E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Krujë, Gonxhja: Po monitorojmë Pazarin e Vjetër dhe Kalanë, shqetësimi kryesor lidhet me shkëndijat e flakëve

Situata e zjarrit në Krujë vijon të mbetet shqetësuese, ndërsa autoritetet kanë shtuar gatishmërinë për shkak të pozicionimit të vatrës në zonën malore mbi qytet.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook gjatë mesnatës, ka bërë me dije se vatra ndodhet aktualisht larg zonës së Pazarit të Vjetër dhe Kalasë së Krujës, por pozicionimi i saj përballë këtyre zonave dhe era e fortë kërkojnë monitorim dhe gatishmëri të shtuar gjatë gjithë natës.

Shqetësimi kryesor, sipas tij, lidhet me mundësinë që shkëndijat dhe copëzat e djegura të transportohen nga era drejt zonave të banuara. Sipas ministrit, Pazari i Vjetër është veçanërisht i ekspozuar, për shkak të elementeve të shumta prej druri që karakterizojnë ndërtesat dhe strukturat e tij.

“Pazari i Vjetër, për shkak të elementeve të shumta prej druri, është veçanërisht i ekspozuar”, është shprehur Gonxhja, duke theksuar nevojën për vigjilencë të vazhdueshme.

Postimi i plotë:

Nga situata e zjarrit në Krujë, vatra aktualisht ndodhet në zonën malore mbi qytet dhe larg zonës së Pazarit të Vjetër e Kalasë, por pozicionimi i vatrës përballë tyre dhe era kërkojnë gatishmëri të shtuar gjatë gjithë natës. Një falenderim i shkon forcave të Emergjencave Civile, Ushtrisë, Policisë, Bashkisë Krujë, Ndihmës së Shpejtë dhe të gjithë trupave të Zjarrfikëseve në operacion papushim!

Shqetësimi kryesor lidhet me shkëndijat dhe copëzat e djegura që mund të fluturojnë nga era drejt zonës së banuar, ndërsa Pazari i Vjetër, për shkak të elementeve të shumta prej druri, është veçanërisht i ekspozuar, ndaj kërkohet vigjilencë.

Terreni është shumë i pjerrët dhe tepër i vështirë për ndërhyrje me forca njerëzore, ndaj shuarja e vatrës në këtë pozicion kërkon ndërhyrje nga ajri, çka pengohet nga nata. Paralelisht, DRTK Tiranë dhe Qendra Muzeore Krujë vijojnë monitorim dhe gatishmërinë e vazhdueshme pranë Pazarit të Vjetër dhe Kalasë, edhe gjatë natës dhe pas ndërprerjes së energjisë elektrike. Një Task Force e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit po aktivizohet për çdo plan, skenar dhe protokoll teknik evakuimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›