E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton ekspozitën “Enigmë e pezullt” të piktorit Naxhi Bakalli në Galerinë Kombëtare të Arteve.

27 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Prof. Dashamir Xhaxhiu dhe disa pjesëtarë të stafit, vizitoi sot ekspozitën e një prej piktorëve më të njohur shqiptarë, Naxhi Bakalli, në Galerinë Kombëtare të Arteve ku u prit në ambientet e Galerisë nga Drejtori i saj, Rubens Shima dhe nga vetë autori.

Presidenti Topi, pasi u njoh nga afër me punimet origjinale të piktorit Bakalli, i shprehu atij konsideratat më të larta për kontributin e madh që mjeshtri i shquar i penelit ka dhënë në pasqyrimin e jetës dhe natyrës shqiptare dhe vlerësoi lart talentin e tij, që nuk është shuar në vitet e tranzicionit të Shqipërisë, por përkundrazi, vazhdon të vijë gjithnjë e më i gjallë mes shqiptarëve.

“Së pari, më vjen shumë mirë që ka më shumë kamera se sa në një eveniment politik. Kjo tregon që bota e medias po i kushton rëndësi të veçantë edhe këtyre evenimenteve të ekspresionit të artit, të pikturës dhe më vjen mirë që kjo ndodh për një piktor të madh, sikurse është zoti Bakalli. Kemi pasur rastin të shohim një dimension të jashtëzakonshëm të veprës së zotit Bakalli. Ai që ka parë Muzeun e Krujës, menjëherë fut në memorjen e tij një vepër të papërsëritshme, pikturën murale, për një vepër të karakterit estetik-historik, ndërsa sot shohim një dimension të ri, që natyrisht vjen edhe me forcimin dhe konsolidimin e pjekurive të piktorit, i cili këtu shfaqet si artist, shfaqet si filozof, shfaqet si piktor. Pra, sipas mendimit tim, kjo është një ekspozitë e mrekullueshme, ku përveç koloritit, natyrisht njeriu kërkon të ketë edhe shpjegimin, edhe interpretimin, askush nuk është specialist i përkryer në pikturë, edhe në rast se e dashuron pikturën, por, falë edhe të interpetimeve të artistit, arritëm që të futemi pikërisht në botën e tij dhe në të gjithë skemën e realizimit të veprës së mrekullueshme.

Unë dëshiroj ta përgëzoj zotin Bakalli, për këtë kënaqësi të veçantë që na ka dhënë dhe natyrisht i uroj edhe shumë vepra të tjera” – u shpreh Presidenti Topi në një prononcim të shkurtër për mediat e pranishme.

Ekspozita “Enigmë e pezullt”, përmban 92 punime të piktorit Bakalli, i cili ka vendosur kështu të kthehet pas një kohe të gjatë në vendlindje, duke bërë të mundur hapjen e një ekspozite me disa nga punimet e tij më të mira ndër vite, të cilat datojnë në vitet 1993-2001.

Nga ana e tij, piktori Naxhi Bakalli, pasi e falenderoi Presidentin Topi për vizitën dhe vlerësimin që vetë Kreu i Shtetit i bëri ekspozitës së tij, theksoi se qëllimi i hapjes së kësaj ekspozite me punime ndër vite, synon të risjellë në vëmendjen e artdashësve shqiptarë bukurinë natyrore e fizike të shqiptarëve, karakterin dhe dëshirën për lirinë, të bukurën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›