E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja dhe zoterinj Ministra, Të nderuar të ftuar, Nën drejtimin dhe kujdesin tim te drejtperdrejte te gjitha Ministritë dhe Institucionet Qëndrore sapo perfunduan analizat e punës për vitin

Zonja dhe zoterinj Ministra,
Të nderuar të ftuar,

Nën drejtimin dhe kujdesin tim te drejtperdrejte te gjitha Ministritë dhe Institucionet Qëndrore sapo perfunduan analizat e punës për vitin 2002, duke u ballafaquar në një mënyrë të re e të ndryshme nga më parë, me objektivat dhe treguesit e përcaktuar që në fillesat e funksionimit të qeverise që unë drejtoj. Sistemi i koordinimit, monitorimit dhe raportimit të punës së ministrive, që ngritëm për herë të parë vitin e kaluar, filloi të japë rezultatet e tij dhe ndihmoi që keto analiza të ishin më objektive dhe më të frytshme. Transparenca për publikun u dha një dimension tjetër të ri këtyre analizave dhe është një hap i rëndësishëm për të rritur pjesëmarrjen e komunitetit në zbatimin e reformave që kemi ndërmarrë.

Këto analiza u shërbyen te gjithë punonjesve te administratës publike për të kuptuar se çfarë rezultate konkrete kanë mundur të japin dhe se çfarë nuk shkon si duhet në punën e tyre, si dhe të kuptojnë më qartë se për të përballuar ritmet e reja që na kërkon qeverisja në kushtet e hapjes së negociatave për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Europian, duhet shumë më tepër profesionalizëm, seriozitet dhe përkushtim.

Këto analiza u shërbyen anëtarëve të Kabinetit Qeveritar të kuptojnë qartë se çfarë kanë mundur të bëjnë në dikasteret që drejtojnë prej mëse 6 muajsh, si dhe të reflektojnë me seriozitet e përgjegjësi politike mbi përmbushjen e detyrimeve që kanë marrë përsipër, nëpërmjet kontratave te bashkepunimit ligjor e programor qe kam nenshkruar me ta.

Këto analiza ishin shumë të vlefshme edhe për mua si Kryeministër, për të reflektuar më qartë e më thellë mbi rezultatet e punës së Kabinetit Qeveritar që unë drejtoj, dhe, veçanërisht, mbi impaktin e kësaj pune në të gjitha aspektet e zhvillimit të jetës së vendit. Unë desha të ndaj me ju këtë reflektim që në shumë aspekte, për shkak të thellësisë së reformave të ndërmarra, e tejkalon kufirin kohor të kësaj qeverie, prandaj ju kam ftuar që, në mënyrë të hapur të parashtroj vlerësimet e mia si Kryeministër jo mbi sukseset dhe arritjet, të cilat janë të dukshme, por mbi atë që duhet bërë, me mire për të përmbushur siç duhet misionin që na është besuar nga vota e maxhorancës së shqiptarëve.

Unë vazhdoj të mbetem plotësisht i bindur për sot e për të ardhmen se një progres real i vendit mund të arrihet vetëm nëpërmjet partneritetit të të gjithë aktorëve dhe faktorëve që ju përfaqësoni, prandaj e gjykova si të nevojshme e të domosdoshme t'i paraqes këto mendime edhe në praninë tuaj.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Disa ditë më parë u zyrtarizua fillimi i negociatave me Bashkimin Europian për nëshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky moment historik për shtetin shqiptar shënon fillimin e një procesi të pakthyeshëm drejt afrimit me Europën dhe me realitetet globale. Formalizimi i negociatave është një mundësi reale për shtetin shqiptar për t'u ulur në tryeza bisedimesh me institucionet përfaqësuese të BE-së, tashmë si partnerë, duke ngritur nivelin e dialogut politik me Brukselin dhe qeverite e vendeve te rajonit dhe per te punuar me intensivisht me ta, per pershpejtimin e reformave te integrimit europian te vendit.

Nga ana tjetër fillimi i negociatave është një përgjegjësi e lartë atdhetare dhe si i tillë kërkon forcimin dhe konsolidimin e marredhënieve të bashkëpunimit përfaqësues midis maxhorancës dhe opozitës, politikes dhe shoqerise civile, administrates publike dhe sipermarrjes, shtetit dhe qytetareve.

Procesi ynë integrues është konkretizuar në një kalendar veprimesh të cilin duhet dhe do ta realizojmë së bashku. Qeverisë që unë drejtoj i takoi nderi dhe përgjegjësia e këtij çasti historik, jo vetëm për të kurorëzuar përpjekjet disavjeçare që janë bërë për të demonstruar me anë te progresit te reformave se Shqipëria mund të jetë një partner serioz i Europës, por, veçanërisht, për të përmbushur detyrimet që na takojnë për nënshkrimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshje, edhe më tej, për antarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Këtu nuk është fjala thjesht për një proces teknik negocimi, sado i komplikuar që të paraqitet ky, dhe aq më pak vetëm për përgatitjen e disa ligjeve e vendimeve. Mbi të gjitha, ai është një proces i zhvillimit të gjithanshëm e të qëndrueshëm të vendit, mbi bazen e krijimit dhe forcimit te kapaciteteve absorbuese dhe zbatuese te normatives europiane ne te gjithe sektoret e jetes shqiptare, një proces përshpejtimi reformash transformuese për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit politik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe arritjen e standarteve të domosdoshme në ushtrimin e lirive dhe te drejtave themelore te njeriut.

