Pronës me zjarr”

Ndërkohë në Tepelenë, pas djegies së rreth 100 hektarëve pyll e kullotë, si dhe 400 rrënjë ullinjsh, policia ka arrestuar autorin e zjarrit, 50-vjeçarin Tahir Llaka, nga fshati Kalivaç i Tepelenë.

Llaka dyshohet e mesditën e së premtes në vendin e quajtur Vreshtas, në afërsi të fshatit Kalivaç të komunës Krahës i ka vënë zjarrin kullotës. Për shkak të erës së fortë zjarri i ka dalë nga kontrolli, duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe duke djegur rreth 100 hektarë pyll e kullotë. Zjarri ka përfshirë disa parcela të mbjella me ullinj, pronë e banorëve të fshatit Kamçisht, Tepelenë, ku nga zjarri janë djegur rreth 400 rrënjë ullinj. Si pasojë e erës, zjarri ka rrezikuar edhe disa parcela të tjera me ullinj dhe i është afruar banesave të fshatit Kalivaç, po falë ndërhyrjes së zjarrfikëses, të punonjësve të policisë Tepelenë dhe banorëve të fshatit, zjarri është vënë nën kontroll. Pas hetimeve, policia ka bërë arrestimin e Tahir Llakës, i cili akuzohet për veprën penale të Shkatërrimit të Pronës me zjarr.

8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)

Zjarret në Tepelenë dhe Përmet, ndalohen dy piromanë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›