E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri del jashtë kontrollit në Finiq, ndërhyrje nga ajri për të shuar flakët

Situata paraqitet kritike në zonën e Finiqit, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka dalë jashtë kontrollit dhe vazhdon të përhapet me shpejtësi, i favorizuar nga era e fortë.

Flakët kanë përfshirë disa zona të Bashkisë Finiq dhe po afrohen drejt fshatrave, duke krijuar rrezik serioz për banesat në Mesopotam dhe Kostar.

Vatra e zjarrit ka avancuar gjithashtu drejt zonave të Delvinës, përfshirë Vllahatin, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme.

Për të përballuar situatën janë angazhuar dy helikopterë zjarrfikës, të cilët kanë nisur ndërhyrjen nga ajri për të ndihmuar në izolimin e flakëve dhe për të frenuar avancimin e zjarrit.

Forcat në terren vijojnë betejën me flakët, ndërsa autoritetet monitorojnë me shqetësim situatën, pasi zjarri po përparon në një zonë me bimësi të dendur dhe rrezikon të prekë zona të banuara.

Sipas informacioneve nga terreni, janë djegur shumë pemë frutore dhe ullinj. Era e fortë vazhdon të ndihmojë përhapjen e shpejtë të flakëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›