Ne duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ky proces nuk është as i lehtë dhe as i thjeshtë. Mbi të gjitha ai është një proces i zhvillimit të gjithanshëm, proces i stabilizimit politik, ekonomik dhe institucional të Shqipërisë përmes zhvillimit të shoqërisë civile dhe demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe thellimit të reformës së administratës publike, intregimit në tregjet e rajonit dhe shtimit të bashkëpunimit ekonomik, përfshi dhe çështjet e mprehta të drejtësisë dhe sigurisë e cila është bërë dhe po bëhet çdo ditë e më shumë çështje rajonale dhe globale. Ky proces është i pandarë nga aksioni që qeveria që unë drejtoj ka nisur dhe që lidhet me luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit.

Në këtë aksion të gjithanshëm integrues, çdo forcë politike, institucion, shoqatë dhe individ ka përgjegjësinë dhe detyrimin e vet politik e atdhetar për të dhënë kontributin, në dobi të përshpejtimit të këtij procesi. Ne e dimë se përgjegjësia ligjore, politike dhe historike e qeverisë që unë drejtoj është veçanërisht e madhe dhe roli i saj në identifikimin, projektimin dhe zbatimin e reformave që kërkohet të ndërmerren, është përcaktues. Kjo përgjegjësi bëhet më e madhe për faktin se shpejtësia e procesit të integrimit varet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kryesisht nga rezultatet e punës sonë. Dyert e Evropës së Bashkuar do të hapen vetëm me shtytjen që do t'u japin atyre rezultatet konkrete të reformave që kemi realizuar dhe aftesite tona per te zbatuar marreveshjen e SA qe do te negociojme.

Zonja e zotërinj,

Detyra e çdo qeverie është të prodhojë vepra konkrete në dobi të publikut dhe me pikësynim përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Ne po ndërtojmë një politikë qeverisëse të kthyer me fytyrë nga njeriu dhe problemet e tij, larg patetizmit bosh dhe frymës tradicionale ballkanase.

Vetëm në planet e këtij viti ne kemi parashikuar një varg veprash të rëndësishme, shumë prej të cilave tashmë janë futur në proces. Para disa javësh ne nënshkruam investimin më të madh amerikan në vëndin tonë, atij të kompanisë "Lockeed Martin" prej 33 milion dollarësh. Jemi në proces për përmbylljen e akseve rrugore kryesore të vendit, siç janë korridori 8. Parashikohen që me buxhetin e shtetit të ndërtohen rrugë të reja 105 kilometra dhe sistemim i 150 kilometrave të tjera në rrjetin nacional. Me kontribute të huaja do të ndërtohen mbi 70 kilometra rrugë ku kryesore do të jenë akset Rrogoxhinë-Elbasan; Qukës-Qafë Thanë; Fushë Krujë- Tapizë, Sukth-Durrës etj. Po me kontribute të huaja do të reabilitohen mbi 210 kilometra. Do të përfundojnë dy ura të mëdha, ajo e Bogovës dhe e Gjanicës si dhe mbi 55 ura të tjera dhe vepra arti.

Po këtë vit do të ndërtohen 52 shkolla të reja në arsimin tetëvjeçar dhe do të rikonstruktohen mbi 80 të tjera. Në arsimin e mesëm do të ndërtohen 3 shkolla të reja dhe 25 do të rehabilitohen. Në atë të mesëm profesional do të rikonstruktohen 12 shkolla dhe konvikte, ndërsa për arsimin e lartë do të ndërtohen pesë godina të reja duke përfshirë akademinë e sporteve në Tiranë e po ashtu një bibliotekë dhe një palestër në Shkodër, ndërtime të reja janë parashikuar në universitetin e Korçës dhe në qendrën universitare të Gjirokastrës.

Do të përfundojnë sipas fazave të përcaktuara në programet e zhvillimeve rajonale spitalet në Gjirokastër, Tepelenë, kukës, Shkodër, Lezhe, Korcë., klinikat e specializuara në QSUT si dhe do të fillojnë nga puna spitali në Durrës, maternitetet në Lushnjë e në Tiranë. Po ashtu do të ndërtohen 71 ambulanca të reja në zonën rurale e 20 qendra shëndetësore të reja; do të rikonstruktohen 8 poliklinika dhe 12 klinika dentare. Do të ketë investime të ndjeshme në 124 spitale të vendit.

Projekte ambicioze do të realizohen gjithashtu në furnizimin me ujë te pijshëm në të gjithë vendin ku në 80 qytete dhe fshatra do të ndërtohen ujesjellsa të rinj dhe 17 ujësjellësa masivë si ai Vlorës, Mamurasit, Shkodrës, Konispolit, Rrëshenit, etj

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Duke ballafaquar konkluzionet e analizave që porsa përfunduam me objektivat e procesit te Stabilizim-Asocimit, ju paraqes vlerësimin tim se, pavarësisht rezultateve të arritura, ne kemi nevojë urgjente të përmirësojmë rrënjësisht dhe para së gjithash qeverisjen.

