E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zona te Tjegullorja e rrezikuar, kërkohet dislokimi i banorëve

Komuna e Gjakovës ka publikuar raportin për përmbytjet e kohës së fundit. Ka konstatuar se kanë qenë 10 zona të prekura më së shumti. Por ende s’ka një shifër konkrete. Sipas zyrtarëve komunalë dëmet kanë qenë në orendi, shtrojë e mbulojë, pajisje amvisërie dhe artikuj ushqimorë. Nga këto 10 pika, sa kanë qenë më të rrezikuara, së paku njëra është vlerësuar se duhet urgjentisht të dislokohet, ngase paraqet rrezik për banorët sa herë që ka reshje. Fjala është për lokacionin, te Tjegullorja IMN. Xhevat Rraci, drejtor i Mbrojtjes... ka thënë se qytetarët në këtë zonë nuk mund të jetojnë më aty. “Gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë në rrezik banorët. Dislokimi është mënyra e vetme”, ka thënë Rraci të premten. E kjo zonë është e banuar kryesisht me përfaqësues të minoriteteve.

Bislim Hoti, zv.kryesues në KK të Gjakovës, ka thënë se për këtë zonë do të paraqesë një kërkesë në KK që këtyre banorëve t’u bëhet një zgjidhje afatgjate. “Edhe vetë qytetarët janë të interesuar që të largohen nga ai vend”, ka thënë Hoti. “Gjatë bisedave kemi konstatuar se ata banorë nuk duhet më të rrezikohen, por duhet që nga tash të punohet dhe t’u sigurohen troje, në mënyrë që më pas të gjenden fonde për t’ua ndërtuar shtëpitë”, thotë Hoti. Sipas zyrtarëve komunalë, edhe zonat përgjatë lumenjve vazhdojnë të jenë në rrezik, ndonëse sipas drejtorit Rraci, në këto pjesë ka pasur intervenime infrastrukturore. Sipas Rracit, përmbytjet janë edhe pasojë e uzurpimeve të sipërfaqeve të shtretërve të lumenjve Krena dhe Lukaci, në favor të ndërtimeve pa leje, por edhe mungesës së vetëdijes qytetare për hedhje plehrash në shtretër të lumenjve./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›