E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ipeshkvin e Nderit të Hildeshajmit, Dr. Jozef Homajer.

27 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Ipeshkvin e Nderit të Hildeshajmit njëkohësisht President Nderi i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore të Bashkimit Europian (COMECE), Dr. Jozef Homajer.

Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me Dr. Homajerin, Presidenti Topi vlerësoi rolin e tij e të çmuar gjatë misionit shpirtëror dhe historik duke theksuar kontributin e dhënë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërfetar në Evropën Juglindore si edhe gjatë procesit të pajtimit.

Kreu i shtetit pasi përshkroi disa nga arritjet dhe reformat kryesore të ndërmarra në vend si reforma në gjyqësor, konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar, vuri në dukje se njëri nga tiparet më të rëndësishme me të cilin krenohet mbarë shoqëria shqiptare është toleranca dhe harmonia ndërfetare – virtyte që pasqyrojnë më së miri vlerat e kombit tonë, të cilat besojmë t’ia bashkangjisim së shpejti familjes së madhe europiane në përmbushje të aspiratave tona integruese.

Ipeshkvi i Nderit të Hildeshajmit dhe njëkohësisht President i Nderit i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore të Bashkimit Europian (COMECE), shprehu admirimin për sukseset dhe transfomimin e madh të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare, për lirinë e garantuar kushtetueshmërisht të ushtrimit të besimit fetar si dhe premtoi se do të vazhdojë misionin e tij fisnik për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ndërfetar dhe bashkërendimin mes bashkësive fetare dhe politikave qeverisëse.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›