E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zllatko Daliç, një “Murinjo” i stilit anglez

Bledar Kuka - Ka qenë një trajner i piketuar për t'u bërë i rëndësishëm. Edhe pamja e tij e jashtme tregon inteligjencë dhe ambicie. Tepër i ri bëri gjëra shumë të mira me Varteksin e Varazhdinit (e mbani mend, eliminoi Dinamon nga Kupa UEFA), duke ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Por klubi ia shiti lojtarët kryesorë dhe një sezon më vonë u eliminua nga Tirana në turin e parë eliminator të Kupës UEFA.
Tek Rijeka u prit të bënte shumë, gjë që fazën e parë të sezonit të kaluar e kishte krejt për vijë, por jo më në vazhdim. Në fazën e dytë, në vend të pozicionit të nënkampiones pas Dinamos së paprekshme, Rijeka mezi arriti të kualifikohej për në Kupën modeste të Intertotos. Aty ku u eliminua që në turin e parë nga shqiptarët e Maqedonisë së Renovës dhe ky ishte fundit. Stoli i tij u lëkund dhe ai u largua.
Ish-zëvendës trajneri i Tiranës dhe ish-kampion i Shqipërisë si trajner në minifutboll me Ali Demin , Ardian Mema, e vlerëson shumë Dalicin. "Nuk është se e njoh shumë, - thotë Ardi, - por më ka bërë përshtypje ekipi që kishte krijuar tek Varteksi. Ata kishin ekip shumë të ri, më i madhi në moshë ishte 22 vjec, por luanin shumë mirë futboll. Luanin në bllok, sic është futbolli modern". Mema qesh dhe thotë se Tirana që luajti atë sezon me Varteksin (më 2006) ishte më e pjekur dhe i eliminoi me meritë, por shton se "pas dy vjetësh, shko e rrihe sërish atë ekip, nuk mundesh më".
Dalici, edhe tek Rijeka, por edhe tek Dinamo mban në xhep planin e tij. "Unë nuk jam vetëm trajner, - shprehet ai, - por edhe menaxher, për të zgjedhur lojtarët". Një tip trajneri si në Angli, apo sic e quajnë në ishull, menaxher. "Natyrisht, kur vjen puna për kontratat, këto bëhen me presidentin, sepse ai i di mundësitë financiare, por detyra ime është të gjej lojtarët".
Sidoqoftë, karakteristika e tij kryesore nuk është gjetja e lojtarëve, por mënyra sesi e stërvit ekipin. Sapo mori drejtimin e Rijekës, në fillim të sezonit të kaluar, dhe gazetarët i bënë këtë pyetje: "Duke parë stërvitjen tuaj, vihet re se merreni shumë me lojën me top, por a nuk iu prish punë në përgatitjen fizike?". Dhe Dalic, përgjigjet sipas filozofisë së tij: "Vizioni im i futbollit është që të luajmë nëpërmjet kombinimeve, që të mos ketë shkëputje të lojës. Nëse stërvitemi me top dhe me kombinime, në këtë mënyrë, marrim edhe ngarkesën fizike".
Një filozofi të tillë e ka edhe Zhoze Murinjo, trajneri i Interit dhe ish-bosi aq shumë i diskutuar i Celsit të Londrës. "Ngarkesa fizike merret më shumë nëpërmjet stërvitjes me top", - thotë portugezi.
I guximshëm nga goja
Pranon përgjegjësinë, por edhe "nuk i rri goja" pa folur. Në një moment të caktuar, kur Varteksi po ecte shumë dobët në kampionat, Zllatko dha dorëheqjen, që nuk iu pranua. "Jam përgjegjës për dobësinë e Varteksit, - u shpreh ai, - por ama e dhashë dorëheqjen që drejtuesit e klubit nuk e pranuan". Ndërsa kur u eliminua nga Tirana në Kupën UEFA, nuk mund të rrinte pa sulmuar.
"Futbolli në Kroaci është katastrofë, - ishte agresiv, - kudo investohet më shumë kurse unë duhej të luaja me fëmijë në Europë. Ndaj Tiranës pata 8 lojtarë 19-20 vjec në ekip, na mungon përvoja". "Sidoqoftë nuk mund të mos pranoj se Tirana ishte më e mirë se ne", - tregoi Dalici sinqeritetin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›