Sa herë kam tentuar ta adresoj këtë problem, jam ndodhur para një reagimi të përgjithshëm, përfshirë opozitën politike dhe median, se po fryn era e ndryshimeve në Kabinetin Qeveritar. Këtij interpretimi të përciptë nuk i janë shmangur dot as vetë disa nga pjesëtarët e Kabinetit tim.

Sigurisht, asnjëherë nuk kam hezituar dhe nuk do të hezitoj edhe në të ardhmen, që të inicioj ndryshime të domosdoshme dhe të arsyetuara në qeveri, apo të nxis një proces të natyrshëm transformimesh për të cilët shoqëria jonë ka nevojë. Por me përmirësim të qeverisjes unë nënkuptoj një koncept shumë më të gjerë e më të thellë se sa ndryshimi i një apo disa drejtuesve. Përvoja e këtyre 6 muajve, dhe jo vetëm kjo, tregoi qartë se ndryshime të tilla janë të pamjaftueshme për të dhënë një impakt të dallueshëm në punën e qeverisë dhe të administratës publike.

Ne kemi mundur të realizojmë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, por veçanërisht në 3-4 vitet e fundit, një seri reformash, shumica e të cilave janë vlerësuar si të suksesshme, por nuk kemi mundur të reformojmë sa duhet vetë qeverisjen. Ne kemi ngritur nga themelet shkolla e spitale, kuadrin ligjor të disa sektorëve, por qeverisja nuk përmirësohet dhe sillet në standarte europiane vetëm duke bërë riparime të natyrës kozmetike afatshkurtër, pa u futur thellë e me një vision afatgjatë në vetë themelet dhe kapacitetet e shtetit. Nuk mund të vazhdojmë ta shohim qeverisjen si një mision disamujor për të çuar përpara vetëm disa reforma, duke e ngushtuar spektrin e transformimeve që jemi angazhuar të realizojmë.

Mungesa e vizionit afatgjatë duket qartë në politikat dhe strategjitë sektoriale e kombëtare të hartuara pareshtur gjatë këtyre 12 viteve të tranzicionit, të cilat përgjithësisht janë konfuze në lidhje me objektivat dhe treguesit që synojnë të arrijnë, afatet dhe kostot përkatëse, si dhe janë të parakorduara mirë me njëra-tjetrën. Shumë prej këtyre dokumenteve u mungojnë axhendat e aksionit konkret dhe treguesit e efektivitetit. Për këtë arsye nuk është arritur që të ngrihet një sistem monitorimi dhe vlerësimi i qëndrueshëm dhe adekuar për të kontrolluar zbatimin e parashikimeve të bëra në këto dokumente.

Tek ne qeverisjes i mungon funksioni i politikëbërjes, si dhe mungojnë strukturat e specializuara shtetërore që merren me hartimin e politikave e strategjive të qarta, që garantojnë rezultatet, që mbështeten në një vision modern e afatgjatë dhe jo në domosdoshmërinë për të reaguar me shpejtësi ndaj trysnisë së kushtëzimeve dhe situatave emergjente.

Ne jemi të vendosur që të qeverisim ndryshe, me një vizion të ri e mendësi europiane, është e domosdoshme të ridimensionojmë këtë funksion, si në Këshillin e Ministrave ashtu dhe në çdo ministri. Kjo do të na ndihmojë të kemi një vizion të plotë e të njësuar mbi ato që duhet të bëjmë. Një vizion i tillë duhet të përmblidhet qartë në Strategjine Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit. Ne sapo e kemi filluar këtë proces dhe ky është një rast i mirë për t'i krijuar e konsoliduar këto funksione dhe për t'i mbështetur me strukturat përkatëse.

Eshtë rasti të theksoj se ky dokument i rëndësishëm do të pasurohet me objektiva të qarta e të përputhura mirë si me objektivat globale të Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin ashtu edhe me objektivat specifike të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Strategjia e Zhvillimit Ekonomik e Social të vendit nuk mund të konsiderohet veçmas nga strategjia e integrimit euroatlantik. Ky dokument do të harmonizojë, gjithashtu, politikat e zhvillimit kombëtar me ato të zhvillimit lokal, si dhe të reflektojë transferimin e disa funksioneve themelore qeverisëse nga pushteti qëndror tek ai lokal dhe komplementaritetin e veprimeve të këtyre dy pushteteve.

Qeveria do të ngrejë menjëherë një sistem monitorimi për të mbështetur e kontrolluar zbatimin e kësaj strategjie. Të dhënat e këtij sistemi do t'i shërbejnë Këshillit të Ministrave për të ndjekur progresin e reformave, si dhe për të analizuar periodikisht çështjet që lidhen me takimet e grupeve negociatore.

