E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi asiston në Olimpiadën speciale të fëmijëve me aftësi të kufizuara nga i gjithë vendi.

27 maj 2008

Zonja e Parë Teuta Topi ka qenë sot e pranishme në Olimpiadën speciale të fëmijëve me aftësi të kufizuara, organizuar nga qendra sociale Don Bosko në Tiranë dhe Komiteti Olimpik Shqiptar. Në aktivitetin e mbajtur në ambientet e qendrës Don Bosko kanë marrë pjesë mbi 150 fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuara nga i gjithë vendi të moshës 13 deri 20 vjeç. Në ditën e parë të Olimpiadës pjesëmarrësit të ndarë në ekipe sipas qyteteve që përfaqësonin, kanë garuar mes tyre në disa gara atletike: ecje 50 m, 100 m; vrapim 50 m, 100 m dhe 200 m; basketboll, futboll dhe pinpong.

Në përshëndetjen e saj në hapje të Olimpiadës Zonja e Parë Teuta Topi duke shprehur kënaqësinë e pjesëmarrjes në një aktivitet kaq të veçantë sportiv ku vullneti dhe dashuria për sportin kapërcejnë çdo vështirësi a problem fizik, ka thënë: “ Secili prej jush, sot e ka fituar olimpiadën e tij, atë më të vështirën që shumë fëmijë e të rinj në kushte më të mira e humbasin: atë me paragjykimet me vështirësitë duke bërë aleancë të përhershme me vullnetin dhe dashurinë.” Më tej, duke iu uruar suksese në ditën e parë të Olimpiadës, Zonja e Parë Teuta Topi është shprehur: “ Duke përfituar nga mundësia që më jepni për të qenë mes jush, ju premtoj që do të jem e gatshme që me ndjeshmërinë e një nëne të bëhem zëdhënëse e dëshirave e shqetësimeve tuaja.”

Zonja e Parë ka vlerësuar edhe organizatorët e Olimpiadës që nxit përfshirjen direkte të kësaj kategorie të shoqërisë në aktivitete të tilla sportive në kuadër edhe të vitit të Lojrave Olimpike që do zhvillohen së shpejti në Pekin.

Drejtuesi i qendrës Don Bosko, Don Marek Grym ka falenderuar Zonjën e Parë për pranimin e ftesës për të qenë e pranishme në këtë aktivitet i cili organizohet për herë të parë por me dëshirën e vullnetin që kjo Olimpiadë të kthehet në traditë.

I pranishëm në Olimpiadë ka qenë edhe zv ministri i Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z.Ekrem Spahia.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›