Rama inspekton punimet: Lapraka do transformohet rrënjësisht
Tiranë, 21 janar NOA - Kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Edi Rama ka inspektuar sot punimet për Rikualifikimin Urban të
hapësirës në të dy krahët përgjatë rrugës Lord Bajron. Kjo rrugë bën pjesë në
territorin e Njësisë Bashkiake nr. 11, konkretisht në lagjen e Laprakës.
Ky është një nga ato transformime që flasin
vetë. Është një transformim rrënjësor i kësaj lagjeje të vjetër të Tiranës që
njëkohësisht është një lagje e shtuar me shumë familje të ardhura në Tiranë dhe
jam besimplotë se kjo hapësirë e re publike i jep mundësi të gjithë këtij
komuniteti, që të ketë një jetë sociale dhe që çon më përpara integrimin e
kësaj periferie brenda vetes dhe njëkohësisht edhe me Tiranën, si një premtim i
mbajtur, por njëkohësisht edhe si një model zhvillimi që do të shtrihet në çdo
cep të kësaj periferie, ashtu si në të gjitha periferitë edhe në blloqet ku
jetojnë banorët e tjerë të qytetit, në të gjithë territorin e Tiranës tha
Rama.
Projekti i rehabilitimit konsiston në rikualifikimin
e hapësirave urbane, pajisjen e segmentit të rrugës me elementë të mobilimit
urban me karakter çlodhës, argëtues dhe tregtar, pajisjen me elementë të
ndriçimit përgjatë trotuarit dhe në hapësirat përkatëse,
elementë të gjelbërimit, pemë të larta 4-5
metra, të sistemuara në të dy krahët e saj si dhe një brez të dytë me pemë
përgjatë aksit rrugor, i cili krijon hapësirën çlodhëse që shoqërohet edhe me
elementë të mobilimit urban, parkimet, një element i rëndësishëm i projektit,
janë konceptuar jo përgjatë rrugës kryesore, por të futura në xhepat e krijuar,
duke lejuar kështu qarkullimin e lirshëm të automjeteve.
Po ashtu, në të dy krahët e rrugës Lord
Bajron është ndërhyrë edhe në hapësirat publike midis pallateve, të cilat kanë
nevojë për rikualifikim. Në të gjitha këto zona do të përfshihen elementët
çlodhës urbanë, gjelbërim me pemë, stola por edhe hapësira me karakter argëtues
e lojëra për fëmijë, duke bërë që kjo hapësirë publike të kthehet në shërbim
komunitetit.
k.k/NOA