Hartimi i politikave dhe strategjive si në çdo vend demokratik është pronësi e administratës publike, por nuk mund të mbetet monopol i saj. Unë mbetem i vendosur që këtë proces ta zhvillojmë të hapur ndaj ekspertizës së opozitës, shoqërisë civile dhe institucioneve akademike e shkencore, që të mund të ndërtojmë një bashkëpunim të vazhdueshëm institucional për të përpunuar politikat kombëtare si dhe për të hartuar programe të veçanta në dobi të përmbushjes së angazhimeve tona integruese.

Debatet e mëdha publike mbi tema me sensitivitet real, siç janë ato mbi energjinë elektrike, ujin e pijshëm, të ardhurat nga doganat e tatimet etj., ka ardhur koha të bëhen objekt tryezash reale midis institucioneve shtetërore, aktorëve të interesit dhe ekspertizës më të mirë të vendit. Ne duhet të ndërmarrim veprime të shpejta e konkrete për ta afruar këtë ekspertizë, duke përcaktuar modalitetet dhe identifikuar burimet financiare. Këtu kam parasysh edhe ekspertët shqiptarë që punojnë me shumë sukses në institucionet ndërkombëtare.

Të përmirësosh rrënjësisht qeverisjen do të thotë, gjithashtu, të përcaktosh misione të qarta e afatgjata për të gjitha strukturat qeverisëse, si për Këshillin e Ministrave ashtu edhe për të gjitha Ministritë dhe institucionet qëndrore. Funksionet dhe strukturat organizative duhet të jenë rrjedhime logjike të këtyre misioneve dhe duhet të përputhen me funksionet dhe strukturat e institucioneve analoge te Bashkimit Europian dhe te vendeve anëtare.

Po të analizosh thellë këtë koncept dhe ta ballafaqosh me realitetin e 10 viteve të fundit, nuk është e vështirë të kuptosh se ne vazhdojmë të mbetemi pre e mendësive të shkuara në këtë aspekt të qeverisjes. Aktualisht pushteti Ekzekutiv ushtrohet nga 18 ministri, nga të cilat 16 me struktura te plota, nga 22 institucione qëndrore, 12 prefektura, një numër shumë i madh agjencish ekzekutive, institutesh, drejtorish rajonale, komisionesh apo komitetesh shtetërore etj. Askush nuk i ka shkuar deri në themel analizës së këtyre strukturave, të efiçensës së tyre, bazuar në misione e funksione moderne. Perkundrazi, vazhdojmë të rrotullohemi në qerthullin e strukturave te vjetra, me debate pa fund.

Si rezultat shteti është mbushur me tentakula që i thithin papushim energjinë, që po i marrin frymën dhe që bëjnë që aksionet që ndërmerren të kenë efekte shumë të vogla në jetën e përditëshme të njerëzve.

Jemi duke rivlerësuar konform standarteve europiane morinë e Komiteteve dhe Agjencive të cilat vazhdojnë të kryejnë funksione që mund të përmbushen fare mirë nga ministritë.

Është paradoksale që ekziston një strukturë si Enti Kombëtar i Zonave të Lira, kur realisht nuk kemi të tilla. Duhet rivlerësuar efiçensa e këtyre lloj drejtorive dhe komiteteve në këtë realitet të ri kur vetë struktura të shtetit apo të shoqërisë civile janë kontribuese reale në fushat përkatëse.

Po kështu, struktura të tilla si Agjencia Kombëtare e Privatizimit duket se e kanë humbur prej kohësh funksionin e tyre dhe mbahen në këmbë për inerci ose për të mbajtur të përqëndruara disa kompetenca të panevojshme që është shumë më llogjike të decentralizohen duke u kaluar ministrive të linjës apo pushtetit vendor.

Ne duhet të marrim vendime të shpejta për një sistem të ri vartësie të institucioneve, duke lënë vetëm një numër të vogël të domosdoshëm prej tyre në vartësi të Këshillit të Ministrave dhe duke i përfshirë të tjerat brenda funksioneve të reja të Ministrisë, ose duke i shpërbërë apo duke i veçuar si institucione publike te pavarura.

E njëjta llogjikë duhet të ndiqet edhe nga secila ministri për të gjithë rrjetin e institutive dhe agjencive shtetërore që kanë në vartësi, shumica e të cilave kanë një impakt të papërfillshëm ose janë kthyer në strehëza komode për të punuar privatisht me zyrat dhe mjetet e shtetit. Atyre që mbeten, t'u jepen kompetencat e plota që u njeh ligji, për ta mbyllur vetë të gjithë ciklin e përgjegjësive.

Me këto masa, administratës publike do t'i përmirësohet frymëmarrja dhe ne do të na krijohen kushte që të motivojmë edhe më shumë punonjësit e aftë e të përkushtuar.

I gjithë ky process duhet të shoqërohet me konsultime të vazhdueshme me partnerët tanë ndërkombëtare, veçanërisht me Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian, të cilët janë dhe mbështetësit më kryesorë të reformës së qeverisjes, me qëllim që çdo hap të përputhet me standartet e përparuara të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përmirësimi i sistemit dhe i standarteve të menaxhimit është një kërkesë tjetër e domosdoshme për përmirësimin e qeverisjes.

