E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 34 vatra gjatë 24 orëve, 17 vijojnë të jenë aktive

34 vatra zjarri janë evidentuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 17 prej këtyre vatrave vijojnë të jenë aktive, 6 janë ende në monitorim, ndërsa 11 prej tyre janë shuar.

Në Parkun Kombëtar të Lurës, vijon të jenë aktive dy vatra zjarri, në drejtim të Fushës së Pelave dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës. Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, zjarri ka një shtrirje prej mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe, nga Mas Deja, në vendin e quajtur Qafa e Tollës , si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe. Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat u kthyen tejet problematike duke vënë në rrezik edhe banesat gjatë orëve të natës, por tashmë situata është neutralizuar.

Ndërkaq, vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatin Dishnicë,  bashkia Korçë; në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec; në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër; në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë; në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë; në fshatin Ibë, bashkia Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri, nën kontroll dhe me rrezik të ulët; në fshatin Kuç, bashkia Vlorë; Në Bjeshkën e Rahovicës, bashkia Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje.

Janë nën monitorim vatrat si më poshtë: Livadhet e Peladhisë, bashka Bulqizë;  Në vendin e quajtur Shashicë, bashkia Vlorë; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; në zonën pas malit të Lisecit, bashkia Gramsh; Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal.

Për shuarjen e vatravetë zjarrit që kanë përfshirë vendin tonë, janë angazhuar 56 automjete zjarrfikëse, 953 forca operacionale, 5 Helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe 1 helikopter Canadair Italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane.

Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit.

Ministria e Mbrojtjes paralajmëron se rreziku mbetet ende i lartë në disa qarqe të vendit, sikurse në Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›