E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush janë të huajt që blejnë në Shqipëri dhe zonat përkatëse



Zona më e lakmuar për ngritjen e komplekseve luksoze është bregdeti nga Dhërmiu në Sarandë, por nuk mbetet prapa as Gjiri i Lalzit, ndërkohë që plazhi i Durrësit mbetet “non-grata” për të huajt. Tani që interesi i të huajve për Shqipërinë, e sidomos bregdetin e saj është konfirmuar, kuriozitet mbetet për të parë se ku do të jenë këto investime dhe cilët do të jenë ata që blejnë dhe ndërtojnë në vendin tonë. Pika më e fortë që tërheq në fakt të huajt është pikërisht bregdeti, por pjesa më e madhe e tyre është duke pritur miratimin e planeve urbanistike. Një faktor mjaft pozitiv për vendin tonë është edhe mosprekja nga kriza e kredive, që ka prekur të gjithë Botën e zhvilluar e madje edhe pak Rumaninë dhe Bullgarinë. Për aq kohë sa Shqipëria është larg kësaj krize, pritshmëritë janë për rritje çmimesh të pasurive të paluajtshme dhe prandaj të huajt nuk hezitojnë të investojnë. Jugu i vendit, por pa përjashtuar edhe Durrësin me Shëngjinin po kthehen në një “lulëzim” për shitblerjet e pasurive të patundshme.

Të huajt blejnë 30 për qind të pasurive të patundshme

Sipas përllogaritjeve të agjentëve imobiliarë, shitjet tek të huajt zënë rreth 30 për qind të totalit të transaksioneve të pasurive të patundshme, nivel që pritet të rritet gjatë viteve në vazhdim. Shtimi i interesit të të huajve po shoqërohet në fakt edhe me rritje të çmimeve në këto zona që pritet t’i kalojnë 1000 euro/m2 këtë vit. Përgjithësisht “bumi” i kërkesave për apartamente në bregdet nis në maj, kur fillon edhe sezoni i ngrohtë, pasi gjatë nëntor-marsit shitjet në këto zona janë shumë minimale dhe thuajse të “ngrira”. Agjentët imobiliarë thonë se asnjë nuk duhet të hezitojë që të blejë një truall apo apartament në bregdet nëse për to ka një dokumentacion të rregullt. “Apartamentet në këto zona mund të shfrytëzohen shumë mirë për t’u dhënë me qira, kryesisht në 3 muajt e sezonit veror”, -shpjegojnë agjentët. Interesi në rritje i të huajve për këto zona mund të jetë edhe një arsye më e mirë për të investuar në këto zona, sepse kërkesa për qira do të vazhdojë të jetë e lartë.

Kush janë investitorët me potenciale më të mëdha blerëse

Investitorët më potencialë për momentin në Shqipëri janë izraelitët, arabët, gjermanët, por jo italianët dhe grekët. Gjithsesi, prania e grekëve është shumë më e ndjeshme së ajo e fqinjëve të tjerë, italianëve, përsa i përket tregut të blerjes së pasurive të patundshme. “Grekët kanë interes për blerje tokash dhe investime në turizëm, meqë edhe me mentalitet janë më pranë me shqiptarët”, - thonë agjentët imobiliarë. Ndërsa investimet e italianëve në këtë fushë mbeten ende mjaft sporadike.
Por grekët dhe italianët janë disa hapa larg investitorëve të tjerë, të cilët po blejnë troje në Shqipëri për t’i zhvilluar, por edhe rishitur. Pasi kanë investuar në vendet pranë tyre, si Jordani, Katar, Arabi Saudite, investitorët arabë i janë drejtuar së fundi edhe Shqipërisë. Blerës jo më pak potencialë janë edhe izraelitët. Këta investitorë i blejnë tokat, i mbajnë për një farë kohe dhe më pas i rishesin për një çmim më të lartë, por ka edhe mjaft kompani që i zhvillojnë zonat. Mjaft interes po shfaqin edhe gjermanët, sidomos ata që kanë investuar tashmë në Rumani dhe Bullgari dhe që e kanë leverdinë te këto vende.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›