Nga analizat e bëra rezulton se sistemi dhe standartet e menaxhimit në nivelin e Këshillit të Ministrave dhe të Ministrive lënë për të dëshiruar. Unë dua të veçoj dhe analizoj ato aspekte, ku edhe dobësitë rezultojnë më të mëdha.

Këshilli i Ministrave nuk është ende plotësisht në rolin e tij si një institucion kolegjial. Nga njëra anë, kjo është rezultat i një mendësie, që gati po kthehet në traditë, se funksioni kryesor i qeverisë është nxjerrja e vendimeve dhe projekligjeve, aq sa numri i tyre po shndërrohet në një tregues plani dhe shqyrtimi i tyre po dominon punën e Këshillit të Ministrave. Ky është një handikap i madh që duhet t'a kapërcejmë sa më parë. Midis nevojës për të përgatitur ligje dhe vendime të reja dhe asaj për t'i zbatuar ato, prioritare është zbatimi rigoroz i ligjeve dhe vendimeve ekzistuese. Menaxhimi i plotë i procesit të zbatimit të tyre, i lidhur ngushtë me kuadrin e objektivave programore, monitorimi, kontrolli dhe raportimi duhet të zënë vendin kryesor në veprimtarinë e qeverisë.

Rritja e ndjeshme e numrit të akteve ligjore dhe nënligjore që vijnë për shqyrtim e miratim në Këshillin e Ministrave po ngadalëson ritmet e punës së Ministrive, duke minimizuar funksionet dhe veprimtarinë rregullatore të tyre. Ministritë dhe strukturat ekzekutive duhet ta mbyllin vetë ciklin e zgjidhjes së problemeve nëpërmjet akteve nënligjore. Kjo praktikë duhet të shtrihet edhe në nivelin e institucioneve qëndrore, agjencive shtetërore dhe Prefekturat. Kështu do të rritet shkalla e vetveprimit dhe përgjegjësia e të gjitha hallkave qeverisëse dhe do të zvogëlohet tendenca mjaft e demshme e "përgjegjësisë kolektive".

Metodika e përgatitjes së akteve që kalojnë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave ka dobësi të theksuara. Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht sipas modeleve evropiane të qeverisjes, të cilat, megjithëse janë propozuar shumë vjet më parë, nuk janë zbatuar me një kokëfortësi të pashpjegueshme nga të gjitha qeveritë.

Sigurisht që metodika e re kërkon më shumë punë e profesionalizëm. Ajo zbatohet përmes një procesi më të gjatë e më të vështirë, por krijon kushte për të përgatitur akte shumë më cilësore, të kordinuara mirë e mbi të gjitha të zbatueshme dhe që i rezistojnë kohës. Ajo garanton pjesmarrjen e të gjitha Ministrive dhe Institucioneve Qëndrore të interesuara, si edhe të përfaqësuesve të pushteteve të tjera, të shoqërisë civile dhe të publikut.

Dua të theksoj me këtë rast se, sipas Kushtetutës, përgatitja e projektligjeve nuk është një e drejtë ekskluzive e qeverisë. Pra ekziston hapësira ligjore që propozimet të bëhen nga grupime me interesa reale e të drejtpërdrejta mbi problemin që duhet të rregullohet me ligj. Në bashkëpunim me Kuvendin, ne duhet të identifikojmë dhe nxisim mekanizmat e duhura që propozime të tilla të mund të formulohen nga grupimet përfaqësuese të shoqërisë civile, shoqatave, agjencive, madje ndofta edhe nga përfaqësues reale të sektorit privat.

Këto mënyra të vepruari do të krijojnë hapësirat për një punë më profesionale të Qeverisë, për një fokusim në analizat mbi zbatimin e programeve të saj. Përfshirja më e dukshme e Qeverisë në këto analiza dhe përgjegjësitë më të qarta të Ministrive, do të krijojnë mundësitë për uljen graduale të rolit të Komiteteve Ndërministrore, të cilat janë aktualisht të shumta dhe jo gjithmonë eficiente.

Kjo mënyrë menaxhimi do t'i mundësojë Këshillit të Ministrave të vihet në krye të drejtimit, monitorimit dhe kontrollit të çdo hapi që duhet hedhur gjatë procesit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke mos e lënë këtë proces vetëm në dorën e një ministri apo të një grupi negociatorësh. Qeveria do t'u paraprijë takimeve periodike 6 javore të grupeve të negociatorëve me analiza të thella problemore, të cilat duhet të garantojnë përmbushjen e të gjitha angazhimeve që merren gjatë këtyre negociatave.

Shumë më problematik është sistemi i menaxhimit të Ministrive, ku jo vetëm mungojnë standartet, por vihen re devijime serioze sistematike nga funksionet për të cilat janë ngritur. Shembulli më tipik është sistemi i menaxhimit të fondeve publike, të cilat gjithnjë e më shumë po thithin energjinë e administratës publike dhe po i kthejnë ministritë nga "prokuruese të politikave" në "prokuruese mallrash, investimesh e shërbimesh".

