E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi mbështet fëmijët me aftësi të kufizuara në përpjekjet e tyre për një jetë aktive sociale.

3 qershor 2010

Zonja e Parë, Teuta Topi ishte sot e pranishme në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010, në të cilat u aktivizuan rreth 250 atletë nga 11 rrethe të vendit.

Në mjediset e Qendrës Sociale “Don Bosko”, ku u zhvillua kjo ceremoni, Zonja e Parë u mirëprit nga organizatorët e Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010, drejtues e përfaqësues të kompanisë Vodafone Albania, të Olimpikut Special Shqiptar, si dhe nga trajnerë, mësues, edukatorë, prindër dhe fëmijë të mbledhur të gjithë së bashku për të festuar në këtë ditë.

Në një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe emocionuese, Zonja e Parë, Teuta Topi iu drejtua fëmijëve atletë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Speciale me fjalë të ndjera e të përzemërta. “Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu të gjithë së bashku. Më vjen mirë që ju arritët të mbyllnit me shumë sukses Lojërat Olimpike. Ashtu si ju hytë në garë të barabartë, ashtu dhe keni dalë sot fitues të gjithë dhe të barabartë. Para së gjithash ju sot keni fituar luftën kundër të gjitha paragjykimeve, të cilat ekzistojnë tek ndonjë person tjetër. Ju keni treguar me këtë që kur njeriu ka kurajo dhe ka dëshirë, arrin çdo gjë. Ju i keni treguar bashkëmoshatarëve tuaj se dini kaq shumë të organizoni kohën tuaj, duke u marrë me aktivitete sociale, kulturore, sportive, të cilat janë shumë të rëndësishme në jetën e të rinjve. Prandaj, ju falenderoj dhe dhe ju përgëzoj për kurajon dhe vendosmërinë tuaj! “, - vuri në dukje ndër të tjera Zonja Topi.

Gjithashtu, një falenderim të veçantë Zonja e Parë e shprehu edhe për organizatorët e kësaj veprimtarie, Vodafone Albania, Olimpikun Special Shqiptar, si dhe Qendrën Sociale “Don Bosko”, të cilët kanë kryer një mision kaq human në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke iu dhënë atyre mundësinë që të zhvillojnë kapacitetet, të realizojnë dëshirat fëminore dhe të gëzojnë jetën me të gjitha mundësitë e tyre.

Në përfundim, Zonja e Parë, Teuta Topi dorëzoi për fituesit çertifikata të kësaj Olimpiade, kupa dhe medalje, të cilat i kurorëzuan ata si më të mirët. Më pas, Zonja Topi u gjend mes fëmijëve, trajnerëve dhe mësuesve të tyre për t’u përshëndetur nga afër, për të shprehur gjithë mbështetjen e saj humane, për t’i dhënë kurajo, por dhe për të marrë prej tyre përqafime, lule dhe mirënjohje të thellë e të sinqertë. Moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte dhe ai i fotografive me ekipet pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Speciale Shqiptare 2010.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›