Pallati në flakë, RENEA evakuon me vinç banorët

Zjarri i rënë mbrëmë te Shkencat e Natyrës
Bodrumi i një pallati në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë është shkrumbuar mbrëmë nga zjarri.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15, kur bodrumi i godinës së banimit është përfshirë nga tymi dhe flakët. Pallati ku ra zjarri, ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë. Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, nga prania e madhe e flakëve janë dëmtuar edhe dy automjete, ndërkohë që tymi ka shkaktuar asfiksimin e disa personave. Policia, e cila shkoi në vendin e ngjarjes bashkë me zjarrfikëset, tha se flakët kanë qenë të përmasave të mëdha dhe kanë shkaktuar dëme materiale, kryesisht në sende që mbaheshin në bodrumin e pallatit. Për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes nga afër, policia është dashur të shtrijë “krahun” e një vinçi nga bulevardi drejt ballkoneve të apartamenteve për evakuimin e banorëve. Në vendin e ngjarjes, kanë mbërritur edhe efektiva të repartit të forcave speciale RENEA, që kanë dhënë ndihmesën e tyre në evakuimin e personave të asfiksuar. Disa fëmijë dhe të moshuar kanë pasur probleme në frymëmarrje, për shkak se nga bodrumi tymi ka depërtuar lart në pallat, nëpërmjet korridoreve. Banorët e prekur nga problemet në frymëmarrje janë dërguar në spital për ndihmën e parë. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se forcat e policisë kanë ndërhyrë në pallat, duke evakuuar disa prej familjeve të kateve të para që ndodheshin në banesat direkt mbi garazhin kur ra zjarri. Për më se 40 minuta, policia dhe zjarrfikëset kanë bërë përpjekje për shuarjen e flakëve që janë lokalizuar, duke shmangur rrezikun për përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër të pallatit. Ndërkohë, policia e kryeqytetit ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa prova të nevojshme për verifikimin e shkakut të rënies së flakëve. Dyshimet kryesore janë se shkak i zjarrit ka qenë rrjeti elektrik, pasi në bodrumin ku ranë flakët ndodhen disa prej kutive shpërndarëse të linjës elektrike të pallatit në fjalë. Mbrëmë në ora 23:30, policia dhe zjarrfikëset kanë konfirmuar shuarjen e plotë të zjarrit dhe shmangien e çdo rreziku për banorët dhe objektin e banimit.