Administratat e ministrive dhe personalisht Ministrat shpesh herë i kushtojnë një vemendje shumë më të madhe prokurimeve se sa reformave. Të vetmit tregues që zbërthehen me shumë kujdes dhe që realizohen me nxitim janë prokurimet. Kjo na përball me një nga çështjet më të rëndësishme e më të debatuara të qeverisjes, korrupsionin.

Natyrisht, debati publik mbi korrupsionin duhet të kalojë nga një debat i dominuar nga thashethemet që lindin prej luftës primitive politike, në një debat ku dominon domosdoshmëria e reformave të thella të sistemit të menaxhimit.

E theksoj këtë sepse socialistët dhe demokratët nuk janë të ndershëm ose të pandershëm në bazë të një definicioni të llojit, por janë burime njerëzore që mund të gjenerojnë njëlloj, sukses ose korrupsion, në vartësi të sistemit të menaxhimit ku integrohen. Një sistem i bazuar mbi programe dhe rregulla të qarta dhe në mekanizma të kontrolluara e të kontrollueshëm, i ngushton shumë hapsirat për përfitime që lindin nga përkatësitë partiake apo nga preferencat nepotike.

Përsa kohë që do të punojmë me mekanizma të vjetëruara menaxhimi, do të mbetemi në grackën e ndarjes primitive të njerëzve në të ndershëm, kur nuk kanë gjë në dorë, dhe në hajdutë dhe të korruptuar, kur kanë gjë në dorë. Do të vazhdojmë me politikën e akuzës mbi kundërshtarin dhe të një kulture që e prezumon individin të fajshëm. Kjo është një luftë demagogjike, që në thelb ka mendësinë totalitariste të dominimit të gjithkujt që mendon ndryshe, duke e prezumuar fajtor. Kjo mungesë absolute respekti për integritetin e personit, duke përbaltur gjithkënd që punon, jo vetëm nuk na afron por na ndan e na largon dukshëm nga Evropa.

E bëra këtë parantezë për të theksuar se në mjedisin tonë politik dhe shoqëror, duke treguar me gisht si të korruptuar atë që mendon ndryshe, është krijuar një hapësirë komode për të korruptuarit dhe trafikantët e vërtetë.

Praktika e punës ka treguar qartë se korrupsioni nuk mund të luftohet me efikasitet vetëm me komitete, me slogane a me spote televizive apo T-Shirte. Ne jemi përqëndruar shumë më tepër në luftën institucionale ndaj korrupsionit ne administratën publike, duke harruar se infeksioni është në karrigen e nëpunësit, i cili, edhe kur ulet i ndershëm, gradualisht kupton dobësitë, boshllëqet, pasaktësitë dhe gabimet e ligjeve dhe rregullave që kemi vënë, dhe menjëherë i ngjitet dalldia e parave që filtrojnë në këto hapësira dhe i kalojnë nën hundë.

Në vend që të kuptojmë qartë këtë e të përpiqemi të shërojmë sëmundjen, ne vazhdojmë të debatojmë aq sa nganjëherë edhe t'i quajmë të pavërteta, mesazhet e qarta që vijnë si nga publiku ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në fakt ka një përqëndrim të jashtëzakonshëm të gjithçkaje që lidhet me fondet publike dhe një qëndresë të skajshme ndaj lëshimit të kompetencave, që i çorodit mjaft strukturat shtetërore, e ul efiçiencën e tyre dhe lejon dukshëm hapësira korruptive.

Synimi i pakësimit të korrupsionit vetëm nëpërmjet përqëndrimit vend e pa vend të prokurimeve nuk është arritur. Në fakt, ajo që është arritur është vetëm përqëndrimi i korrupsionit. Ndërkohë, nuk është punuar ose është punuar pak për të krijuar një kuadër ligjor e rregullues që nuk lejon mashtrimet me tenderat, si dhe mekanizma mbështetëse në strukturat e ulëta ku adresohen fondet e shpërqëndruara.

Ne duhet përfundimisht ta ndalojmë teatrin e firmave që marrin pjesë në tendera dhe që i shesin tenderat njëra tjetrës nën regjinë e stafeve të ministrive dhe nën "kontrollin" procedurial të Këshillit të Ministrave, të cilit i kërkohet të kontrollojë brenda 7 ditëve një tender që ka zgjatur 7 muaj.

Rregulli i artë i çmimit më të ulët për çdo lloj prokurimi, jo vetëm nuk ka rezultuar i tillë , por shpesh ka bërë që pas tenderave të stërzgjatura e të përfolura të prokurohet me çmime shumë më të larta se ato të tregut. Prandaj kam dhënë urdhera të prera ekzekutive për ndryshime thelbësore në ligjin e prokurimit publik, të bazuara në legjislacionin e përparuar, dhe, pas miratimit të tij, për hartimin e shpejtë të një kuadri të plotë rregullues.

Ne duhet, gjithashtu, të rishikojmë urgjentisht kompetencat menaxhuese të buxheteve sektoriale, duke decentralizuar përgjegjësitë, duke i dhënë më shumë kompetenca strukturave të cilave u adresohen fondet.

