E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri në landfillin e Elbasanit, opozita kërkon debat parlamentar: Rama, Balluku, Kumbaro e Malaj të japin llogari

Zjarri që ka përfshirë prej disa ditësh landfillin e incineratorit të Elbasanit, është bërë temë debatesh në nisje të Kuvendit mes opozitës e mazhorancës.

Deputetët demokratë kanë kërkuar mbajtjen e një debati politik me Kryeministrin Edi Rama, zv.kryeministren Belinda Balluku e Ministren e Mjedisit Mirela Kumbaro, kërkesë kjo e cila sipas kryeparlamentares Elisa Spiropali do duhej të bëhej sipas rregullores.

Ka qenë fillimisht deputetja Zheni Gjergji ajo që ka deklaruar se situata në Elbasan është tejet alarmante e shqetësuese.

“Problem shqetësues e alarmant po ndodh në Elbasan. Zjarri në fushën e mbetjeve urbane. Gjendje dramatike e mjedisit dhe pasojë e dështim spektakolar i projektit të incineratorit, investim prej 27 mln eurosh që nuk ka funksionuar asnjëherë siç duhet. Kryeministri Rama bashkë me ministren e Turizmit duhet të përgjigjen”, tha Gjergji.

Pas fjalës së saj, të ndërprerë nga kryeparlamentarja Spiropali, deputetja Jorida Tabaku vuri theksin te nevoja për debat parlamentar. Ajo deklaroi se asnjë prej incineratorëve, as ai i Elbasanit, Tiranës e Fierit nuk është funksional, ndërsa theksoi se Balluku, Kumbaro e ministri i Financave Petrit Malaj duhet të japin llogari për atë që ajo e konsideron si skandal.

“Duke qenë se kam drejtuar komisionin hetimor për incineratoret i bashkohem zonjës Gjergji për të pasur një debat parlamentar për atë që ndodhi në Elbasan. Është e nevojshme që hetimi prej 430 mln eurosh korruptiv i incineratorëve të vazhdojnë diskutimin duke qenë se çështja nuk është mbyllur.

Sot asnjë nga incineratorët nuk punon dhe Kuvendi duhet ë arrë përgjegjësinë për 3 kontrata korruptive që vazhdojnë paguhen., Ministri i Financave do duhet të japë llogari pse vazhdon bën pagesa për Incineratorin e Tiranës, zv,kryeministrja ministrja pse miraton pagesat., ministrja e mjedisit pse vazhdon ky skandal agravohet. Në emër të grupit parlamentar të PD i bashkohemi kërkesës së zonjës Gjergji për debat parlamentar”, theksoi Tabaku.

Prej tre ditësh vijon zjarri në landfillin e incineratorit të Elbasanit, ndërsa situata është përkeqësuar duke përfshirë tanimë thuajse të gjithë sipërfaqen. Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se në terren ndodheshin 3 automjete zjarrfikëse me 15 efektivë të bashkisë Elbasan, 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë dhe 1 traktor me zinxhirë nga Forcat e Armatosura dhe 3 automjete zjarrfikëse nga bashkitë e tjera. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›