Bardhi: Mazhoranca noterizon kapjen e shtetit, Balla: Deputeti nuk ndërmjetëson favore

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se mazhoranca po e përdor Kuvendin për të miratuar ligje në interes të kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij në seancën plenare për hapjen e sesionit të tretë të Legjislaturës XI, Bardhi u ndal te ligji “Për investimet strategjike”, duke theksuar se përmes tij kryeministri Rama ka mundësuar kalimin e 2,1 milionë metrave katrorë tokë shtetërore në zonat më të bukura të Shqipërisë.
“Një sesion i ri parlamentar duhet të nisë me ato që do bëjmë më mirë për shqiptarët, por siç është katandisur ky Kuvend, s’kam më dilemë se kjo mazhorancë do vazhdojë të votojë kokulur ligjet personale të Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, mazhoranca ka noterizuar kapjen e shtetit dhe plaçkitjen e Shqipërisë, ndërsa akuzoi shumicën parlamentare se po refuzon të përfshijë në agjendë zbatimin e vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese.
“Për Shqipërinë si tokë e djegur, ku mundësitë për qytetarët e ndershëm digjen me votat e kartonëve të deputetëve të mazhorancës, kjo mazhorancë ka noterizuar kapjen e shtetit dhe plaçkitjen e Shqipërisë”, u shpreh ai.
“Me ligjin e investimeve strategjike i keni dhënë Ramës mundësinë të zhdukë, për interesa personale, 2,1 milionë metra katrorë tokë shtetërore në zonat më të bukura të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Bardhi iu drejtua deputetëve të mazhorancës, duke u shprehur se nëse kryeministri Edi Rama dërgon në Parlament ndryshimet në kodin penal, ku të parashikohet dënim me burg për ata që deputetë që ndërhyjnë për të futur njerëz në punë, ai do të jetë i pari që do ta votojë këtë ligj.
“Kur ai të sjellë në Parlament ndryshimet në Kodin Penal, siç ka paralajmëruar, ndryshimet në Kodin Penal, për t’ju futur në burg, pse ndërhyni të fusni njerëz në punë, unë do të jem i pari që do ta votoj”, deklaroi Bardhi.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend, deklaroi se mazhoranca hyn në sesionin e ri me një mënyrë të re organizimi të marrëdhënies me qytetarët, përmes nismave BESA dhe “Prania Besnike”.
Balla tha se këto parime synojnë ta bëjnë deputetin më të pranishëm në territor dhe të përcjellë problematikat e qytetarëve tek institucionet përgjegjëse.
“Ne si grup parlamentar hyjmë në këtë sesion me një mënyrë të re të organizimit të marrëdhënies sonë me njerëzit, përmes BESËS dhe ‘Pranisë Besnike’. Dita ditës të dyja ato po zënë vend”, tha Balla.
Sipas tij, BESA nuk është thjesht një fjalë, por përfaqëson besimin, empatinë dhe angazhimin në marrëdhënien me qytetarin.
“Qytetari kërkon të dëgjohet, ku ndodhet çështja e tij, pse është vonuar, kur do marrë përgjigjen”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se “Prania Besnike” nuk duhet të shihet si një kalendar elektoral apo si mbledhje partiake, por si një mënyrë për ta kthyer dëgjimin e qytetarëve në pjesë të punës së deputetëve.
“Partia nuk bën shtet dhe deputeti nuk ndërmjetëson favore. Deputeti është me Kushtetutë, me ligj, njeriu i duhur për të sjellë çdo sinjal të territorit tek institucioni që duhet të përgjigjet”, deklaroi Balla.
/gj.m/r.e/