Unë u ndala hollësisht në analizën e Ministrisë së Shëndetësisë në çështjen e praktikave korruptive në këtë sektor. Do të ishte absolutisht e gabuar të mendonim se personeli i spitaleve eshte një tufë njerëzisht të korruptuar, që të gjithë mjekët dhe drejtuesit, profesorët dhe ekspertët e rinj, që shpesh herë i duhet të punojnë në kushte mjaft të vështira, apo që të gjithë infermierët e spitaleve, që shpërblehen shpërblehen me një pagë shumë modeste për shëbimet që kryjnë, janë të korruptuar.

Në fakt, jashtë këtij interpretimi, shqetësimi im kryesor i adresohet para së gjithash administrimit të spitaleve dhe sistemit menaxhues të fondeve në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat i lënë hapsira të mëdha praktikave abuzive. Ne duhet të ndryshojmë urgjentisht sistemin e administrimit të fondeve të këtij sektori, duke i dhënë më shumë kompetenca, e rrjedhimisht duke i rritur përgjegjësinë atyre që përfitojnë nga këto fonde. Strukturat menaxhuese të spitaleve, trupat drejtuese dhe mjekët duhet të kenë më shumë zë në administrimin e fondeve.

Çështja e rishikimit të thellë të mënyrës së menaxhimit të fondeve publike duhet të konsiderohet e harmonizuar me procesin e decentralizimit dhe në bashkëpunim me pushtetin vendor, duke i kaluar pa hezitim disa kompetenca që mbahen pa kuptim ende nga pushteti qendror.

Arësyeja duhet kërkuar tek largësia e madhe midis Ministrive dhe komuniteve që kane nevojë për këto investime publike dhe tek ndryshimi i qartë i interesave që të dy palët kanë ndaj këtij problemi. Kjo largësi nuk krijon asnjë mundësi për të ushtruar trysni ligjore ndaj menaxhuesit të fondeve. Krejt ndryshe do të ndodhë me njësitë e qeverisjes vendore. Projekti do t'i afrohet më shumë kërkesave të komunitetit, modifikimet do të bëheshin më shpejt, prokurimi do të ishte nën kontrollin e përfaqësuesve të komunitetit dhe, në fund të fundit, për çdo dështim përgjegjësia do të bjerë mbi njerëzit e zgjedhur nga vetë komuniteti dhe jo mbi një komision te panjohur prokurimi në Ministri.

Transferimi i disa kompetencave të menaxhimit të fondeve publike tek pushteti vendor do të ndikonte, gjithashtu në zgjidhjen e çështjes së aferës korruptive të ndihmës ekonomike. Sistemi i ndihmës ekonomike vazhdon në mënyrë paradoksale të bazohet në një listë personash, që është jashtë kontrollit, dhe që njësitë e qeverisjes vendore janë të interesuara ta rrisin pafund. Mekanizmi dhe kriteret e administrimit të fondeve të cilët kapin shifrën 4 miliard lekë, pra një shifër e konsiderueshme për taksapaguesin shqiptar, kanë rezultuar të papërshtatëshme.

Nëpërmjet këtyre mekanizmave dhe transferimit të përgjegjësive tek pushteti vendor, me siguri përmirësojmë menaxhimin dhe evitojmë që njerëz me makina luksoze apo te vjedhura të vazhdojnë të trokasin në dyert e Ndihmës Ekonomike.

Çështja e përmirësimit të qeverisjes është e lidhur ngushtë me menaxhimin e burimeve njerëzore. Pa mohuar progresin e dukshëm dhe rezultatet e arritura në reformën e administratës publike pas miratimit të ligjit mbi statusin e nëpunësit civil, më lejoni të theksoj se administrata publike vazhdon të jetë larg standarteve Evropiane. Unë dua të ndalem në disa dukuri mjaft të dëmshme që e pengojnë arritjen e këtyre standarteve dhe që lidhen drejtpërdrejtë me punën e anëtarëve të Kabinetit Qeveritar.

Paqëndrueshmëria e administratës publike është një sëmundje që vazhdon të mbartet nga një qeveri në tjetrën. Sigurisht, ne kemi mundur të evitojmë largimet nga administrata për motive politike. Por tashmë bie qartë në sy fenomeni i preferencave dhe i mosbesimit në ekipet e mëparshme, pas çdo ndërrimi të kabineteve qeveritare, i cili në mënyrë të gabuar, ka çuar në lëvizje pa kriter apo edhe në dublime të palejueshme të strukturave.

Shembuj të dukshëm janë rastet e praktikave të komunikimit të disa ministrave me specialistët e drejtorive, kur nuk preferojnë drejtorat e emëruar nga ministrat e mëparshëm, sipas procedurave të shërbimit civil. Por shëmbulli më tipik është ai i Sekretarëve të Përgjithshëm të institucioneve, roli i rëndësishëm i të cilëve vazhdon të mos kuptohet siç duhet.

Ne duhet të ndalojmë përfundimisht menaxhimin e burimeve njerëzore me preferenca e në kundërshtim me ligjin, taktikën e veçimit dhe të izolimit të njerëzve për t'i nxitur të japin dorëheqjen. Ne duhet të kërkojmë me kembëngulje zbatimin e ligjit, si për marrjen në punë të punonjësve të shërbimit civil, ashtu edhe për largimin e tyre nga puna, sepse ligji përmban kritere e procedura shumë të qarta për to.

