Zjarri në Gjirokastër, i qëllimshëm, arrestohet një 23 vjeçar
Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës ka arrestuar pak më parë një 23-vjeçar, të dyshuar si autor të zjarrit në Terihat, që vuri në panik banorët e më pas bllokoi për pak kohë qarkullimin në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë.
I ndaluari quhet Petrit Sinondemaj, lindur dhe banues në qytetin e Libohovës Gjirokastër dhe punon si çoban. “Ky shtetas ishte çoban me bagëtitë e fshatit Terihat dhe rreth orës 15.00,i ka vënë zjarrin qëllimisht kodrave të këtij fshati, ku u dogjën rreth 20 hektarësipërfaqje kullosore. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Shkatërrimit të Pronës me zjarr”- thanë burimet policore.
Në kodrat e këtij fshati kishte rënë zjarr dhe për shkaktë erës së fortë zjarri është përhapur me shpejtësi në disa drejtime.Sipas policisë, flakët e mëdha kanë rrezikuar kishën e “Shën Mërisë” në anë të rrugës nacionale midis fshatit Terihat dhe Gorricë. Ka qenë ndërhyrja e repartit zjarrfikës që ka bërë të mundur shuarjen e flakëve në territorin e jashtëm të kishës.
Një drejtim tjetër i zjarrit ishte në drejtim të fshatit Gorricë, ku u rrezikuan disa banesa të përfshiheshin nga flakët. Forcat e policisë, të zjarrfikëses, të drejtorisë pyjore dhe vetë banorët për rreth një orë bënë të mundur lokalizimin e flakëve duke shpëtuar banesat nga zjarri.
Drejtimi tjetër i flakëve të zjarrit ishte në drejtim të një fabrike të prodhimit të Kartopecetave në fshatin Gorricë. Ndërhyrja me vonesë e zjarrfikses berë që flakët të hynin në pjesën e pasme të kësaj fabrike, ku janë djegur materiale pa vlerë(mbeturina, tallazh ).
Flakët e zjarrit kanë përfshirë edhe fushat të cilat ishin të pa mbjella, vetëm barishte në të dyja anët e rrugës nacionale. Tymi i madh dhe flakët në të dyja anët e rrugës, bënë të pamundur lëvizjen e automjeteve.
“Policia rrugore e Komisariatit të Policisë Gjirokastër bllokuan lëvizjen e automjeteve përrth 30 minuta, për shkak të pamjes së kufizuar nga tymi dhe flakëve nga të dyja anët e rrugës”- thanë burimet policore.
Mbas 4 orësh ndërhyrje nga reparti zjarrëfikës, forcat e policisë dhe të drejtorisë pyjore u bë e mundur lokalizimi i zjarrit i cili po shkon drejt shuarjes përfundimtare.