Zonat e përmbytura, Vasili e Ksera raportojnë në komision

Tiranë, 21 janar
NOA - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ministri i Punës Spiro Ksera,
kanë raportuar sot në komisionin kuvendor të Shëndetësisë për situatën
epidemiologjike dhe shërbimet sociale në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.
Në raportimin e
tij para deputetëve të maxhorancës, Vasili theksoi se një prej shkaktarëve të
shpërthimit të epidemisë, uji i pijshëm, është monitoruar ccdo ditë dhe nga të
dhënat ai është i konsumueshëm.
Nga puna e
specialistëve të shëndetit publik në terren, kemi ulur në maksimum rrezikun e
shpërthimit të ndonjë epidemie të mundshme si pasojë e situatës që u krijua pas
ikjes së ujërave nga zonat e përmbytura. Aktualisht mund të themi se nga
monitorimi i ujësjellësave dy herë në ditë kemi rekomanduar konsumimin e ujit të
pijshëm pasi për ne ai është i parrezikshëm për shëndetin e popullatës.
Ne kemi hartuar
një plan emergjence për rehabilitimin higjieno-sanitar të zonave dhe pas
miratimit të tij në Komitetin Ndërministror, kemi lënë porosi tek strukturat
lokale të qarkut të Shkodrës për zbatimin e tij në terren, tha ministri
Vasili.
Ministri i Punës
Spiro Ksera raportoi mbi punën e specialistëve të tij në terren në ndihmë të
banorëve të zonave të përmbytura.
Sipas Kserës,
grupet e punës kanë evidentuar kategoritë në nevojë të cilat kërkojnë shërbime
sociale.
Vetëm në komunat
e përmbytura u është ofruar shërbim social 153 personave me aftësi të kufizuar,
62 jetimëve dhe 24 gra kryefamiljare. Kemi urdhëruar zyrat tona rajonale të shërbimit
social në qarkun e Shkodrës që të fusin në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha
familjet që u prekën nga fatkeqësia, tha Ksera.
Sipas tij,
aktualisht në zonën e Nënshkodrës përfitojnë ndihmë ekonomike rreth 6600
familje, ndërsa në gjithë Shkodrën ky numër shkon në 16 mijë familje.
Ksera theksoi se
përveç kësaj, grupet e punës kanë
evidentuar dhe numrin e familjeve pritëse që kanë akomoduar familjet e përmbytura.
Dhe për to janë akorduar ndihma.
Nga të dhënat e
dy ministrave, situata në qytetin e Shkodrës është në kontroll përsa i takon sëmundjeshmërise
dhe ofrimit të shërbimeve sociale.
Por ata theksuan
se duhet një koordinim i punës me institucionet për të rehabilituar sa më parë
zonat nga fatkeqësia që u shkaktoi vërshimi i ujërave të hidrocentraleve.
b.m/NOA