Zoti Kryetar, Të nderuar deputetë, Kërkova të dal përpara jush për të raportuar për situatën e rëndë të krijuar për shkak të motit keq të ditëve të fundit dhe per te njohur legjis
Zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Kërkova të dal përpara jush për të raportuar për situatën e rëndë të krijuar për shkak të motit keq të ditëve të fundit dhe per te njohur legjislativin me angazhimin maksimal të ekzekutivit për përballimin e saj. Rreshjet e shumta ne 30 ore, kane rene 180 milimetra shi, baraz me reshjet normale mujore duke provokuar përmbytje dhe krijuar vështirësi serioze për jetesë normale të popullatës në pothuaj gjithë territorin e vendit, nga veriu tashme dhe në jug; janë përmbytur qëndra të banuara, është dëmtuar infrastruktura nacionale dhe rurale, jane nen uje mijëra hektarë tokë me të mbjella etj.
Fatmirësisht deri tani nuk ka pasur asnjë viktimë njerëzore. Gjej rastin të përshëndes në mënyrë të vecantë ndërhyrjen e vendosur të Trupave Komando të Ushtrisë dhe Forcave te specializuara të Rendit të cilët shpëtuan mbrëmë në urën e Matit nga rreziku për jetën katër vetë, tre prej të cilëve ishin fëmijë.
Nga të dhënat e sotme e orës 17.00 qe administrohen në Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili drejtohet nga Kryeministri, rezulton se në shkallë vendi janë përmbytur 26 mijë ha tokë bujqësore; janë dëmtuar rreth 7 500 banesa, në 2 mijë prej të cilave janë evakuar familjet tashmë; janë jashtë gadishmërie 5 nënstacione me kapacitet 35 kilovat dhe 4 nënstacione me kapacitet 110 kilovat; janë gjithashtu jashtë gadishmërie ende 4 linja të transmetimit të energjisë nga 7 që ishin në fillim të ditës; janë jashtë pune 2 stacione pompimi; rrugët nacionale megjithë dëmtimet e shumta janë në gjendje pune, përvec aksit Tepelenë – Gjirokastër që është ndërprerë nga vërshimi i lumit Virua; po punohet në urat e dëmtuara pjesërisht të Bëncës dhe të Bogovës.
Natyrshem situata më e rëndë vazhdon te mbetet në qarkun e Lezhës. Janë përmbytur katet përdhese për rreth 7.000 banesa, nga të cilat janë evakuuar rreth 1 500 familje. Janë përmbytur 20 000 hektarë tokë bujqësore dhe janë shkaktuar dëmtime të pjesëshme në blegtori, te cilat po kalkulohen.
Mbrëmë i gjithë qarku i Lezhës ka pasur mungesë totale të energjisë elektrike, si rrjedhojë e përmbytjes së nënstacionit elektrik të Lezhës dhe linjave të transmetimit. Mungesa e energjisë shkaktoi probleme edhe ne furnizimin e popullatës me bukë dhe ujë të pijshëm. Po kështu mbreme, është bllokuar për disa orë aksi nacional Lezhë – Tiranë dhe linja hekurudhore Lezhë – Lac.
KESH, mjete të ushtrisë dhe ministrisë së Bujqësisë arritën të vënë nën kontroll situatën dhe mundësuan në paraditen e sotme furnizimin me energji elektrike të qarkut dhe rivënien në punë të hidrovorëve, te cilet po punojnë për kullimin e tokave nën ujë.
Gjendja është në përmirësim në prefekturën e Shkodrës, është nën kontroll në prefekturën e Kukësit, Dibrës e Durrësit, ku gjithashtu ka pasur përmbytje të tokave bujqësore, dhe probleme te pjesshme në furnizim me energji elektrike e ujë të pijshëm.
Situata është rënduar paraditen e sotme në prefekturën e Beratit, per shkak te daljes të lumit të Osumit nga shtrati dhe janë përmbytur toka bujqësore në disa komuna. Përmbytje ka pasur dhe në spitalin obstetrik gjinekologjik të qytetit dhe në nënstacionin elektrik.
Në prefekturën e Gjirokastrës ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve në akset rrugore nacionale dhe sekondare si dhe dëmtime të pjesshme të një numri të vogël ndërtesash banimi. Dëmtime ka pësuar nëncentrali elektrik i qytetit për shkak të përmbytjes.
Dua të theksoj se në këtë situatë emergjente, Qeveria shqiptare dhe strukturat e saj u vunë menjëherë në dispozicion të shtetasve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore jo vetëm për shkak të respektimit dhe përmbushjes së detyrimeve kushtetuese, por edhe nga pikpamja humanitare e atdhetare.
Dua te falenderoj bashkepunetoret e mi ne Qeveri dhe ne nivele drejtimi te Forcave te Armatosura dhe te agjensive te specializuara per gadishmerine e treguar dje dhe naten mbreme.
Po punohet për garantimin e furnizimit të popullatës me ushqime, energji elektrike dhe ujë të pijshëm, garantimin e kujdesit shëndetësor dhe mbajtjen hapur të arterieve të komunikacionit.
Ditën e dielë inspektova personalisht zonat më të prekura nga përmbytjet dhe të njejtën gjë bënë 5 anëtarë të Qeverise.
Urdhërova mbledhjen urgjente të Këshillit të Ministrave mbreme në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit "Për emergjencat civile", ku miratuam shpalljen e "Gjendjes së fatkeqësisë natyrore" për një periudhë dy javore për qarqet e Shkodrës, Lezhës, Dibrës dhe Kukësit duke ngritur Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile të kryesuar nga Kryeministri. Ky organizëm shtetëror është vazhdimisht në punë për të analizuar pa ndërprerje situatën si dhe për të koordinuar e përforcuar masat për rikthimin e normalitetit.
