Zjarret në vend, nën kontroll/ 12 vatra aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Autoritetet shqiptare vazhdojnë që të menaxhojnë me një angazhim të lartë situatën e zjarreve në vend.
Në të gjithë territorin janë raportuar 22 vatra zjarri, 12 prej të cilave aktive, 9 nën mbikëqyrje, ndërsa 1 u shua.
Në këto operacione janë ne terren 498 forca vendore dhe lokale dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas mjeteve zjarrfikëse, mjeteve mbështetëse, autoambulancave, dronit dhe 4 operacioneve me helikopterë.
Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre, ndërsa nuk ka rrezik në zonat e banuara.
Vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa në Malin e Bërzhitës zjarri është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat vendore.
Në Gallatë, Bashkia Lezhe, ndërhyrja vështirësohet nga terreni, por nuk ka rrezik për banesat. Një angazhim i konsiderueshëm vijon në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të FA, 16 mjete, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter. Edhe këtu nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
Vijojnë aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në të gjitha këto vatra raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Elbasanit, vatra në Malin e Qukësit, Prrenjas, është nën mbikëqyrje.
Në Gurëshpatë të Librazhdit zjarri vijon aktiv dhe në terren është angazhuar MZSH Librazhd me 1 automjet dhe 6 efektivë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Malin e Tërbunit, në Pukë, zjarri vijon aktiv në pyll me pishë; në operacion janë forcat vendore dhe 32 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Edhe në Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situata po ndiqet në disa zona në qarkun e Shkodrës.
Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje. Në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, zjarri vijon aktiv dhe ka ndërhyrje nga toka e ajri. Në Bardhaj–Myselim nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje.
Në Bolenë të Himarës, vatra është nën mbikëqyrje. Në Qesarat të Finiqit zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa ndërhyrje ka edhe nga ajri. Vatrat në Peshtan të Fierit dhe Çërrilë të Mallakastrës janë tashmë nën mbikëqyrje.
Në Halil të Krujës, zjarri që ishte shfaqur pranë zonave të banuara është izoluar dhe shuar. Vatra në Mamëz të qarkut të Kukësit është nën mbikëqyrje. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.