Zmbrapsen kryengritësit, OKB redukton sanksionet ndaj Libisë

Besnikët e fundit të Muammar Gheddafit arritën të zmbrapsin një sulm të forcave kryengritëse në qytetin Bani Ualid, që është edhe bastioni i fundit i mbështetësve të regjimit.
Tërheqja e rebelëve erdhi pas kundërpërgjigjes me raketa dhe armatim të rëndë nga ana e forcave të Gheddafit. Në qytetin Sirte forcat e Këshillit Kombëtar Tranzitor morën nën kontroll zonën përreth aeroportit, fare afër vendlindjes së kolonelit Gheddafi. Në kohën që në qytet po dëgjoheshin shpërthime, mbi të fluturonin avionë të NATO-s, të cilët kanë hasur gjatë natës në rezistencën e mbështetësve të Gheddafit. Luftëtarët e Këshillit Kombëtar Kalimtar në Libi bënë një tjetër përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Sirte, një ditë pasi u sprapsën nga forcat besnike të ish udhëheqësit Moamar Gadafi.Luftëtarët e Këshillit u grumbulluan sot në rrethinat e qytetit që është vendlindja e Gadafit. Zëdhënësi i kolonelit tha në një deklaratë për shtyp tha se qytetet Sirti dhe Bani Ualid janë një qëndresë e fortë në mbrojtje të lirisë së popullit libian. Ndërkaq kryengritësit po përgatiten për një ofensivë përfundimtare në këto dy qytete, e cila pritet të ketë mbështetjen e forcave të NATO-s. Pas marrjes nën kontroll të të gjithë territorit të vendit, Këshilli Kombëtar Tranzitor do të përcaktojë kohën kur vendi do të futet në zgjedhje si dhe referendumin për ndryshimin e kushtetutës.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi ndërkaq të lehtësojë sanksionet ndaj Libisë, pas njohjes nga asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Këshillit Tranzitor Kombëtar si përfaqësues sovran i popullit libian. Ndërkaq Vendndodhja e Gadafit vazhdon të mbetet enigmatike. Megjithatë Agjencia Reuters citoi zëdhënësin e tij të ketë thënë se Gadafi është ende në Libi.