Në këtë komitet sipas ligjit bëjnë pjesë ministrat e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, i Rendit Publik, i Mbrojtjes, i Financave, i Ekonomisë, i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, i Transportit dhe Telekomunikacionit, i Shëndetësisë, i Bujqësisë dhe Ushqimit, i Industrisë dhe Energjitikës dhe ministri i Shtetit pranë Kryeministrit.
Organizmi shtetëror i emergjencës civile ka hartuar dhe po zbaton tashmë një plan masash të shpejta e dinamike për përballimin e gjendjes së rëndë, por dhe për një profilaksi të situatave të ngjashme në të ardhmen. Vendimi i djeshëm i qeverisë kërkon që ky Komitetet Ndërministror i Emergjencës Civile të realizojë bashkërendimin e veprimeve dhe forcave të shërbimit të emergjencave civile, te menaxhoje rezervat shtetërore per mënyrën e përdorimit të tyre, mënyrat dhe procedurat e përdorimit e burimeve materiale dhe financiare qe nevojiten, te vlerësoje dëmet e shkaktuara dhe masat per rindërtimin dhe riaftësimin nga fatkeqësia natyrore të zonave të prekura, si dhe te siguroje kushtet bazë të jetesës për parandalimin e dëmeve të mundshme në të ardhmen.
Tashme cdo ministri ka ne kembe shtabin e vet te emergjences, te cilat, shtabet e emergjences jane ngitur ne nivel prefekture, bashkish dhe komunash në zonat e prekura nga moti i keq, me të cilët, bëhet shkëmbim informacioni dhe bashkëveprim për identifikimin e shkallës së dëmeve, monitorohet situata hap pas hapi, me synimin për të realizuar ndërhyrje emergjente të koordinuara aty ku shfaqet nevoja me e prehte.
Strukturat ndihmëse edhe ato, kryesore, të Forcave të Armatosura janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe janë vënë në funksion të zhbllokimit të situatës duke dislokuar në zonat e riskut të lartë reparte të brigadës së reagimit të shpejtë, brigadës komando, të forcave ajrore, të brigadës së tankeve, të regjimentit të ndërlidhjes dhe të komandës së mbështetjes logjistike. Spitali qëndror ushtarak është në gatishmëri dhe janë dërguar në zonat e emergjencës dy qëndra mjekësore të lëvizshme si dhe furnizime me medikamente te nevojshme. Komanda e NATO-s në Tiranë ka vënë në dispozicion të zgjidhjes së situatës helikopterë dhe mjete të tjera ushtarake, si dhe po jep ndihmesë të cmuar në identifikimin e zonave ku do të dërgohen ndihma. Disa Qeveri të vendeve aleate gjithashtu po shfaqin gadishmerine per t'u angazhuar me ndihmat e nevojshme, ndersa Qeveria nepermjet ministrit per Integrim po kontakton me zyrat e specializuara të BE për të përfituar asitencen e nevojshme nga programi ECHO i emergjencave civile
Eshtë urdhëruar të vihen në gatishmëri kapacitetet fushore të ushtrisë për strehim, ushqim, trajtim shëndetësor dhe garantimin e transportit të popullatës në zonat e prekura.
Ministria e Rendit Publik është gjithashtu në gjendje të plotë gadishmërie me të gjitha drejtoritë dhe njësitë e specializuara, duke angazhuar në operacionet e ndihmës mbi 1 mijë forca policore në të gjitha prefekturat e prekura.
Aktualisht është vënë në normalitet furnizimi i popullatës me energji elektrike në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar zonat ku ende punohet për eliminimin e defekteve në linja dhe nënstacione, qe jane ne kontakt me ju.
Si kryeministër, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të përshëndetur solidaritetin e qytetarëve në ndihmë të njëri-tjetrit, kurajon me të cilin ata po përballojnë këtë sfidë të natyrës, Kryqin e Kuq Shqiptar dhe shoqata të ndryshme joqeveritare, që kanë angazhuar gjithcka qe disponojne për të dhënë ndihmesë në kapërcimin e situatës. Në mënyrë të vecantë dua të vlerësoj bashkëpunimin e organeve të pushtetit vendor në bashkitë dhe komunat që përballen me fatkeqësinë, me prefektët, të dërguarit e Qeverisë dhe deputetët e zonave përkatëse.
Dua t'ju shpreh bindjen time se Qeveria shqiptare ka marrë masat e duhura për tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar e po kështu po përgatit zgjidhje te qendrueshme për përballimin e situatave të ngjashme në të ardhmen. Qeveria shqiptare nuk synon thjesht një zgjidhje emergjente për situatën e sotme të krijuar, por rivendosjen e sistemeve të dëmtuara në vitet e tranzicionit, në sistemimin e tokës dhe kullimin e ujrave, në mbrojtjen nga erozioni dhe nga ndërtimet e ndërhyrjet e paligjshme, në furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm etj, duke garantuar vetem mbi kete baze profilaksinë ndaj situatave të fatkeqësive natyrore në të ardhmen. Duke shpresuar edhe në ndihmën tuaj të nderuar deputetë, me lejoni te shpreh bindjen se gjendjen e vështirë për shkak të fatkeqësisë natyrore do e kapërcejmë me dëmet minimale të mundshme.
Ju faleminderit!