E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Të rikthyerit? PD të vërë rregulla të qarta

TIRANË- Preç Zogaj është një nga deputetët demokratë që mund të flasë më mirë se kushdo tjetër për procesin e rikthimit të të ikurve nga Partia Demokratike ndër vite. Ai ka qenë themelues i të parës parti opozitare në Shqipëri pas '90, i larguar më pas me një grup kolegësh që themeluan PAD-në, ndërsa rikthimi i tij ishte para zgjedhjeve të 2005-ës, sërish nën çatinë blu. "Ky është një fenomen që nuk ka filluar sot dhe nuk mbaron sot. Kjo tregon se PD që nga viti 2001 mbetet një parti e hapur për të gjithë individët, apo grupet që kanë qenë pjesë e saj në vitin 1990 e këtej",- tha Zogaj.

Por përtej kësaj të vërtete, që ai i mëshon së tepërmi, deputeti demokrat shton se viti elektoral ka startuar dhe se të gjithë po vrasin mendjen për të ardhmen, për të kërkuar zgjidhjet më të përshtatshme. Deputeti demokrat Preç Zogaj e ka një përgjigje edhe për procesin që ka shoqëruar largimin dhe kthimin në PD, duke theksuar se historitë nuk janë identike. “Kthimet e reja, janë pjesë e këtij procesi. Duke mbështetur dhe duke inkurajuar këto procese, natyrisht ne nuk mund të mos themi se as largimi dhe as kthimi nuk kanë qenë njëlloj. Ka njerëz që kanë ikur për parime kur PD ka qenë në kulmin e pushtetit, dhe janë kthyer kur ajo ka qenë në ditë të vështira.

Ka të tjerë, që kanë ikur kur PD ishte në ditë të vështira, e kanë luftuar dhe kanë bërë çmos që të mos dalë nga kjo gjendje. Pra historitë e largimit dhe kthimit nuk janë identike. Unë mendoj se nuk ka arsye që të fshihen sepse janë gjëra të njohura, por kur flasim, duhet t’i themi”,- tha Zogaj. Deputeti demokrat nuk mendon se duhet parë rikthimi i disa prej figurave që dikur kanë qenë të rëndësishëm në PD, por problemi, sipas tij, duhet të shihet gjetkë, pikërisht tek rregullat që PD duhet të vendosë për të rikthyerit. “Nuk them se duhen parë sepse politika e dyerve të hapura nuk ka kushte dhe kritere të tilla, por këtu problemi është që PD të ketë rregulla të qarta gare dhe konkurrence dhe të jetë vota që t’i vlerësojë historitë personale apo historitë e grupeve.

Kjo është një anë”,- tha Zogaj, duke iu përgjigjur më pas pyetjes se shkrirjes së PDR-së me PD-në. “Nëse ju më pyesni konkretisht për PDR-në, unë kam qenë gjithnjë skeptik për motivet e lindjes së kësaj partie në një kohë të vështirë për PD-në, natyrisht që motivet e ekzistencës së saj kanë rënë, kështu që duket diçka logjike të shkrihet brenda PD-së”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›