E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri në garazhin e pallatit, plagoset shefi i komisariatit

TIRANE- Zjarri i cili përfshiu mbrëmjen e djeshme garazhin e një pallati përballë maternitetit, në rrugë "Bulevardi Zogu 1" shkaktoi panik dhe ankth tek banorët e pallatit.

Një telefonatë e mbërritur rreth orës 22. 05 minuta në sallën operative të zjarrfikësve nga një banor i pallatit ka ngritur në këmbë zjarrfikësit. Tymi ishte përhapur menjëherë nëpër shkallët dhe apartamentet e pallatit 12 katësh duke ka shkaktuar probleme tek banorët, dhe vetëm ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur që të shmangej një tragjedi e vërtetë.

6 persona raportohen se janë shtruar në spital me asfiksi ose probleme në rrugët e frymëmarrjes, të cilët pasi kanë marrë mjekimin e duhur janë kthyer në shtëpitë e tyre. Më rëndë paraqitet gjendja shëndetësore e shefit të komisariatit numër 3 Florian Hoxha, i cili ka mbetur i plagosur në tentativën për të ndihmuar disa persona që kishin ngecur në katin e pestë. 

Mjekët thonë se shefi i komisariatit Hoxha ka plagë në këmbë dhe në krahun e djathtë, si dhe në fytyrë për shkak të thyerjes së një xhami për të shpëtuar banorët.

Për më shumë se 40 minuta, policia dhe zjarrfikëset kanë bërë përpjekje për shuarjen e flakëve që janë lokalizuar, duke shmangur rrezikun për përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër të pallatit.

Grupi hetimor që nga mbrëmja e djeshme vazhdon punën për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, ndërsa sot në mëngjes situata duket më e qetë.

Nga zjarri që ka shpërthyer në garazh janë djegur dy makina si dhe një motor.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›