Zgjidhja e menjëhershme e çështjes së vlerësimit të punës së punonjësve në bazë të termave të referencës, programit individual të punës dhe vlerësimit periodik e me shkrim nga eprorët, i cili, në kundërshtim me ligjin, ose nuk bëhet fare për stafet e ministrive ose bëhet sa për të kaluar rradhën do të rriste standartet e punës së tyre. Ky vlerësim duhet të jetë baza ligjore e kontrollit të punës për secilin dhe e vendimeve që rrjedhin për përputhjen e postit me cilësitë e individit dhe jo opinionet subjektive të nxitur nga preferencat, thashethemet apo keqdashjet e shefave.

Për të gjitha këto çështje që lidhen me zbatimin apo pasurimin e ligjit të shërbimit civil, kam urdhëruar te ushtrohet një kontroll i rreptë administrativ, rezultatet e të cilit do të analizohen në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe do të bëhen publike.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Ne kete faze te re ku kemi hyre, Qeveria qe une drejtoj mbetet e hapur te bashkepunoje dhe te rrise me tej prezencen dhe kontributin e te gjithe aktoreve te shoqerise shqiptare, duke filluar nga formulimi i politikave te zhvillimit, e deri tek zbatimi dhe monitorimi i tyre. Jam i bindur se qeverisja ne cdo faze te saj vetem do te permiresohet dhe pasurohet nga ky proces.

Vetem konkurrenca e alternativave mes mazhorances dhe opozites, ne vend te retorikave mediatike apo qendrimeve konfiktualo-izoluese, mund te prodhoje politika me te mira zhvillimi, dhe reforma me vizion dhe me konsensus te gjere, politik e social, duke pershpejtuar realizimin e aspiratave tona integruese.

Kur komunitetet përfaqësuese bashkepunojnë me politiken, parlamentin dhe qeverinë, edhe ligjet behen me te mira e me te qendrueshme dhe krijohet nje ambient i pershtatshem per zhvillimin e vendit.

Jam i bindur se kur partneriteti i Koalicionit Anti-Korrupsion me strukturat e qeverise dhe ato ligjbërëse behet me i ngushte, atehere nderhyrjet dhe aksionet ne luften kunder kesaj semundje te shoqerise shqiptare behen me efikase.

Po keshtu kur Qeveria diskuton me autoritetet lokale gjenerohet gjithnje me shume progres dhe me shume pergjegjesi ne ushtrimin e funksioneve ne te dy nivelet, ne ate qendror dhe ate lokal, ne dobi te qytetarit, taksapaguesit dhe sipermarresit.

Per kete arsye po formulojme dhe strukturojme me mire nje platforme dhe kalendar publik te bashkeveprimit mes ketyre institucioneve te rendesishme te shoqerise shqiptare dhe Qeverise, ne menyre qe kontributet, altenativat te diskutohen hapur dhe ne kohe, qe ky lloj dialogu dhe bashkepunimi konkret te kryhet jo me nen presionin e emergjencave, por t'u praprije sfidave qe kemi perpara per te integruar atdheun tone te perbashket ne Europen e zhvilluar.

Qeveria qe une drejtoj është po aq vulnerabël ndaj suksesit apo ngadalësimit të procesit të SA, po në atë masë që jemi të gjithë. Prandaj ju përsërisim këtë ftesë publike për bashkëpunim, sepse ne nuk po e privatizojmë suksesin. Në këtë proces integrues nuk ka segmente që integrohen dhe të tjerë që mbeten jashtë, por vetë procesi i bashkeveprimit dhe monitorimit reciprok do të evidentojë qartësisht para syve të publikut kontributet e secilit. Zyrat dhe kantieret tona te punes jane te hapura per te gjithe.

Te nderuar te ftuar,
Zoterinj ministra,

Shqipëria ndodhet tashmë para një transformimi të përgjithshëm të cilin jemi të detyruar nga vokacioni euroatlantik i kombit ta përmbushim me dinjitet. Në këtë proces ne jemi të vetdijshëm se edhe shndërrimet e mentalitetit dhe të koncepteve të vetë shoqërisë sonë do të jenë evidente. Jam i bindur se shqiptaret e japim me kënaqësi atë pjesë të koncepteve të trashëguara që na ndan nga strukturat euroatlantike, sikundër po japim një pjesë të sovranitetit tradicional në emër të një shoqërie të hapur të shkëmbimit të vlerave. Në këtë proces, siç e theksova, pa shmangur aspak përgjegjësitë tona si qeverisës dhe kujdestarë të interesave publike, ne mirëpresim bashkëpunimin institucional, të hapur dhe partnerial të aktorëve të politkes, biznesit, të qarqeve akademike dhe të shoqërisë civile, ne te njejtin ritem qe po institucionalizojme tashme bashkëpunimin me partnerët euroatkantike te Shqiperise.

Ju faleminderit të gjithëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›