E Shtunë, 31 Tetor 2026

E destinuar për të punuar në trotuar

Ermonela Selimi rrëfen se ka filluar të lypë që në moshën 4 vjeçe. Këtë jetë bën dhe sot që është nënë e 4 fëmijëve


Është vetëm 20 vjeçe ndërkohë që vuajtjet dhe dielli i ka rreshkur aq shumë fytyrën saqë përngjan se i ka kapërcyer të 50-tat. Jeta e Ermonela Selimit ngjan si një pikë uji me katër fëmijët e saj, që rreken gjithë ditën të fitojnë bukën e gojës me larjen e makinave në kryqëzimet kryesore të bulevardit të fëmijëve. Dhe pse janë ende vogëlushë, ata e dinë mirë zanatin e tyre.


Me një cope leckë dhe shishe me ujë përpiqen të bindin shoferët që në shkëmbim të pastrimit të xhamave t'iu falin dy kacidhe. Dhe kur ndonjëri prej tyre nuk ofron shpërblimin e punës së krahëve të tyre të njomë, nuk mërziten por turren tek makina e radhës. Kjo është përditshmëria e katër fëmijëve të 20-të vjeçares. Sa zbardh dita e deri në mbrëmje këtë punë bëjnë dhe Ermonela thotë se me këtë punë fitojnë bukën e gojës.


Për të, është e vetmja mënyrë për të jetuar paçka se do të kishte dashur që fëmijët e saj t'i kishte çuar në shkollë. Ashtu si dhe ajo, asnjëri prej tyre nuk di shkrim e këndim. Këtë punë e ka bërë edhe ajo që kur ka qenë katër vjeçe e deri më tash askush nuk i është ofruar ta ndihmojë që ajo të braktisë rrugën për një jetë më të mirë.


"Asnjëherë deri më tani nuk ka ardhur një njeri qoftë dhe për të më mundësuar shkollën për çunin e madh, që është 8 vjeç dhe nuk di të lexojë. Nuk marrim as asistencë dhe duke lypur apo dhe duke pastruar makinat fitojmë ca lekë për tu ushqyer dhe nuk bëhet fjalë për të na ndihmuar vetëm pse jemi romë",-të rrëfen Ermonela. 20 vjeçarja është rreshkur me mundin e jetës së saj. Ajo e di fort mire që nuk është e vetmja që jeton në zgrip të mjerimit.


Por nuk ka ndërmend t'i lutet shoqatave apo edhe institucioneve për të fituar bukën e gojës. E di fort mirë se kjo është një rrugë më e mundimshme se sa ajo e bulevardit kryesor të kryeqytetit. Ndaj sa zbardh dita fëmijët e saj zënë kryqëzimet me shpresën që disa fjalë në emër të Zotit do të ngjallin mëshirën e kalimtarëve.


E për fat të mirë, mos njeri, tjetri, do ta bëjë zemrën gur për ca qindarka. Qindarka këto që në ngrysje të ditës kthehen në ca të holla ku Ermonela Selimi siguron bukën e gojës për vete dhe fëmijët e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›