E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonjusha Zhuli Shfaqja e ndaluar ngjitet në skenë nga aktorët e rinj

Autori suedez August  Stringdberg me veprën tij në skenën e Akademisë së Arteve
Zonjusha Zhuli titullohet shfaqja, e cila do të ngjitet sonte në skenën e Akademisë së Arteve. Për publikun ajo mban firmën e autorit August Stringdberg dhe do të vijë për publikun me regji të regjisores së re Luljeta Hoxha. Në këtë vepër teatrore interpretojnë tre aktorë të rinj, Ina Gjonçi, Kreshnik Xhelilaj dhe Lisa Kujofsa. Vepra ka në fokus të saj forcën e gruas për të arritur barazinë në shoqëri. Megjithëse kjo shfaqje në vitet 1888 ka qenë e ndaluar, ajo sipas regjisores Hoxha është aktuale edhe sot. Zonjusha Zhuli ka qenë një shfaqje, e cila ndalua në vitin 1888, por me mesazhin që ajo përçon vjen aktuale edhe sot, thekson regjisorja Hoxha. Drama Zonjusha Zhuli fokusohet në rebelimin e zonjushës Zhuli ndaj frenimeve, që i atribuohen asaj si grua dhe si pjesëtare e shtresës së lartë. Ajo shfaq një shpërfillje të dukshme për traditat e klasave dhe gjinive, aq sa për një moment pretendon se diferencat ndërmjet klasave nuk duhet të ekzistojnë dhe më pas ajo kërkon një trajtim të denjë, ashtu siç i takon pozicionit të saj shoqëror. Ndërkohë që regjisorja është vetë një studente, e cila tenton që të vërë në skenë një pjesë teatrore, që ka një mesazh aktual për shoqërinë sotme, duke vënë në qendër të vepër  figurën e femrës dhe luftën e saj për të arritur barazinë në shoqëri. Për sa i përket ngjarjes që përbën subjektin e veprës Zonjusha Zhuli dhe zgjedhjes sime për këtë vepër, mund të them se ajo vjen tepër aktuale për Shqipërinë e kohëve të sotme. Në thelb të tematikës është forca e gruas, për të arritur barazinë në shoqëri dhe për të qenë në këtë mënyrë më pak e ndrydhur, gjë e cila ndihet edhe në shoqërinë tonë, tregon regjisorja. E pyetur se përse shumë të rinj zgjedhin tema, që janë aktuale për shoqërinë shqiptare ajo shprehte se ato janë të rëndësishme për vetë mesazhin që përcjellin, por dhe impaktin që kanë tek publiku shqiptar tema të tilla, ku në fokus janë probleme që kanë vite që janë të pranishme. Dua të theksoj se shumë të rinj në përzgjedhjen e temave nisen nga kjo gjë, duke sjellë në këtë mënyrë shumë tema aktuale, që janë të prekshme nga shoqëria, shprehet regjisorja Hoxha. Ajo tregon se për këtë pjesë i është dashur gati dy muaj kohë që të përgatitet. Më janë dashur dy muaj përgatitje për këtë shfaqje, ndërsa për sa i përket bashkëpunimeve të mia, në radhë të parë dua t`i falënderoj të gjithë ata me të cilët kam punuar, duke filluar nga aktorët, skenografi dhe pedagogu im, thekson ndër të tjera regjisorja. Në vepër janë të gjithë të rinj, dhe sipas regjisores: Përzgjedhjen e aktorëve mund të them se e kam bërë sipas këndvështrimit tim regjisorial. Unë kam zgjedhur ata aktorë, që më janë dukur si më të përshtatshëm për pjesën. Kjo pjesë sipas regjisores Hoxha pasqyron konfliktet, të cilat janë të paevitueshme në një shoqëri që i lufton ndryshimet. Karakteret pavarësisht luhatjeve të tyre janë të destinuar të mbeten në pozitat shoqërore të origjinës. Për regjisoren Hoxha edhe pse ende në fakultet, kjo është pjesa  e tretë që ajo ngjit në skenën teatrore. E para është një vepër nga autori Xhon Golsuorth me titull E para dhe e fundit, ndërkohë që shfaqja e dytë e saj titullohej Gruaja çifute nga Breht, në të cilën unë kam interpretuar vetë së bashku me një aktor tjetër, Lorin Tereku,dhe kjo është treta që vë në skenë,shprehet ajo. Skenografia e veprës është realizuar nga Drini Shehu,por regjisorja ka gjetur dhe mbështetjen pedagogut të saj udhëheqës Donard Hasani.

********************
Të dhëna mbi autorin
August Strinberg lindi më22 janar të vitit 1849 në Stockholm. Ishte një shkrimtar suedez me shumë rëndësi në letërsinë  e këtij vendi. Për gati katër dekada ai dominoi në letërsinë suedeze. Vepra e tij ndahet në dy lëvizje letrare; natyralizëm dhe ekspresionizëm. Në përgjithësi shkrimtari konsiderohet si pionier i gjuhës suedeze, pasi ishte shumë produktiv dhe nismëtar në shumë zhanre. Shumë libra të këtij autori klasifikohen si klasike në literaturën suedeze. August Strinberg vdiq më 14 maj të vitit 1912.

Email This Klikime: 46

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›